Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani ka mbajtur fjalim në tubimin e BDI-së në Shipkovicë.
Ka folur për periudhën në të cilën gjendet Maqedonia e Veriut.
Tha se çështja e sigurisë së vendit është mbyllur me NATO-n, tani me Bashkimin Evropian synohet të mbyllet edhe çështja e cilësisë së jetës.
Ka deklaruar se e gjithë kjo është falë politikave të Ali Ahmetit, të cilin siç tha Osmani, e marrin si shembull në kontinent për largpamësi dhe politikbërje.
“Në çfarë forme kemi hyrë në zyrat e OSBE-së para shumë vitesh? Jo para shumë vitesh, por para 20 vjetësh? Shqiptarët e Maqedonisë në zyrat e OSBE-së nuk hyjnë më për t’u ankuar për dhunë policore ndaj tyre, sepse me mua aty ishte shefi i policisë dhe unë hyra në pozitën e të parit të kësaj organizate. Dua në mënyrë plastike pak ti analizojmë të arriturat e këtyre viteve, për shkak se, unë e kuptoj të gjithë jemi në halle të ditës. Është një shprehje, thonë – “Nga drunjtë nuk e shohim malin” dhe realisht nga sfidat, nga brengat e çdoditshme nuk i shohim arritjet e mëdha historike. Ndonjëherë duhet që kur të bëjmë analizë, të ngritemi mbi proces dhe të shohim ku kemi qenë, ku jemi dhe çfarë sigurie kemi krijuar për njerëzit tanë dhe krejt kjo falë politikave të një njeriu i cili sot është bërë referencë jo vetëm për politikën shqiptare në rajon, por edhe për politikat e përgjithshme në kontinent. Si referencë për largpamësi, për urtësi dhe për strategji në politikbërje. Por, nëse kjo periudhë ishte e garantimit të sigurisë, për shkak se në jetën e njerëzve dy gjëra janë të rëndësishme – të keni siguri për jetën tuaj, për jetën e fëmijëve tuaj dhe të ju garantoni cilësi në jetë. Dhe kjo ndahet në dy momente – sigurinë e jep NATO, cilësinë BE-ja”, tha Osmani, transmeton TV21.