Besimi: Sistemi tatimor i drejtë për rritje ekonomike të qëndrueshme, inkluzive dhe të përshpejtuar

Koncepti i reformës tatimore, të cilin e prezantuam javën e kaluar në konferencë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin është pjesë e procesit të gjerë për krijimin e sistemit tatimor optimal që do të jetë i drejtë dhe do ta përkrahë rritjen ekonomike. Bazat e reformës tatimore janë vendosur me Strategjinë e reformës tatimore 2021-2025, të cilën Qeveria e miratoi në fund të vitit 2020, si pjesë e programit të Qeverisë. Qëllimi ishte sigurimi i sistemit tatimor të drejtë, efikas, transparent dhe modern, që do të bazohet në teknologjitë moderne dixhitale dhe inovacionet në tatimim dhe do të jetë në funksion të rritjes ekonomike të përshpejtuar, inkluzive dhe të qëndrueshme.

Marketing

Në kuadër të kësaj strategjie janë përcaktuar pesë prioritete për hartuesit e politikës tatimore dhe organet që administrojnë të hyrat publike. Prioriteti i parë i referohet drejtësisë më të madhe në tatimim, i cili duhet të sigurojë që të gjithë ta paguajnë pjesëmarrjen e tyre të drejtë të tatimit. Prioriteti i dytë është arritja e efikasitetit dhe efektivitetit më të madh në arkëtimin e të hyrave, përmes analizës dhe rirregullimit të bazës tatimore, përforcimit të kapaciteteve të institucioneve, modernizimit dhe automatizimit të proceseve, si dhe koordinimit më të fuqishëm institucional.

Gjithashtu, si prioritet përcaktohet edhe rritja e transparencës tatimore, në drejtim të përmirësimit të kornizës ligjore për transparencë dhe shkëmbim të informacioneve, bashkëpunimit ndërmjet institucioneve financiare dhe administratës tatimore në Republikën e Maqedonisë së Veriut me institucionet financiare dhe administratat tatimore nga vendet tjera, si dhe stimulimit më të madh të obliguesve tatimorë për raportimin e informacioneve të përgjithshme përkatëse.

Prioriteti i katërt është përmirësimi i cilësisë së shërbimeve, respektivisht thjeshtësimi dhe
përshpejtimi i procedurave dhe ulja e barrës administrative. Prioriteti i pestë është tatimimi
ekologjik i “gjelbër”, nëpërmjet të cilit obliguesit tatimorë do të nxiten ta reduktojnë sjelljen ose aktivitetet e tyre që kontribuojnë në ndotjen, si dhe stimulimin e obliguesve tatimorë për shfrytëzimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, mbrojtjen e burimeve natyrore, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe përmirësimin e cilësisë së e jetesës.

Sistem tatimor optimal

Sipas teorisë ekonomike, parimet e sistemit tatimor optimal janë drejtësia dhe barazia; stabiliteti, parashikueshmëria dhe siguria juridike; neutraliteti; mbulimi financiar i nevojave për zbatimin e funksioneve dhe shërbimeve publike; thjeshtësia dhe qartësia e rregullave dhe ekonomizimi, respektivisht raporti pozitiv midis detyrimeve të arkëtuara dhe kostove administrative për grumbullimin e tyre. Adam Smith në “Pasuria e kombeve” thekson se "tatimimi duhet t’i ndjekë katër parime: drejtësi, siguri, thjeshtësi dhe efikasitet". Ekonomistët me famë botërore Mankiw, Ramsey dhe Mirrlees vlerësojnë se sistemi tatimor optimal është ai që do ta maksimizojë mirëqenien shoqërore përmes një sërë kufizimesh.
Në fillim të viteve të 90-ta, me vendosjen e sistemit të ri shoqëror në vendin tonë u vendos edhe sistemi i ri fiskal, i bazuar në parimin e neutralitetit alokues të tatimeve dhe buxhetit, sipas së cilit me instrumentet e politikës fiskale nuk do të përkrahen disa sektorë. Që atëherë, kishte disa reforma të mëdha tatimore, ndër të cilat është vendosja e tatimit mbi vlerën e shtuar, i cili e zëvendësoi tatimin paraprak mbi qarkullimin e produkteve dhe shërbimeve. Gjithashtu, norma tatimore për tatimin mbi të ardhurat u ndryshua disa herë, nga ajo progresive në atë proporcionale dhe anasjelltas.

Sistemi tatimor është materie e gjallë, i cili shërben për sigurimin e funksionimit të aparatit
shtetëror dhe shërbimeve publike, si dhe të ketë rolin e duhur në alokimin e mjeteve për stimulimin e rritjes dhe zhvillimit ekonomik. Prandaj, ai duhet të ndryshojë me kalimin e kohës për t’iu përgjigjur kushteve dhe nevojave bashkëkohore. Për shembull, teknologjitë e reja dhe dixhitalizimi ndryshojnë rrënjësisht të gjitha proceset sociale dhe ekonomike, përfshirë sistemin tatimor, si në aspektin e tatimeve dhe stimujve, ashtu edhe në drejtim të thjeshtësimit të proceseveadministrative dhe kursimit të mjeteve dhe kohës.

Të hyra më të larta tatimore për shërbime publike më cilësore

Të dhënat tregojnë se arkëtimi i tatimeve si përqindje e PBB-së në vendin tonë është nën
përqindjen e vendeve të rajonit, si dhe është shumë më poshtë se mesatarja e vendeve të BE-27 dhe vendeve të zhvilluara. Nëse shqyrtohen të dhënat historike për treguesit sasiorë të efikasitetit të sistemit tatimor, nevoja për ndryshime është evidente. Hendeku ndërmjet pjesëmarrjes së të hyrave tatimore dhe kontributeve në PBB në BE-27 dhe në Maqedoninë e Veriut është sinjifikativ, respektivisht në vitin 2008, të hyrat tatimore të përgjithshme dhe kontributet sociale në BE-27 mesatarisht përbëjnë 38.4% në PBB, ndërsa në vendin tonë 27.7%, ose për 10.7 pikë përqindje më pak. Hendeku thellohet gjatë periudhës së analizuar nga viti 2008 deri në vitin 2020, respektivisht në vitin 2020 hendeku arrin 13.9%. Në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor, duke i analizuar vetëm të hyrat tatimore pa kontributet sociale kemi në mënyrë bindëse pjesëmarrje më të ulët të të hyrave tatimore në PBB, ku në vitin 2020 ishte 16.1%, ndërsa Mali i Zi 23%, Kosova 22.3%, Serbia 20.1% dhe Shqipëria 17.3%. Nëse analizohet në periudhë më të gjatë, shihet se vazhdimisht kemi diferencë negative në raport me rajonin. Ky është rezultat i disa faktorëve, normave më të ulëta tatimore, lirimeve më të mëdha tatimore, si dhe ekonomisë gri dhe efikasitetit
të arkëtimit.

Ekspertët e Bankës Botërore theksojnë se pjesëmarrja e të hyrave tatimore në PBB është e
rëndësishme për rritjen ekonomike dhe uljen e varfërisë, sepse nevojitet që vendet të kenë në dispozicion mjete të nevojshme për të investuar në të ardhmen dhe për të arritur rritje të qëndrueshme ekonomike. Gjithashtu, ky është sinjal sinjifikativ për investitorët se sa kapacitet ka shteti dhe sa i qëndrueshëm është pozicioni i tij në servisimin e detyrimeve. Vendet e zhvilluara, zakonisht kanë pjesëmarrje më të lartë, ku mesatarja midis vendeve të OECD-së në vitin 2019 ishte 33.8%, ose dy herë më shumë se në vendin tonë.

Duke analizuar arkëtimin e përgjithshëm të tatimeve si përqindje të PBB-së, si dhe të tatimeve të caktuara si përqindje të PBB-së në periudhën 2008-2020, tregon se nevojitet reformë më e madhe tatimore që do të na ofrojë sistem më efikas. Përveç kësaj, kjo nevojë përforcohet gjatë tre viteve të fundit, kur ne, së bashku me mbarë botën u përballëm me sfidat më të mëdha ekonomike që nga Depresioni i Madh e këndej. Goditjet e njëpasnjëshme dhe reagimi qeveritar për zbutjen e tyre, kanë ulur hapësirën fiskale në vendin tonë, si në shumicën e vendeve në zhvillim. Pas krizës së shkaktuar nga pandemia, konsolidimi fiskal u bë domosdoshmëri dhe prioritet në financat publike. Kjo do të thotë se nevojitet racionalizimi i shpenzimeve, por edhe optimizimi i anës së të hyrave.
Shpenzimet tatimore dhe arsyeshmëria ekonomike

Shpenzimet tatimore janë diferencë sistemike në trajtimin tatimor të kategorive të caktuara të obliguesve tatimorë ose aktiviteteve, me ç’rast arkëtohen më pak tatime në buxhet. E thënë thjesht, bëhet fjalë për përkrahje financiare për kategori të caktuara të qytetarëve dhe kompanive, nëpërmjet lirimit nga pagimi i tatimit të caktuar ose normës më të ulët se norma e rregullt për arritjen e ndonjë qëllimi shoqëror, ekonomik apo social për një periudhë të caktuar kohore. Gjatë përcaktimit të këtyre lirimeve tatimore, shihet gjithmonë se përfitimi ekonomik është më i madh se kostoja tatimore.

Me kalimin e kohës, pasi këto transferta indirekte buxhetore ta kenë përmbushur qëllimin tyre, ato bëhen barrë e panevojshme për buxhetin dhe njëkohësisht do ta vendosin kategorinë përkatëse të qytetarëve dhe kompanive në pozitë të privilegjuar të panevojshme në krahasim me pjesën tjetër. Në këtë rast, dëmi i shkaktuar nga këto përjashtime është i dyfishtë, si në bazë të buxhetit ashtu edhe në bazë të obliguesve tatimorë dhe kështu ato paraqesin burim potencial të pabarazisë tatimore.

Shumica e vendeve të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik (OECD) dhe Bashkimit Evropian (BE), si pjesë të procesit buxhetor, paraqesin nevojë për përgatitjen e raporteve mbi shpenzimet tatimore në bazë vjetore dhe analizën e tyre cost-benefit. Pikësynimi është transparencë më e madhe për hartuesit e politikave, parlamentarët dhe publikun e gjerë duke elaboruar të dhënat për të hyrat e paarkëtuara që rezultojnë nga lehtësimet tatimore.

Raportet e institucioneve financiare ndërkombëtare për vendin tregojnë kosto të larta tatimore. Gjithashtu, gjatë analizës së sistemit tonë tatimor, vihet re një numër i madh i lirimeve tatimore si dhe listë e gjatë me norma preferenciale, më e gjata nga të gjitha vendet e rajonit. Disa nga këto lirime datojnë në periudhë të gjatë kohore dhe me kalimin e kohës e kanë përmbushur qëllimin e tyre por janë të bërë të panevojshme. Tani ato paraqesin vetëm kosto për buxhetin dhe privilegj të pajustifikuar për obliguesit tatimorë të caktuar, që krijon distorzion në treg.

Kështu që u nisëm nga kostot tatimore lidhur me angazhimin për krijimin e sistemit të drejtë tatimor, i cili do të jetë i paanshëm për të gjithë obliguesit tatimorë, efikas, do ta kryejë rolin e tij ridistributiv dhe ta përkrahë rritjen ekonomike. Thelbi i konceptit të ri tatimor, i cili është pjesë e reformës më të gjerë tatimore është zgjerimi i bazës tatimore.

Zgjerimi i bazës tatimore nënkupton rritjen e numrit të obliguesve tatimorë. Këtë do ta arrijmë nëpërmjet rishikimit të kostove tatimore që kanë kryer tashmë funksionin e tyre, si dhe nëpërmjet vendosjes së një pjese të subjekteve nga ekonomia joformale në atë formale përmes luftës së pakompromis ndaj ekonomisë gri.
Me Ligjin e ri të Buxheteve dhe sipas shembullit të OECD-së dhe BE-së, vendosim zgjidhje
sistemike, detyrim për hartimin e raporteve vjetore për kostot tatimore dhe rishikim të tyre në përputhje me kontributin e tyre.
Proces inkluziv për koncept tatimor optimal

Në bazë të Strategjisë së reformës tatimore, hartuam Draft konceptin, i cili është pjesë e reformës së përgjithshme tatimore. Draft koncepti kishte për qëllim të vendoste bazë – ide, nga e cila do të fillonte komunikimi me palët e tanguara. Koncepti i reformës tatimore bazohej në drejtësi, respektivisht në zgjerimin e bazës tatimore nëpërmjet: 1.) rishikimit të lirimeve tatimore dhe normave preferenciale dhe 2.) luftës kundër ekonomisë gri. Draft koncepti përfshinte masa me efekt të përgjithshëm fiskal prej 6.1 miliardë denarë, të cilat u bazuan në hulumtime dhe analiza të kryera paraprake, krahasime me vendet e tjera, si dhe raporte dhe rekomandime nga institucionet financiare ndërkombëtare.

Procesi i diskutimit të gjerë lidhur me Draft konceptin u zhvillua gjatë dy muajve. Kishim takime dhe diskutime me komunitetin akademik dhe të biznesit, sektorin joqeveritar, si dhe partitë politike. Për këtë periudhë, duke dëgjuar argumentet e caktuara dhe duke i analizuar ato, disa nga masat u tërhoqën ose u shtynë dhe disa u rishikuan, ndërsa u pranuan edhe nisma të reja. Procesi i miratimit të kësaj reforme tatimore është shembulli më i mirë i procedurës demokratike dhe inkluzive. Treguesi më i mirë lidhur me këtë është pranimi i risive në publik, që u pasuan me miratim, gjë që është e rrallë duke pasur parasysh specifikën e temës, përkatësisht se gjithmonë dikush do tangohet.

Duhet të theksohet se efekti fiskal i kësaj reforme do të jetë rreth 4.2 miliardë denarë (70 milionë euro), që gjatë kohës së rritjes së çmimeve të kapitalit në tregjet financiare është e rëndësishme për angazhimin tonë mbi konsolidimin fiskal.

Me Konceptin e rishikuar të reformës tatimore, i cili u dorëzua dhe miratua në Qeveri, propozohen ndryshime në tri ligje – Ligji i Tatimit mbi Fitimin, Ligji i Tatimit mbi të Ardhurat Personale dhe Ligji i Tatimit mbi TVSH-në.
Tatimi mbi fitimin

Edhe pse u shqyrtua paraprakisht, pas konsultimeve me komunitetin e biznesit dhe duke pasur parasysh kushtet specifike aktuale ekonomike, miratuam vendim që të mos tatimohet fitimi i riinvestuar për të gjitha llojet e investimeve, në vend të propozimit fillestar që lirimi t’i referohet investimeve në dixhitalizim dhe në burimet e ripërtëritshme të energjisë.

Megjithatë, do të bëhet ndryshim ligjor me të cilin do të vendosen mekanizma që do ta
parandalojnë abuzimin nga ky lirim, respektivisht në rast se obliguesi zbaton në mënyrë të
paligjshme dispozitat për fitimin e riinvestuar, do të detyrohet ta paguajë pesëfishin e vlerës së tatimit nëse nuk do ta shfrytëzonte lirimin.

Kështu do të parandalohet ose zvogëlohet mundësia për abuzim me lirimin tatimor dhe evazionin tatimor. Gjithashtu, parashihet model më i thjeshtë tatimor për tregtarët mikro dhe të vegjël me mundësi përzgjedhjeje për t’i paguar të hyrat e përgjithshme apo fitimin e realizuar. Te donacionet, sporti, sistemi i lirimit do të ndryshojë në sistemin e vauçerëve, do të realizohen përmes programit të Qeverisë, përmes përkrahjes direkte financiare nga buxheti. Lirimet në bazë të kontributeve në fondin pensional vullnetar të paguara për punëtorët vijojnë, gjithashtu në drejtim të përkrahjes së zhvillimit të kapitalit njerëzor.

Lirimet për pagesën e sigurimit të jetës për punëtorët ishte masë që u miratua gjatë zhvillimit të shoqërive të sigurimit në vend. Qëllimi është arritur dhe tani kjo duhet të bazohet në kushtet e tregut. Sigurisht, nëse punëdhënësi ka për qëllim që t’i mbajë punëtorët cilësorë, kjo nuk do të ishte pengesë për ta vazhduar pagesën.

Premitë për sigurimin shëndetësor privat për punëtorët ishin gjithashtu një nga lirimet që i
shqyrtuam me analizën dhe më pas i diskutuam me pjesëmarrësit shoqërorë. Duke qenë se ne e shohim shëndetin si një nga prioritetet nga aspekti i kapitalit njerëzor si dhe nga aspekti i produktivitetit, ky lirim vazhdon të jetë në fuqi.

Gjithashtu, do të ndërhyhet edhe në lirimet për shoqëritë mbrojtëse, pasi vijon përkrahja për punësimin e personave me aftësi të kufizuara, nëpërmjet ligjit të posaçëm.
Tatimi mbi të ardhurat personale

Me Konceptin e reformës tatimore, propozohet shfuqizimi i dispozitës së Ligjit të të Ardhurave Personale, me të cilin duhej të hynte në fuqi norma tatimore progresive më 1 janar 2023. Nga aspekti i parimit të drejtësisë, kjo zgjidhje hap disa dilema, për shembull, nëse një person në familje shumë anëtarëshe ka pagë më të lartë dhe pjesa tjetër nuk ka të ardhura, me zgjidhjen e vendosur paraprake ai person do të duhej të paguante tatim më të lartë se personat në familje ku të gjithë anëtarët fitojnë, individualisht më pak, por familja ka të ardhura shumë më të larta. Si rrjedhojë, ky kontekst do të shqyrtohet dhe do të bëhen analiza të mëtejshme, por do të shqyrtohen edhe modele të tjera mbi drejtësinë më të madhe në tatimimin e të ardhuravepersonale.

Gjatë periudhës së normave të larta të inflacionit, rëndësi ka stimulimi i qytetarëve që të kursejnë. Prandaj, dispozita që ekzistonte me Ligjin ekzistues të të Ardhurave Personale, për tatimimin e interesit të depozitave të afatizuara nga 1 janari 2023, shtyhet deri në anëtarësimin e vendit në BE.

Dispozita që i referohet tatimimit të fitimeve kapitale të realizuara nga shitja e letrave me vlerë dhe pjesëmarrjeve të emetuara nga fondi i investimeve, të fituara nga data 1 janar i vitit 2023 dhe që do të tjetërsohen brenda dy viteve nga posedimi i tyre, mbetet dhe parashihet përllogaritje dhe pagesë vjetore e tatimit, në bazë të vendimit të DHP-së, të hartuar në bazë të raportit nga Depozitari Qendror i Letrave me Vlerë, respektisht nga Shoqëritë e Administrimit të Fondeve të Investimeve.

Ligji i të Ardhurave Personale rirregullon edhe përfitimet jomonetare për menaxherët, përkatësisht shfrytëzimin e automjeteve zyrtare për qëllime private, patundshmëritë e kompanive, si dhe opsionet e aksioneve. Riprecizohet baza tatimore për tatimimin e tyre.
Një nga masat më të komentuara, si tatimimi i punëtorëve me honorar, është vendosur ashtu që, nëse dëshirojnë në mënyrë vullnetare të kenë mundësinë të regjistrohen në platformë dhe të

paguajnë kontribute në vlerë të ndryshme nga paga, paga minimale, paga mesatare ose deri në 2milionë denarë. Kjo do të mundësohet nga viti 2024, me miratimin e ligjit përkatës.
Tatimi mbi vlerën e shtuar

Qëllimet mbi të cilat bazohet reforma e TVSH-së janë përforcimi i mëtejshëm i parimeve të
neutralitetit dhe konkurrencës, nëpërmjet reduktimit të listës e mallrave dhe shërbimeve për të cilat zbatohet normë preferenciale e tatimit mbi vlerën e shtuar, si dhe tatimimi i qarkullimit të caktuar. Të drejtat dhe detyrimet e obliguesve tatimorë përmirësohen në drejtim të së drejtës për heqjen (zbritjen) e tatimit paraprak, që do të mundësojë siguri më të madhe ligjore për obliguesit tatimorë dhe efikasitet më të madh në zbatimin e kontrollit.

Në kushtet e krizës aktuale të çmimeve dhe për ta mbrojtur standardin e qytetarëve, norma preferenciale për produktet ushqimore bazë mbetet 5%. Për produkte ushqimore më luksoze, norma preferenciale do të jetë 10%.
Gjithashtu, duke marrë parasysh kërkesat dhe iniciativat që rezultuan nga debati i hapur publik, morëm vendim për vendosjen e një norme tatimi preferencial për produktet e higjienës menstruale, pra uljen e TVSH-së nga 18% në 5%.

Luftë pa kompromis kundër ekonomisë gri

Vendosja e sektorit joformal në ekonominë formale ka rëndësi kyçe për rritjen e bazës tatimore dhe kështu edhe arkëtimin e detyrimeve, duke mos vendosur tatime të reja dhe duke rritur tatimet ekzistuese. Ky është postulati i parë në arritjen e drejtësisë së sistemit tatimor: “Çdo obligues tatimorë do të paguajë tatim të njëjtë për të njëjtën bazë tatimore, pa përjashtim.” Dhe nuk ka asnjë justifikim për mospagesën e tatimit, përveçse ta paguajë atë.

Ndërmerren dhe do të ndërmerren aktivitete për rritjen e kapaciteteve për arkëtim më efikas së të hyrave dhe uljen e ekonomisë gri, që do të përforcojë drejtësinë e sistemit tatimor. Fokus të veçantë do të ketë dixhitalizimi i proceseve në administratën tatimore dhe doganore, për të cilat tashmë është përcaktuar dinamika e zbatimit në mënyrë që të zhvillohet paralelisht me reformën tatimore. Në Drejtorinë e të Hyrave Publike në proces është vendosja e e-fiskalizimit dhe e- faturimit, si dhe sistemi i shënimit dhe monitorimit të të mirave të akcizës “track and trace”  (veçanërisht duhani, pijet alkoolike dhe derivatet e naftës) nga ana e Drejtorisë Doganore, si dhe proceset tjera të dixhitalizimit në këto dy institucione.

Me planin aksional për luftimin e ekonomisë gri janë planifikuar një sërë masash të tjera që do të stimulojnë subjektet të kalojnë në ekonominë formale, sepse do të jetë më profitabile për ta dhe do të kenë përfitim më të madh prej saj.

Tatimi mbi fitimin ekstra si nismë nga debati publik dhe diskutim shtesë me odat ekonomike

Tatimet e jashtëzakonshme janë praktikë në disa vende të botës që në kushte të gjendjeve të jashtëzakonshme, vendosin tatime me karakter të përkohshëm për t’i korrigjuar distorzionet në treg. Në teorinë dhe politikën ekonomike, logjika e tatimeve të tilla bazohet në ridistribuimin e një pjese të të hyrave të larta të paparashikuara që marrin kompanitë e caktuara për shkak të kushteve të tregut ose situatave të tjera të jashtëzakonshme. Përgjatë historisë, ka shumë shembuj të zgjidhjeve të tilla në botë. Nisma të ngjashme ka edhe tani gjatë krizës energjetike, ku në disa vende propozohet i ashtuquajturi Tatim mbi fitimin ekstra. Qeveria e re e Britanisë së Madhe njoftoi tatim shtesë mbi fitimin ekstra në vlerë prej 35% për periudhën 2023-2028 për kompanitë në sektorin energjetik. Në muajin maj të vitit 2022, Hungaria njoftoi tatimim mbi fitimin ekstra në sektorin energjetik, sektorin financiar, transportin ajror dhe tregtinë me pakicë për periudhën 2022-2023, me ç’rast për sektorin energjetik kjo vlerë arrin në nivel prej 65%. Në muajin nëntor, në Kroaci u paralajmërua tatimi mbi fitimin ekstra prej 33% për të gjitha kompanitë me të hyra vjetore mbi 40 milionë euro dhe që realizuan fitim më të lartë se 20% të mesatares së tyre
vjetore për periudhën 2018-2021. Javën e kaluar, Italia paralajmëroi tatim mbi fitimin ekstra prej

50% për kompanitë në sektorin energjetik që kanë fitim më të lartë se 10% të mesatares 2018-2021 dhe do të zbatohet në vitin 2023.

Gjatë debatit publik mbi Draftin konceptin e reformave të politikës tatimore u ngrit diskutimi nga disa palë të tanguara të shoqërisë me propozime për vendosjen e tatimit mbi fitimin ekstra.
Ndonëse ka disa shembuj të vendeve që iu qasën vendosjes së tatimit mbi fitimin ekstra, duke u nisur nga parimi i inkluzivitetit në përcaktimin e politikave ekonomike, në konferencën e përbashkët për shtyp për reformat tatimore me Kryeministrin njoftuam se do ta diskutojmë këtë propozim me odat ekonomike, ndërkohë në Ministrinë e Financave bëhen analiza më të detajuara rreth implikimeve fiskale dhe ekonomike.