BFI dhe KOM me apel që të vazhdojë respektimi i masave

Masat e ndërmarra për mbrojtje të shëndetit publik dhanë rezultate, që tregon zvogëlimi i numrit të personave të infektuar dhe të qytetarëve të cilët kanë nevojë të kujdesen në spitale, me çka krijon edhe mundësi për shënimin më të qetë të festave fetare Bajramin dhe Pashkët.

Marketing

Kjo u konstatua në takimin e kryeministrit Zoran Zaev, zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive, Artan Grubi, ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe drejtorit të Komisionit për marrëdhënie me bashkësitë fetare dhe grupet religjioze, Darijan Sotirovski, me kryetarët e bashkësive fetare në vend, të bashkësisë fetare islame, Reis ul Ulema haxhi Shaqir efendi Fetai dhe kryetari i kishës ortodokse maqedonase, z.z. Stefani.

“Është shprehur qëndrim i përbashkët se situata e tillë nuk do të thotë edhe lëshim, për të cilin shkak Qeveria dhe liderët fetarë të BFI-së dhe KOM-it u apelojnë të gjithë qytetarëve që edhe më tej t’i respektojnë masat për mbrojtje, pasi nga kjo do të varet edhe nëse do të ketë lehtësime të reja të masave dhe të orës policore”, kumtoi pres-shërbimi i Qeverisë.

Qeveria dhe krerët e BFI-së dhe KOM-it, në prag të shënimit të festave fetare, bashkarisht konstatojnë se me rëndësi të madhe është disiplina dhe përgjegjësia individuale e besimtarëve dhe qytetarëve, në pjesën e respektimit të protokolleve ekzistuese, siç janë mbajtja e maskës në ambient të hapur dhe të mbyllur, mbajtja e distances, mosgrupimim, marrja pjesë në brendinë e objekteve fetare të mos jetë më e madhe se 30 për qind nga kapaciteti.

Kryeministri Zaev dhe përfaqësuesit e Qeverisë iu falënderuan krerëve fetarë për kontributin në ballafaqimin me pandeminë. Me këtë rast, është arritur marrëveshje që edhe Qeveria edhe BFI-ja dhe KOM-i të vazhdojnë të angazhohen për mbrojtjen e shëndetit publik, me çka do të mundësohet mirëqenie në familjet dhe në shoqëri.