Ballina Lajme Maqedoni Busti i Elez Isufit së shpejti në Dibër

Busti i Elez Isufit së shpejti në Dibër

Busti i patriotit dibran Elez Isufi do të vendoset në shëtitoren kryesore të qytetit në Dibër. Këtë e vendosi me vendim unanim Këshilli i Komunës Dibër në seancën e fundit për këtë mandat. Heroi i njohur dibran Elez Isufi meriton të jetë në pjesën qendrore të qytetit të Dibrës së Madhe, u theksua në seancën e komunës. Kryetari i Këshillit, Bashkim Mashkulli, tha se shumë shpejt busti i patriotit Elez Isufi do të gjendet në lokacionin ku është edhe frekuentimi më i madh i dibranëve. Ai falënderoi këshilltarët të cilët pa marrë parasysh nga cila parti politike vijnë, i dhanë dritë jeshile vendosjes së këtij busti në qendër të Dibrës.

Marketing

Bustin e patriotit Elez Isufi ose siç populli e quan “Gjenerali me Shajak”, i cili luftoi kundër Perandorisë Otomane dhe serbëve, është vepër e skulptorëve të njohur Fiqiri Kasa nga Shqipëria dhe Xhelil Rufati nga Gostivari.

Mjetet për bustin janë nga buxheti lokal i komunës Dibër, informoi kryetari i Këshillit, Bashkim Mashkulli. Sipas tij, edhe shëtitorja ku do të vendoset busti do të merr emrin “Shëtitorja Eles Isufi”. Vendosja e bustit u bë me iniciativë të shoqatës të ish të burgosurve politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Patrioti dibran Elez Isufi ka lindur në vitin 1861 në fshatin Sllovë të Dibrës. Gjatë jetës së tij, së bashku me patriotë tjerë dibran mori pjesë në luftërat kundër Perandorisë Otomane, si dhe në luftërat kundër regjimit serb. Historianët thonë se Elez Isufi ka merita të mëdha jo vetëm për krahinën e Dibrës, por edhe për mbarë çështjen shqiptare. (koha.mk)

Exit mobile version