Rebalanci i buxhetit për vitin 2022 vjen pas pushtimit rus të Ukrainës, i cili prishi tregjet në Evropë, e cila është partneri ynë kryesor tregtar, ndërsa tek ne u reflektua në rritjen e çmimeve të ushqimeve bazë dhe burimeve të energjisë. Për këtë arsye, ne që në mars kemi filluar me përgatitjen e një pako masash, deklaroi ministri i Financave Fatmir Besimi në paraqitjen e sotme në TV Sitel.
“Kjo që po bëjmë tani me buxhetin plotësues është përgjigje ndaj atyre masave, do të thotë përshtatje në buxhet. Edhe pse kishim dhënë vetëm 50 milionë euro, si bafer, shkuam me një pako që vlente shumë më tepër. Rialokimet tani janë duke u harmonizuar në Buxhet, për t’u kthyer në pjesën e ruajtjes së rritjes dhe mbështetjes. Për shembull, nga Programi i Investimeve për Mbështetjen e Zhvillimit janë marrë rreth 11 milionë euro. Tani ata po kthehen. Pastaj kemi 2,4 miliardë denarë që shkojnë për ndihmë minimale të garantuar, 32 milionë euro janë paraparë për bujqësi dhe masa tjera, tha Besimi.
Ai theksoi se nuk bëhet fjalë vetëm për 76 milionë euro, të cilat qëndrojnë si bafer për programin antikrizë, por shumë më tepër.
Ministri Besimi shtoi se së pari do të dizajnohen masat për kategoritë më të rrezikshme, si dhe për ekonominë.
“Në ribalancin janë përfshirë ndryshime në pagën minimale, janë parashikuar rritje prej pesë për qind të pagave në shëndetësi dhe polici, shtatë për qind për arsimtarët në arsimin e lartë, 15 për qind në gjyqësor dhe avokatë dhe 15 për qind në arsimin e mesëm dhe kopshte”, thotë Besimi.
Ministri bëri të ditur se deri në fund të vitit do të ketë edhe një riorganizim të Buxhetit.