Besimi: Mbështetje e fuqishme nga Banka Botërore gjatë kohës së ballafaqimit me pandeminë

Ministri i Financave Fatmir Besimi sot mori pjesë në takimin me presidentin e Grupit të Bankës Botërore dhe Konstituencës holandeze të Bankës Botërore, ku është anëtare edhe Republika e Maqedonisë së Veriut. Përveç kryetarit të Bankës Botërore, Dejvid Malpas, mori pjesë edhe Ana Bjerde, zëvendëskryetare e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Georgina Bejker, zëvendëskryetare e IFC-së për Evropën dhe Azinë Qendrore dhe Kun Dejvidse drejtor ekzekutiv i Bordit të drejtorëve të Bankës Botërore.

Marketing

Në këtë takim, siç komunikoi Ministria e Financave, u diskutua për mbështetjen e Bankës Botërore në trembëdhjetë vendet e Konstituencës holandeze, si dhe për ballafaqimin e krizës së shëndetësisë dhe atë ekonomike të shkaktuar nga pandemia me Kovid-19. Guvernatorët e vendeve e potencuan rëndësinë e mbështetjes financiare që banka e siguroi në periudhën e kaluar si përgjigje urgjente ndaj sfidave të shkaktuara nga kriza.

Ministri Besimi, iu referua tre pakove të deritanishme të masave të ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut si përgjigje urgjente për zbutjen e efekteve të pandemisë dhe njëkohësisht të pakos së re të katërt të masave në drejtim të rikuperimit të ekonomisë së Maqedonisë.

Pas anëtarësimit të vendit në NATO dhe njoftimit për fillimin e negociatave me BE-në, si dhe periudhën e stabilitetit politik që vijon, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të përqendrohet në arritjen e rritjes së qëndrueshme, inkluzive përmes thellimit të reformave strukturore në drejtim të forcimit të konkurrencës së ekonomisë vendase.

Nga ana e presidentit Malpas dhe zëvendëspresidentëve Bjerde dhe Bejker u konfirmua mbështetja që ky institucion ndërkombëtar financiar do t’ia sigurojë rajonit, duke përfshirë edhe Republikën e Maqedonisë së Veriut, në formën e huave dhe transferimit të njohurive dhe përforëcimit të kapaciteteve të institucioneve nacionale. Njëkohësisht u potencua nevoja për një qasje të koordinuar dhe partneritet me institucionet e tjera financiare si FMN-ja, IFC-ja, MIGA dhe institucionet financiare të BE-së. Gjithashtu u theksua se në periudhën e ardhshme, fokusi do të jetë në përforcimin e zhvillimit të kapitalit njerëzor, dixhitalizimin dhe rritjen e mbështetjes për sektorin privat përmes qasjes më të lehtë në financim.

Ministri Besimi u falënderua për mbështetjen e deritanishme që Republika e Maqedonisë së Veriut e merr nga Grupi i Bankës Botërore, zbatuar përmes Strategjisë katërvjeçare të bashkëpunimit për vitin 2019-2023, në kuadër të së cilës zbatohen projekte ku pritet një efekt pozitiv në rritjen ekonomike.