Ballina Aktuale Blloku opozitar me NJË ofertë dhe program parazgjedhor / Detaje nga takimi...

Blloku opozitar me NJË ofertë dhe program parazgjedhor / Detaje nga takimi Kasami-Gashi-Mexhiti

Bilall Kasami i Lëvizjes Besa, Afrim Gashi i Alternativës dhe Izet Mexhiti nga Lëvizja e re e paralajmëruar janë ulur sot në një tryezë. U koordinuan për të formuar bllokun opozitar.

Marketing

Krahas koordinimit të aktiviteteve, nga Gashi u bë e ditur se këta të tre – si bllok opozitar do të dalin në zgjedhjet e ardhshme me një ofertë dhe program parazgjedhor.

“Mes tjerash, diskutuam edhe për përgatitjen e një drafti të një oferte që më tej do të zgjerohet në program parazgjedhor.

Orteku tashmë ka filluar. Përmbysja e këtij pushteti është në horizont. Në zgjedhjet e reja qeveri e re”, shkroi Gashi.

Ndërkaq Mexhiti shkroi:

“Ashtu siç kemi deklaruar edhe më herët, do të angazhohemi fuqishëm për të unifikuar zërin opozitar në vend.

Në këtë drejtim ishte edhe takimi i sotshëm me z. Kasamin dhe z. Gashin në Kuvendin e RMV-së, ku diskutuam rreth parimeve të bashkëpunimit tonë.

Rrugëtimi ynë i sinqertë vazhdon!

Na priftë e mbara!”.

Ndërkaq Kasami njoftoi:

“Sot, kemi realizuar një takim të përbashkët dhe tepër konstruktiv me Izet Mexhitin, që vepron në kuadër të lëvizjes së re dhe me liderin e Alternativës, Afrim Gashi. Kemi diskutuar mbi idenë e bashkëpunimit dhe bashkërendimit rreth krijimit të frontit të përbashkët opozitar si një domosdoshmëri në skenën politike shqiptare. Në një atmosferë miqësore dhe konstruktive kemi diskutuar mbi hapat e ardhshëm për një bashkëpunim frytdhënës në skenën politike shqiptare. Detajet tjera mbi këtë bashkëpunim do të shpalohen në ditët në vijim”, shkroi Kasami në Facebook

Ndërkaq nga ana tjetër, është njoftuar distancimi i njërit deputet të Lëvizjes Besa nga politikat e liderit dhe bllokut opozitar.

Bastri Bajram nga Besa nuk do të veprojë në përputhje me politikat e vendosura nga lideri Bilall Kasami, pasi siç deklaroi për TV21, “ndan të njëjtin mendim sikurse Arjanit Hoxha”.

Exit mobile version