Buxheti 2023, Besimi: Përkrahje për qytetarët dhe kompanitë në kohë krize dhe stimulim për ekonominë

Kolumnë e  ministrit të Financave, Fatmir Besimi

Marketing

Llogaridhënia është pjesë e transparencës fiskale, e cila është shkalla më e lartë e kontrollit të financave publike. Prandaj, arsytimi i detajuar dhe i qartë i propozim buxhetit, dokumentit më të rëndësishëm fiskal që miratohet çdo vit, ka domethënie sinjifikative për mirëmenaxhimin e financave publike.

 

Buxheti është shumë më tepër se një bilanc të ardhurash dhe shpenzimesh. Është plan gjithëpërfshirës i të gjitha politikave dhe masave të zbatuara nga Qeveria gjatë vitit fiskal. “Buxheti nuk është thjesht seri numrash në letër, ai është pasqyrim i vlerave tona”, thotë ish presidenti amerikan Obama. Shpesh theksohet se “buxheti është nga qytetarët – për qytetarët”. Prandaj, rëndësi ka që të zbatohet koncepti i buxhetit të qytetarëve, respektivisht prezantimi dhe përvetësimi i këtij dokumenti të madh në mënyrë të qartë dhe të thjeshtë. Në këtë drejtim është edhe kjo kolumnë, për ta përcjellë më afër publikut kontekstin dhe zgjidhjet që propozojmë me buxhetin e vitit të ardhshëm.

 

Gjatë kësaj jave, Qeveria dha dritë jeshile për Propozim buxhetin e vitit 2023, të dorëzuar nga Ministria e Financave. Ky dokument do të diskutohet më tej në shtëpinë e demokracisë – Parlament. Si ministër i Financave, kisha nderin që pas miratimit të propozim buxhetit, në emër të Qeverisë, ta prezantoj atë para publikut. Llogaridhënia sigurisht nuk mbaron me kaq. Propozim buxheti më tej do të shqyrtohet dhe do të diskutohet në Kuvend dhe ndërkohë do të vazhdojmë të informojmë lidhur me zërat e caktuara të buxhetit dhe zgjidhjet, me qëllim që t’i bëjmë ato të ditura dhe t’i sqarojmë para publikut.

 

Me Propozim buxhetin për vitin 2023, fillon zbatimi i një pjese të dispozitave të Ligjit të ri të Buxheteve (Organic Budget Law). Ky ligj reformues do të sjellë ndryshime të mëdha në menaxhimin e financave publike. Propozim buxheti është zyrtarisht buxheti i parë afatmesëm për vitin e ardhshëm, i cili ofron pasqyrë më të madhe lidhur me atë se cilat janë sfidat aktuale për ekonominë tonë dhe cilat janë pikësynimet që duam t’i arrijmë në periudhë afatmesme.

Konteksti makroekonomik global

Bota është përballur me probleme të mëdha ekonomike gjatë tre viteteve të fundit. Për të tretin vit radhazi, Qeveria propozon buxhet në rrethana të krizës ekonomike globale. Inflacioni është në nivelin më të lartë në dekadat e fundit. Pasiguria është e lartë për shkak të invazionit rus në Ukrainë dhe këtu përfshihen edhe efektet afatgjata të pandemisë Covid-19. Shumica e ekonomive janë në fazën e ngadalësimit të rritjes ose tkurrjes së tërësishme.

Pritet që vitin 2022, rritja e ekonomisë globale të ngadalësohet pothuajse dy herë në krahasim me vitin paraprak (3.2%). Shqetësues është fakti lidhur me pritshmëritë që kriza të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm dhe më intensivisht (sipas projeksioneve të muajit tetor të FMN-së, rritja globale do të ngadalësohet në 2.7% në vitin 2023), të cilat janë më të theksuara për ekonominë evropiane, ku rritja pritet të ngadalësohet në 0.7% vitin tjetër. Për ekonominë e Gjermanisë, që është partneri ynë më i rëndësishëm tregtar, parashihet rënie prej 0.3% vitin tjetër. Pritshmëritë për rritjen ekonomike dhe globale në BE në vitin 2023 paraqesin perspektivën më të ulët që nga viti 2001, përveç periudhës së krizës financiare dhe globale dhe fillimit të pandemisë Covid-19.

Aktiviteti ekonomik këtë vit në vendin tonë u ndikua nga sfidat dhe pasiguritë e shkaktuara nga faktorët globalë, por megjithatë rritja ekonomike e ruajti nivelin e saj. Në gjysmën e parë të vitit 2022, ajo arriti në 2.6%. Arritje pozitive ka në sektorin e shërbimeve, industrisë dhe bujqësisë, ndërsa sipas analizës së shpenzimeve, ka rritje të kërkesës së brendshme, respektivisht rritje të konsumit dhe rritje të investimeve bruto.

Projeksionet lidhur me ekonominë vendase për vitin 2023 edhe në periudhë afatmesme

Si rezultat i asaj që u theksua më sipër, priten lëvizje të pafavorshme në kërkesën e jashtme dhe të brendshme, investime në mjete fikse dhe konsum. Por, masat që i zbatojmë ne si Qeveri në vazhdimësi, pritet t’i zbusin këto efekte në standardin e jetesës dhe likuiditetin e kompanive.

Sipas skenarit bazë makroekonomik, rritja ekonomike në vitin 2023 projektohet në 2.9%. Rritja e aktivitetit ekonomik do të vijojë edhe më tej të nxitet nga kërkesa e brendshme. Inflacioni do të fillojë të ulet vitin e ardhshëm, por me çmime akoma më të larta të energjensave dhe produkteve ushqimore në tregjet ndërkombëtare, me ç’rast norma projektohet në nivel prej 7.1%.

Në periudhë afatmesme, projeksionet janë të ndryshme. Pritet normalizimi i zhvillimeve globale, stabilizimi i zinxhirëve globalë të furnizimit dhe rritja e aktivitetit ekonomik te partnerët tanë kryesorë tregtarë. Politikat dhe masat ekonomike të inkorporuara në Planin për qëndrueshmëri fiskale dhe përkrahje të rritjes ekonomike, Planin për investime publike dhe Planin për rritje të përshpejtuar ekonomike do të ofrojnë bazë solide për dyfishimin e rritjes ekonomike në vendin tonë krahasuar me mesataren prej 2.5% në dekadën e kaluar. Sipas skenarit bazë, rritja mesatare e aktivitetit ekonomik në vend lidhur me periudhën 2023-2027 do të arrijë në 4.6%, ndërsa nga viti 2025 rritja do të arrijë normën prej 5%.

Investimet do të kenë rol kyç në rritjen ekonomike dhe pritet të shënojnë rritje mesatare vjetore prej rreth 8% si rezultat i rritjes së pritur të investimeve private, si dhe rritjes së shpenzimeve kapitale. Relacioni i investimeve ndaj PBB-së pritet të rritet mbi 40% në vitin 2027. Si rezultat i kësaj, gjatë periudhës 2024-2027, pritet përshpejtim i rritjes së punësimit në nivel vjetor mesatar prej 3.2%. Kjo do të kontribuojë që shkalla e papunësisë në vitin 2027 të ulet në nivel prej 9.4%. Paga mesatare neto në këtë periudhë në mënyrë nominale pritet të rritet prej 6.1% në nivel vjetor.

Norma e inflacionit do të stabilizohet gradualisht dhe projektohet të jetë 7.1% në vitin 2023 dhe 2.5% në vitin 2024, ndërsa në periudhën afatmesme do të ulet në 2%.

 

Buxhet që do të jetë reagim i duhur ndaj sfidave të vitit 2023

Buxheti i vitit 2023 ka detyrë specifike. Nga njëra anë, duhet të ndihmojë në zbutjen e pasojave të krizës energjetike, ndërsa nga ana tjetër, duhet të vendosë bazat për rimëkëmbjen ekonomike dhe më pas përshpejtimin e rritjes ekonomike. Njëkohësisht, Propozim buxheti i vitit 2023 është në përputhje me përcaktimin tonë për konsolidim fiskal, në drejtim të sigurimit të qëndrueshmërisë fiskale. Gjithashtu, ky propozim siguron mjete për financimin e pandërprerë të integrimeve euroatlantike.

Prioritet për vitin e ardhshëm është tejkalimi i sfidave të vitit 2023. Prandaj, kemi ndarë mjete në vlerë prej 250 milionë eurove për përkrahjen e tejkalimit të krizës. Por, kemi gjithashtu nivel të lartë të mjeteve për shpenzime kapitale për ta përkrahur aktivitetin ekonomik pavarësisht ngadalësimit të ekonomisë globale.

Në periudhë afatmesme, nëpërmjet reformave dhe masave strukturore, përkatësisht nëpërmjet rihartimit të strukturës së financave publike me rritje të pjesëmarrjes së shpenzimeve kapitale, investimeve në konkurrencë, dixhitalizimit, përkrahjes së sektorit privat dhe përmirësimit të klimës së investimeve, do të veprohet drejt nxitjes së aktivitetit ekonomik dhe përshpejtimit të rritjes ekonomike. Pjesë e kësaj axhende janë edhe krijimi i fondeve zhvillimore, fondeve për përkrahjen e inovacionit, fondeve garantuese, fondeve ekvite, fondeve të kapitalit sipërmarrës (venture) dhe instrumenteve të ngjashme për t’i përkrahur kompanitë eksportuese, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe ndërmarrjet sociale. Gjithashtu, janë planifikuar partneritete publike dhe private, koncesione dhe instrumente të tjera për financimin e projekteve publike – kapitale, si dhe projekteve të sektorit privat.

Duhet të sigurohet qëndrueshmëria fiskale. Kjo është arsyeja se pse vazhdojmë të jemi të përcaktuar fuqishëm ndaj konsolidimit gradual fiskal, i cili nuk do të jetë në dëm të rritjes ekonomike. Që nga fillimi i krizës dhe në vijim, e kemi ulur gradualisht deficitin buxhetor dhe pikësynimi ynë është që në periudhë afatmesme të ulet nën 3%, resprektivisht nën kriterin e Mastrihtit. Konsolidimi fiskal i planifikuar përfshin përmirësimin e arkëtimit të të hyrave të buxhetit, nëpërmjet masave për uljen e ekonomisë gri dhe masave për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, më tej, uljen dhe ristrukturimin e shpenzimeve të buxhetit, nëpërmjet reduktimit të kostove joprioritare dhe jothelbësore dhe rishikimit të metodologjive për transfertat dhe subvencionet si dhe ndryshimet në burimet e financimit të deficitit buxhetor, respektivisht diversifikimit më të madh të tyre.

 

Më shumë detaje mbi bilancin e të hyrave dhe shpenzimeve

Të hyrat e përgjithshme të Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2023 janë planifikuar në nivel prej 282 miliardë denarëve dhe janë 14.8% më të larta se viti 2022, ndërsa shpenzimet janë planifikuar në nivel prej 324.8 miliardë denarë ose për 12.6% më të larta se viti 2022, respektivisht kjo tregon se vazhdojmë me përcaktimin për konsolidim gradual fiskal. Kështu, të hyrat dhe shpenzimet e planifikuara rezultojnë me deficit buxhetor në nivel prej 4.6% të PBB-së së planifikuar, përkatësisht për 0.7 pikë përqindje më të ulët krahasuar me këtë vit.

 

Projeksionet lidhur me të hyrat e Buxhetit për vitin 2023 bazohen në realizimin e të hyrave gjatë vitit aktual 2022, pritshmëritë për rritje ekonomike dhe përmirësimin e efikasitetit dhe efektivitetit të sistemit të arkëtimit të të hyrave publike. Për realizimin e projeksioneve të të hyrave, planifikohen masa dhe aktivitete sa i përket: përmirësimit të rregullativës aktuale tatimore, uljes së evazionit tatimor, vendosjes së teknologjive të avancuara; modernizimit dhe automatizimit të proceseve të punës, përforcimit të kapaciteteve të institucioneve për grumbullimin e të hyrave, rritjes së arkëtimit më efikas të të hyrave tatimore, si dhe përforcimit të koordinimit institucional.

 

Sa i përket shpenzimeve, shpenzimet rrjedhëse për vitin 2023 planifikohen që të jenë në vlerë prej 275.9 miliardë denarëve dhe ato destinohen për pagesën e rregullt të pagave të të punësuarve në sektorin publik, pagesën e rregullt dhe në kohë të pensioneve, të të ardhurave të garantuara minimale dhe kompensimeve të tjera sociale, pagesën e subvencioneve në sektorin e bujqësisë, përkrahjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përkrahjen dhe subvencionimin e aktiviteteve inovative, si dhe përkrahjen e sektorit energjetik.

Shpenzimet për pagesën e pagave janë projektuar sipas zgjidhjeve ekzistuese ligjore dhe janë në vlerë prej 34.9 miliardë denarë. Në krahasim me vitin aktual, shuma është më e lartë për 1.6 miliardë denarë, por kjo është në drejtim të harmonizimit me pagën minimale gjatë vitit të ardhshëm, sipas metodologjisë së re. Përndryshe, vazhdojmë me përcaktimin për optimizimin e të punësuarve në sektorin publik.

Transferet rrjedhëse dhe subvencionet janë planifikuar në nivel prej 204.5 miliardë denarë, gjegjësisht për 7.8% më shumë ose rreth 14.7 miliardë denarë shpenzime më të larta krahasuar me vitin 2022.

 

Në kuadër të transfertave sociale janë planifikuar 75 miliardë denarë për pagesën e pensioneve, respektivisht rreth 10% më shumë krahasuar me këtë vit, me qëllim të sigurimit të mjeteve për harmonizimin e pensioneve me rritjen e pagës mesatare dhe kostove të jetesës, sipas sistemit 50%-50%. Këtu parashihen edhe 12.5 miliardë denarë për pagesën e kompensimeve për mbrojtje sociale të shtresave më të ndjeshme të popullatës. Gjithashtu, janë planifikuar 1.5 miliardë denarë për pagesën e kompensimit financiar në rast të papunësisë dhe për masa aktive të punësimit.

Për mbrojtjen shëndetësore janë planifikuar 3.9 miliardë denarë mjete shtesë krahasuar me vitin 2022, në vlerë prej 42.1 miliardë denarëve, me qëllim të financimit të shërbimeve shëndetësore, por edhe pagesës së detyrimeve ndaj institucioneve publike shëndetësore.

Parashihen edhe subvencione për ballafaqimin me situatën e krizës për furnizimin me energjensat e domosdoshëm dhe stimulimin e prodhimit vendas të energjisë elektrike. Gjithashtu, parashihen subvencione për përkrahjen e sektorit të bujqësisë, me qëllim të rritjes së prodhimit bimor dhe shtazor në vend, dhe stimulimit të rendimenteve. Parashihen mjete edhe për subvencione në sektorin privat, të destinuara për përkrahjen e ndërmarrjeve të vogla dhe  mesme, rritjen e konkurrencës, veprimtarinë inovative, zhvillimin dhe kërkimin teknologjik, investimet e reja, përkrahjen e eksportit dhe pushtimin drejt tregjeve të reja, përkrahjen e krijimit të vendeve të reja të punës etj.

Me buxhetin e ri, po rrisim edhe transfertat në Njësitë e Vetëqeverisjes Lokale, në përputhje me reformën e filluar në decentralizim fiskal. Respektivisht, përqindja e të hyrave të TVSH-së që i ndahet komununave është rritur nga 4.5% në 5.5%. Rritja e përqindjes së TVSH-së për çdo komunë pritet të shpërndahet në dy fonde të reja – Fondi i performancës dhe Fondi i barazimit. Mjete shtesë janë siguruar edhe për bllok grante dhe grante të destinuara për komunat lidhur me financimin dhe rritjen e pagave për 15% në arsimin fillor dhe të mesëm në nivel lokal dhe 15% për mësuesit dhe edukatoret e kopshteve.

 

Rregulli i artë: investime më të larta se deficiti buxhetor

 

Ajo që është veçanërisht domethënëse dhe që me të drejtë i jep këtij buxheti epitetin zhvillimor është se Buxheti i vitit 2023 bazohet në “rregullin e artë” në financa publike. Rregulli i artë është – shpenzimet kapitale duhet të jenë më të larta se deficiti buxhetor, përkatësisht huazohet vetëm për projekte kapitale që do t’i japin vlerë të shtuar ekonomisë, do ta përshpejtojnë rritjen dhe do të kontribuojnë për përmirësimin e jetesës së qytetarëve tanë.

Me këtë buxhet planifikojmë shpenzime kapitale në nivel prej 48.9 miliardë denarë (791 milionë euro), ose rreth 52.3% më të larta se projeksioni për vitin 2022. Planifikohet intensifikimi i projekteve infrastrukturore, gjegjësisht për investime në infrastrukturë rrugore dhe hekurudhore, infrastrukturë energjetike dhe komunale, si dhe investime kapitale për përmirësimin e kushteve në sistemin shëndetësor, arsimor dhe në sistemin social, bujqësi, kulturë, sport, mbrojtje të mjedisit jetësor dhe gjyqësor. Në interes të hapësirës dhe lexueshmërisë, do të përmend vetëm disa nga projektet e përfshira në këtë shumë.

Investime të rëndësishme janë planifikuar në fushën e infrastrukturës rrugore. Këtu përfshihet zgjerimi i autostradës Tetovë-Gostivar, ndërtimi i autostradës së re Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë, ndërtimi i pjesës Gostivar-Bukojçan dhe pjesës Prilep-Manastir. Gjithashtu, Ndërmarrja Publike e Rrugëve Shtetërore do të përgatisë studim fizibiliteti për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren. Do të vazhdojë edhe ndërtimi i pjesës lindore të Korridorit rrugor 8 nëpërmjet pjesës Rankovcë-Kriva Pallankë, pjesës Kriva Pallankë deri në kufirin me Bullgarinë, si dhe ndërtimi i pjesës perëndimore të Korridorit rrugor 8, ndërtimi i autostradës Kërçovë-Bukojçan dhe Kërçovë-Ohër. Ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë do të financohet me hua nga BERZH-i.

Në vitin 2023 planifikohet që të përfundojë rikonstruimi i linjës hekurudhore të Korridorit 10, si dhe parashihen mjete për vazhdimin e realizimit të fazës së parë dhe të dytë të projektit për ndërtimin dhe rehabilitimin e pjesës lindore të linjës hekurudhore – Korridori 8 – pjesa Kumanovë – Beljakovcë-Kriva Pallankë. Në periudhë afatmesme është konfirmuar financimi i linjës hekurudhore Kërçovë-Lin (Shqipëri) nga BERZH dhe BEI.

Edhe nga aspekti i mjedisit jetësor ka një numër të madh të projekteve kapitale. Vazhdon edhe Projekti për përkrahjen e përmirësimit të shërbimeve komunale, me të cilin financohen projekte kapitale në komuna. Do të vazhdojë edhe projekti për efikasitet energjetik në sektorin publik, me të cilin do të financohen projekte energjetike në komuna.

Për sektorin shëndetësor janë planifikuar investime për ndërtimin dhe rikonstruimin e institucioneve shëndetësore publike, prokurimin me pajisje mjekësore.

Për arsimin, mbrojtjen e fëmijëve dhe sportin janë planifikuar investime kapitale, të cilat janë destinuar për ndërtimin dhe rikonstruimin e shkollave fillore dhe të mesme, kopshteve të fëmijëve, ndërtimin e shkollave dhe sallave sportive, rikonstruimin e konvikteve të nxënësve, prokurimin me pajisje dhe rikonstruimin e universiteteve dhe investime në infrastrukturën e sportit. Do të vazhdojë realizimi i Projektit për rikonstruimin e konvikteve të nxënësve dhe do të vazhdojë edhe realizimi i Projektit për ndërtimin e sallave të fizkulturës në shkollat ​​fillore dhe rehabilitimin e shkollave fillore dhe të mesme.

Me qëllim të përmirësimit të qasjes në të drejtat dhe shërbimet sociale, si dhe zgjerimit të kapaciteteve për përkujdes dhe edukim parashkollor nëpërmjet ndërtimit të objekteve të reja dhe ridistinimit të atyreve ekzistuese në institucione parashkollore, në vitin 2023 vazhdon realizimi i Projektit për avancimin e shërbimeve sociale.

Parashihen investime të konsiderueshme kapitale, të cilat destinohen për zhvillimin rural, ndërtimin e hidrosistemeve dhe investimet për përmirësimin e konkurrencës dhe modernizimin e ekonomive bujqësore.

 

Financimi i deficitit dhe i borxheve të vjetra nëpërmjet burimeve më të favorshme dhe shlyerja e parakohshme e borxhit

 

Sa i përket financimit të buxhetit, respektivisht deficitit të parashikuar dhe shlyerjes së borxhit në vlerë prej 52.1 miliardë denarë, në bazë të detyrimeve të maturuara të vjetra, ku pothuajse gjysma është për euroobligacionin e vitit 2016, respektivisht financimi i borxhit do të bëhet nga burimet vendase dhe të jashtme.

 

Huamarrja e brendshme do të realizohet nëpërmjet letrave shtetërore me vlerë ose huasë së brendshme, ndërsa jashtë vendit nëpërmjet emetimit të letrave me vlerë të borxhit në tregun ndërkombëtar të kapitalit, tërheqjes së transhesë nga Linja kreditore për përkujdesje dhe likuiditet nga FMN-ja dhe mjetet të favorshme nga institucionet financiare të huaja dhe linjat kreditore të destinuara për financimin e projekteve të caktuara dhe deficitit buxhetor. Përzgjedhja e burimit të financimit do të bazohet në kushtet e favorshme aktuale të tregjeve ndërkombëtare të kapitalit. Që të menaxhohet në mënyrë prudente me financat publike, Ministria e Financave do ta shqyrtojë mundësinë e menaxhimit aktiv të portofolit të borxhit përmes operacioneve të shlyerjes së parakohshme të borxhit.

Me qëllim të përmirësimit të vazhdueshëm të tregut financiar të letrave shtetërore me vlerë dhe ndjekjes së praktikës botërore, Ministria e Financave punon në diversifikimin e burimeve të financimit dhe vendosjen e llojeve të reja të instrumenteve financiare që do të kenë zbatim të ndryshëm. Të tilla janë, për shembull, fletobligacionet zhvillimore – që do të nxisin financimin e projekteve zhvillimore në vend, fletobligacionet e gjelbra – për nxitjen dhe përkrahjen e projekteve për përmirësimin dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe janë destinuar në mënyrë specifike për financimin e projekteve ekologjike,  fletobligacionet projektuese – që do të paraqesin mënyrë alternative të financimit të projekteve që i referohen infrastrukturës si dhe fletobligacionet zhvillimore për qytetarët – me qëllim të mobilizimit të kapitalit, që është në formën e kursimeve të parave të gatshme tek qytetarët dhe mundësinë e investimit në këto letra shtetërore me vlerë nga diaspora.

 

Rezultatet e pritshme

Së fundi, shkurtimisht për rezultatet e pritshme të këtyre politikave. Korniza e ripërcaktuar buxhetore do të sigurojë reagim fiskal adekuat dhe në kohë ndaj përkeqësimit të kontekstit makroekonomik global dhe pozicionit të qëndrueshëm të financave publike në kushtet e rritjes së pasigurisë. Përkrahja buxhetore për zbutjen e goditjeve të çmimeve dhe subvencionimin e sistemit të energjisë elektrike janë në drejtim të ruajtjes së standardit të jetesës së qytetarëve dhe likuiditetit të kompanive. Realizimi i shpenzimeve kapitale dhe projekteve infrastrukturore në fushat prioritare, në përputhje me politikat qeveritare, do të gjenerojnë efekte pozitive muiltiplikative në rritjen ekonomike, në periudhë afatmesme dhe do ta përshpejtojë konvergjencën reale ekonomike drejt ekonomive evropiane.

Marketing