Besimi: Destinuam më së shumti mjete për masat si përqindje të PBB-së në rajon, në luftën kundër krizës energjetike dhe të çmimeve

Që nga fillimi i krizës energjetike dhe të çmimeve, Qeveria jonë
kishte reagim të fuqishëm fiskal në rajon, madje shumë herë më të fuqishëm se vendet
e tjera të Ballkanit Perëndimor, gjë që u vlerësua edhe nga Banka Botërore. Por, në
këtë krizë, nuk do të luftojmë vetëm me masa, ajo do të zhvillohet në disa rrafshe.
Krahas pakos së masave antikrizë, u ndërmorën masa për qëndrueshmërinë fiskale
dhe ruajtjen e stabilitetit, si dhe reforma në financat publike që do të kontribuojnë për
sistem më të mirë të financave publike, i cili do të përshpejtojë rritjen pas krizës,
shkruan ministri i Financave, Fatmir Besimi, në kolumnën e tij të fundit.

Marketing

Ai potencoi se përmes politikave qeveritare ajo duhet të balancohet, përkatësisht nga
njëra anë, duhet të ruhet aktiviteti ekonomik në zonën pozitive, siç është stabiliteti social
dhe nga ana tjetër, duhet të ruhet stabiliteti makroekonomik, nga aspekti i borxhit dhe
inflacionit.

“Lufta jonë kundër krizës përbëhet nga tre komponentë. Së pari, ballafaqimi i
vazhdueshëm i krizës dhe mbrojtja e kategorive më të ndjeshme të qytetarëve dhe
kompanive. Së dyti, sigurimi i qëndrueshmërisë fiskale dhe me këtë edhe ruajtja e
stabilitetit makroekonomik. Së treti, zbatimi i reformave dhe krijimi i sistemit të ri dhe më
të mirë të financave publike, i cili pas rimëkëmbjes së ekonomisë do të kontribuojë në
rritjen e përshpejtuar ekonomike”, pohon Besimi.

Ministri i Financave thekson se në fillim të krizës, për t’a frenuar përhapjen e presioneve
inflacioniste, u ndërmor pakoja e masave prej 400 milionë eurove, që më pas u plotësua
me masa në rishikimin e buxhetit, ndërsa si pako e tretë е masave është pakoja e
fundit  e cila u prezantua pak ditë më parë në vlerë prej 360 milionë eurove.
“Që nga fillimi i krizës energjetike dhe të çmimeve, Qeveria jonë reagoi fuqishëm në
rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku sipas vlerësimeve të Grupacionit të Bankës Botërore
ky reagim ishte rreth 5% e PBB-së. Bëhet fjalë për përkrahje në formën e

subvencioneve, mbrojtjes sociale, lirimeve tatimore dhe përkrahje të kompanive
vendase energjetike. Për krahasim, në Serbi është 2.5% e PBB-së, në Kosovë me rreth
2.1%, në Shqipëri 1.4%, në Bosnjë dhe Hercegovinë 0.5% dhe në Mal të Zi 0.1%”,
shkruan Besimi.

Krahas masave antikrizë, në drejtim të qëndrueshmërisë fiskale, Qeveria miratoi edhe
planin që do t’i ulë kostot e shfrytëzuesve të buxhetit, por njëkohësisht do të
përmirësojë arkëtimin e të hyrave në buxhet.

“Në kuadër të planit përfshihet konsolidimi i kostove të pagave nëpërmjet racionalizimit
dhe optimizimit të të punësuarve në sektorin publik bazuar në analizën funksionale,
riorganizimi i mënyrës së kryerjes së detyrave të punës në varësi të natyrës së tyre si
dhe puna nga shtëpia deri në 30% të të punësuarve, me rotacion, pa ndërprerë
funksionimin e rregullt të institucionit. Gjithashtu, parashihet konsolidimi i shpenzimeve
për mallra dhe shërbime, nëpërmjet kursimit të shpenzimeve të zhdrejta dhe të
udhëtimit dhe furnizimeve të zyrës. Njëkohësisht, do të vijojë puna për përmirësimin e
arkëtimit të detyrimeve përmes avancimit të mëtejshëm të rregullativës tatimore në
drejtim të optimizimit të sistemit tatimor, si dhe përforcimit të kapaciteteve për
mbledhjen e të hyrave publike dhe përshpejtimin e arkëtimit të të hyrave nga debitorët
tatimorë dhe doganorë” shkruan ministri i Financave, Besimi.