Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, njoftoi zyrtarisht se trupat amerikane do të kthehen nga Afganistani më 11 shtator, duke thënë se “është koha për t’i dhënë fund luftës përgjithmonë”, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një fjalim në Shtëpinë e Bardhë mbi planin e tij në lidhje me tërheqjen e trupave nga lufta më e gjatë e SHBA-së, Biden tha se puna diplomatike dhe humanitare e Washingtonit do të vazhdojë dhe ajo do të mbështesë qeverinë afgane ndërsa SHBA-ja nuk do të qëndrojë e përfshirë ushtarakisht.
“Ne shkuam në Afganistan për shkak të një sulmi të tmerrshëm që ndodhi 20 vjet më parë, që nuk mund të shpjegojë pse duhet të qëndrojmë atje në vitin 2021”, tha presidenti amerikan.
Biden tha se SHBA-ja do të kërkojë ndihmë nga vendet e tjera në rajon për të mbështetur Afganistanin, veçanërisht Pakistani, Rusia, Kina, India dhe Turqia.
“Ata të gjithë kanë një interes të rëndësishëm në të ardhmen e qëndrueshme për Afganistanin”, tha Biden.
“Lufta në Afganistan nuk ishte e destinuar të jetë një iniciativë shumëgjeneratëshe. Ne ishim të sulmuar. Ne shkuam në luftë me qëllime të qarta. I arritëm ato objektiva dhe (Osama bin) Laden është i vdekur. Dhe Al-Kaeda është degraduar në Irak dhe Afganistan, dhe kjo është koha për t’i dhënë fund përgjithmonë”, përfundoi ai.
Rreth 2.400 anëtarë të shërbimit amerikan u vranë dhe më shumë se 20.000 u plagosën gjatë luftës 20-vjeçare.