Bie numri i të infektuarve, Gjata: S’mund të thuhet ende se është fituar imuniteti i tufës

Mjeku Arben Gjata pohoi se nuk është arritur ende imuniteti tufës, por ulja e numrit të të prekurve me COVID-19 lidhet me disa elementë njëkohësisht që ndikojnë në përmirësimin e situatës së pandemisë.

“Në radhë të parë duhet theksuar besoj, vaksinimi që ka arritur 500 mijë qytetarë, që bëjnë që gradualisht shifrat të ulen dhe fatmirësisht ndikon dhe koha, kështu që jemi në një situatë të qëndrueshme. Të presim çfarë do ndodhi dy-tre javët e ardhshme sepse mbase fushata elektorale mund të ketë ndikuar në rritjen e përhapjes së sëmundjes,” – tha mjeku.

Sipas Gjatës nëse vijojmë me këto shifra jemi në fund të tunelit dhe po nis të shihet drita.

Marketing

Mjeku sqaroi se ata që kanë marrë vetëm një dozë të vaksinës kanë imunitet më shumë se pjesa tjetër, teksa përmendi se sipas informacioneve të tij janë rreth mbi 21 mijë persona që kanë marrë dy doza të vaksinës.

Ndërkohë që theksoi se vaksinimi i gjithë popullsisë pritet të mbarojë brenda këtij viti në muajin dhjetor dhe siç tha Gjata kjo do të ishte e vetmja rrugë për të dalë nga pandemia.

Sa i takon përdorimit të maskës, mjeku sqaroi se nuk ka asnjë diskutim që maska është e nevojshme, pavarësisht motit të nxehtë dhe shtoi se mbajtja e distancës sociale apo kujdesi për higjenën personale duhet të jenë në vëmendje të qytetarëve deri kur pandemia të largohet komplet.