Bërnabiq: Në Uashington do të diskutohet për ekonominë

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se në takimin e planifikuar të mbahet më 2 shtator në Shtëpinë e Bardhë, mes Kosovës dhe Serbisë, pritet të diskutohet kryesisht për çështje të ekonomisë.

Marketing

“Në fakt është vazhdim i bisedimeve për ekonominë, që kanë nisur në kohën kur bisedonim për rivendosjen e linjës ajrore dhe trafikut hekurudhor. Pra, këto janë kryesisht tema ekonomike për të cilat ne gjithmonë kemi bërë thirrje që të diskutohen”, tha Bërnabiq.

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun, Richard Grenell, më 14 gusht njoftoi se më 2 shtator, Kosova dhe Serbia do të takohen në Uashington. Kësaj ftese i janë përgjigjur pozitivisht kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Administrata amerikane ka konfirmuar për REL se në këtë takim do të bisedohet për çështjet ekonomike.

Në fillim të këtij viti, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e Grenellit kanë nënshkruar marrëveshjet për linjën ajrore, atë hekurudhore dhe për autostrada ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por të cilat ende nuk kanë nisur së zbatuari.

Në linjën ajrore Prishtinë – Beograd dhe anasjelltas, sipas kësaj letre të interesit do të operojë kompania gjermane, Eurowings e grupit Lufthansa. Në atë kohë kjo marrëveshje është nënshkruar nga ish-drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës, Eset Berisha.

Në përgjigjen nga Autoriteti i Aviacionit Civil, (AAC) për Radion Evropa e Lirë, më 28 maj, është thënë se “është vështirë të thuhet kur mund të jetësohet zbatimi i Letrës së nënshkruar, pasi që varet nga zhvillimi i diskutimeve në takimet për Normalizim të Aviacionit të Ballkanit (BANM).

Këto takime udhëhiqen nga NATO, në të cilën merr pjesë edhe AAC-ja.

Po ashtu në përgjigje, thuhet se edhe situata e krijuar nga pandemia COVID-19, mund të ndikojë në mbarëvajtjen e takimeve të planifikuara.

Në ndërkohë shefi i Zyrës për marrëdhënie me media në Eurowings, Florian Gränzdörffer, ka thënë se kompania në parim ka rënë dakord që të operojë në linjën Prishtinë – Beogradit. Por sipas tij, një seri e tërë pyetjesh tregtare, organizative dhe juridike janë ende të hapura, të cilat duhet të koordinohen dhe sqarohen në hapat e ardhshëm. Për planet konkrete siç janë orari, data e fillimit të fluturimeve, ai nuk ka dhënë përgjigje.

Marrëveshjet e pazbatuara për transportin ajror, hekurudhor e rrugor Kosovë- Serbi

Lidhur me transportin rrugor, autoritetet kompetente në Prishtinë, vite më parë, kanë pohuar se e kanë të përgatitur projektin për autostradën Prishtinë – Merdare – Nish, projekt ky që mund të vazhdohet në kuadër autostradës që aktualisht lidhë Kosovën me Shqipërinë. Kurse, në të ardhmen ajo mund t’i lidhë të tri vendet.

Kurse, transporti hekurudhor në Kosovë paraqitet si një prej sistemeve më të dobëta në rajon.

Pavarësisht kësaj, Kosova vazhdon të mos e administrojë linjën hekurudhore në veri të Mitrovicës e cila është nën kontrollin e Serbisë. Zyrtarë të Hekurudhave të Kosovës, më herët kanë thënë për Radion Evropa e Lirë, se linja hekurudhore Kosovë-Serbi përmes Mitrovicës së Veriut mund të hyjë në funksion shumë shpejtë, kurse për linjën tjetër që vjen nga Podujeva, nevojitet kohë.

Marketing