Sot në një konferencë për shtyp, deputeti i Bashkimit Demokratik për
Integrim, Berat Ajdari ka kërkuar përgjegjësi morale nga ana e kryetarit
të komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani si dhe nga kryetari i Aleancës
për Shqiptarët Zijadin Sela dhe partneri i tij i koalicionit Afrim Gashi
në lidhje me aktin e turpshëm që ka bërë kryetari i komunës në fjalë
ndaj qytetarëve të tij.
Në vazhdim fjalimi i plotë i deputetit Berat Ajdari:
Sot para juve kemi dalë të kërkojmë përgjegjësi morale nga kryetari i
komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani i cili përmes një shkrese
skandaloze që i ngjason atyre të periudhës së komunizmit ka spiunuar
banorët e komunës së Vrapçishtit duke i akuzuar për vepra të cilat
lidhen kinse me veprime kundër ligjore.
Me këtë rast, ne si grup parlamentar i partisë më të madhe shqiptare dhe
bartëse e përgjegjësisë nga ana e qytetarëve, Bashkimi Demokratik për
Integrim kërkojmë nga autoritetet koalicionit opozitar, përkatësisht
Aleanca për Shqiptarët pjesë e të cilës është kryetari i komunës së
Vrapçishtit, Isen Shabani, të veprojë pa asnjë vonesë, por edhe të
distancohen nga veprimi i anëtarit të tyre i cili nuk i ngjason një
kryetari që ka marrë besimin e qytetarëve.
Unë, Berat Ajdari, si ish pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare,
njëjte si të gjithë qytetarët e tjerë shqiptarë në Republikën e
Maqedonisë së Veriut dhe jo vetëm, shpreh indinjatë të thellë ndaj
veprimit kontrovers të kryetarit të komunës së Vrapçishtit, të cilit i
pengon edhe simboli i shenjtë i shqiptarëve, shqiponja dy krenare.
Që ky akt të jetë akoma më i turpshëm, Isen Shabani autoriteteve
policore u është drejtuar vetëm në gjuhën maqedonase duke mos respektuar
Ligjin e dygjuhësisë duke anashkaluar të njëjtin zbatimin e të cilit e
kërkojnë ditë e natë.
Të nderuar,
Kryetari i lartpërmendur duke keqpërdorur pozitën e tij përmes një
shkrese dërguara autoriteteve policore ka bërë denoncimin e disa
banorëve të fshatit Negotinë të komunës së Vrapçishtit gjoja se ata në
mënyrë të paligjshme, brenda natës në objektin e komunës në fshatin
Negotinë kanë vendosur shqiponjën dy krenare.
Sot para jush ftoj kryetarët e koalicionit opozitar, Zijadin Sela dhe
Afrim Gashi, që të dalin publikisht të sqarohen mbi rastin në fjalë, tu
kërkojnë falje shqiptarëve e njëkohësisht edhe të dënojnë këtë akt të
kreut të komunës së Vrapçishtit.
Ky akt i Isen Shabanit tregon fytyrën e vërtet të atij dhe të bashkë
partiakeve bashkë me patriotizmin e rrejshëm që mundohen ta shesin tek
qytetarët shqiptar.
Në fund nga gjithë kjo konstatojmë se kur një kryetar komune spiunon ata
që ia kanë dhënë besimin për të drejtuar komunën, imagjinoni çfarë mund
të bëjnë sikur të njëjtët të jenë në pushtet!