Bruce Lee, trashëgimia e legjendës së sportit dhe artit

“Zbrazni mendjen tuaj, jini spontanë, pa formë si uji”, citimi më i famshëm nga legjenda e kung-fu, Bruce Lee, nuk është vetëm këshillë për artistët aspirantë të sporteve marciale se si t’i shmangen me mjeshtëri kundërshtarit.

Marketing

Ai gjithashtu qëndron për një pikëpamje filozofike të botës. Dhe ende ka vlerë.

Libri i Bruce Lee “Artist of Life” (“Artisti i jetës”) plot refleksione filosofike, i cili u përkthye për herë të parë në gjermanisht dhe u botua në vitin 2023, ofron njohuri të vlefshme për mentalitetin e tij. Ky aspekt i jetës së yllit të filmit humbet shumë shpesh kur dikush reflekton mbi të gjysmë shekulli pas vdekjes së tij të parakohshme.

Shfaqja e Dragoit

Bruce Lee lindi si Lee Jun-Fan në San Francisko në vitin 1940 nga Grace Ho dhe Lee Hoi-Chuen, një këngëtare e famshme kineze e operës dhe aktor filmi. Artisti i ardhshëm i sportit kung-fu e kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë në Hong Kong, ku si fëmijë luajti në disa filma si aktor. Por shpejt u bë e qartë se interesat e tij nuk ishin të kufizuara vetëm në aktrim. Si adoleshent, ai filloi të boksonte dhe të kërcente. Ai u stërvit në wing chun, një art marcial kinez që ndoshta e kishte origjinën në shekullin e 19-të.

Në moshën 18-vjeçare u transferua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të studiuar. Këtu ai gjithashtu mësoi artet marciale dhe zhvilloi stilin e tij të këtyre arteve, Jeet Kune Do. Në përkthim fjalë për fjalë, kjo do të thotë: “Mënyra e kapjes së grushtit”. Koncepti i vetëmbrojtjes mbështetet në efikasitetin më të madh të mundshëm në luftime dhe kombinon elemente nga stile të ndryshme klasike.

Në të njëjtën kohë, Bruce Lee u shfaq në shfaqje televizive dhe filma amerikanë, kryesisht në role të vogla që lidhen me artet marciale. Vetëm kur u kthye në Hong Kong mori rolet e tij të para në Golden Harvest Studios. Ai ishte në kulmin e famës së tij botërore kur vdiq papritur nga edema cerebrale më 20 korrik 1972, me vetëm 32 vjeç. Filmi i fundit i lëshuar gjatë jetës së tij ishte “Way of the Dragon” (“Rruga e Dragoit”) më 1972, ndërsa filmi “Enter the Dragon” u përfundua pas vdekjes së tij në 1973. Të dy këta filma u bënë hite të Holivudit.

Jeet Kune Do – filozofi e veçantë sporti

Ndërsa pasardhësit e kanë përcaktuar trashëgiminë e Lee kryesisht për sa i përket aftësisë së tij të jashtëzakonshme fizike dhe teknikës së luftimit, mësimet filozofike që ai zhvilloi në jetën e tij të shkurtër kanë marrë më pak vëmendje. Por stili i tij i artit marcial Jeet Kune Do është sinteza e këtyre dy pjesëve të jetës së tij.

“Teknikat dhe filozofitë e Jeet Kune Do mund të aplikohen si në luftime reale ashtu edhe në situata të vështira jetësore. E përbërë nga teknika fizike dhe filozofi të aplikuara, Jeet Kune Do kërkon që individi të stërvitet në gjendjen më të sofistikuar të qenies,” thuhet në faqen e internetit të Fondacionit Bruce Lee. Ndërgjegjësimi për trupin e dikujt dhe bërja e paqes me vendin e dikujt në botë janë shumë të rëndësishme për punën dhe jetën e Bruce Lee.

Gjithashtu, këshilla e tij “Bëhu ujë, miku im” është cituar shumë herë ndër vite dhe lidhet me këtë filozofi të lakueshmërisë dhe ndërgjegjësimit të vetes fizike dhe shpirtërore. Ashtu si uji që derdhet në një filxhan dhe ndryshon formën, Lee këshilloi përshtatshmërinë duke qëndruar besnik ndaj thelbit të vetes.

Lee hapi rrugën për aktorët aziatikë në SHBA

Trashëgimia e Bruce Lee përfshin edhe hapjen e derës për aktorët aziatikë në Hollivud. Sepse ai ishte ylli i parë aziato-amerikan i Hollivudit që luajti një rol kryesor në një film të madh ndërkombëtar. Dhe pavarësisht vdekjes së tij të hershme, ai arriti t’u hapte rrugën brezave të ardhshëm. Sot për trashëgiminë e tij kujdeset vajza e tij Shannon Lee. Ajo rregullisht jep intervista dhe prezanton një episod audio për babain e saj. Titulli i thjeshtë: “Bruce Lee Podcast”.

Si një filozof dhe mendimtar i lexuar, ai meriton më shumë vëmendje në retrospektivë: në 50-vjetorin e vdekjes së mjeshtrit të madh (20 korrik 2023), është publikuar edhe një botim jubilar i librit të tij në gjermanisht, i cili përmban edhe pjesë nga ditarët e tij privatë. “Në thelb, me profesion kam qenë gjithmonë një artist luftarak, e me profesion jam aktor”, kishte theksuar ai pak para vdekjes, “por mbi të gjitha shpresoj të realizoj veten në rrugën time si artist i jetës.” /DW