Borisov-Xhaferi: Bullgaria jep mbështetje të madhe për Republikën e Maqedonisë së Veriut

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi realizoi takim me kryeministrin e Republikës së Bullgarisë, Bojko Borisov.

Marketing

Në takim, të dy bashkëbiseduesit u shprehën të kënaqur për ratifikimin e Protokollit për NATO në Parlamentin e Bullgarisë. Është theksuar bashkëpunimi i shkëlqyeshëm ndërmjet Sofjes dhe Shkupit në vitet e kaluara, si dhe angazhimet e Bullgarisë për mbështetjen e shtetit tonë në rrugën dhe zhvillimin evropian.

Kryetari Xhaferi theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut është në rrugë të sigurt drejt NATO-s, ndërsa shteti me përkushtim punon për marrjen e datës për fillimin e negociatave me BE-në dhe përmbushjen e reformave dhe detyrave të domosdoshme.

„Jemi të vetëdijshëm se ky nuk është proces i lehtë, por me të gjitha forcat dhe kapacitetet Kuvendi dhe Qeveria punojnë në arritjen e qëllimit të dëshiruar“, tha Xhaferi.

Ai e theksoi domosdoshmërinë nga bashkëpunimi me të gjithë faktorët politikë për shkak të përmbushjes së obligimeve për të mirën e qytetarëve dhe të shtetit.

Kryeministri bullgar, Borisov, ka theksuar se Bullgaria është konsekuente në mbështetjen e vet për Republikën e Maqedonisë së Veriut, si në vitin 2017 me nënshkrimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë dhe gjatë kohës së kryesimit të Bullgarisë me Këshillin e BE-së në vitin 2018, ashtu edhe sot kur Parlamenti i Bullgarisë e ratifikoi Protokollin për NATO.

Në kornizat e vizitës dyditore, Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, u takua edhe me zëvendëskryetaren e Qeverisë së Republikës së Bullgarisë dhe shefen e diplomacisë, Ekaterina Zaharieva. Në takim u theksuan marrëdhëniet miqësore dhe të mira fqinjësore ndërmjet të dyja shteve. Zaharieva u shpreh e kënaqur meqë Republika e Bullgarisë është në mesin e shteteve të para që e ratifikuan Protokollin për NATO.