Besimi: Punojmë intensivisht në vendosjen e Sistemit të integruar informativ për menaxhimin e financave publike

“Ministria e Financave punon intensivisht në përgatitjen e projektit për vendosjen e Sistemit të integruar informativ për menaxhim me financat publike (IFMIS), të cilin presim të mbështetet nga Grupi i Bankës Botërore dhe Komisioni Evropian, në kuadër të Instrumentit të Dytë për ndihmë paraaderuese (IPA II). Projekti është jashtëzakonisht i rëndësishëm në menaxhimin e financave publike, sepse do të sigurojë monitorim të integruar të të ardhurave dhe shpenzimeve nga planifikimi i tyre deri në implementimin e plotë, me çka do të përmirësohet menaxhimi i financave publike, theksoi ministri i Financave Fatmir Besimi në takim me Drejtorin e Bankës Botërore për vendin tonë, Massimiliano Paolucci. Në takimin zyrtar, i cili u mbajt në Bruksel më datë 25.02.2021, u potencua se me vendosjen e këtij sistemi do të zgjidhen shumë sfida fiskale, përfshirë edhe planifikimin real dhe realizimin më të lartë të investimeve kapitale.

Marketing

“Masat dhe politikat që ndërmeren në drejtim të mbështetjes së rritjes së qëndrueshme dhe inkluzive janë thelbësore përballë krizës më të madhe ekonomike të shkaktuar deri më tani. Politika fiskale duhet të jetë në qendër të përgjegjësisë ndaj krizës së shkaktuar nga Pandemia”, theksoi Besimi.

Realizimi i strategjisë katër vjeçare të Bankës Botërore u shqyrtua në këtë takim me ç’rast u theksua se realizimi i projektit për rrugët lokale pritet të fillojë shumë shpejtë. Njëkohësisht, Ligji për Huamarrjen për projektin për efikasitetin energjetik në sektorin publik, në vlerë prej 25 milionë euro, i cili do të mundësojë realizimin e Projektit të efikasitetit energjetik në sektorin publik, është për miratim në procedurë parlamentare. Projekti zbatohet përmes njësisë projektuese të ministrisë së Financave për përmirësimin e shërbimeve komunale – MSIP, me mbështetje nga Banka Botërore.

Në këtë takim u diskutua gjithashtu Projekti i modernizimit të bujqësisë në vlerë prej 50 milionë euro, nga të cilat 46 milionë janë hua nga Banka Botërore dhe 4 milionë euro nga grant i BE-së, zbatimi i të cilit varet nga miratimi i Ligjit për huamarrje, që gjithashtu është në procedurë parlamentare. Takimi është vlerësuar si jashtëzakonisht i rëndësishëm, ndër të tjera, për sa i përket diskutimeve mbi përparësitë e qeverisë në periudhën afatmesme dhe mundësive për bashkëfinancimin e tyre.

Marketing