Bytyqi: Janë realizuar 70% e projekteve të nisura nga programi TAV

Me shumë kënaqësi mund të konstatoj se kemi realizuar 70% të projekteve të filluara nga programi TAV, tha zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, pas takimit me drejtorin e përgjithshëm të TAV Metin Batak dhe përfaqësues nga TAV dhe TAV Construction.

Marketing

Pas takimit në të cilin u diskutua për realizimin e projekteve në komunat në mbarë vendin, zëvendëskryeministri Bytyqi deklaroi se gjërat po ecin sipas dinamikës së paraparë.

“Me shumë kënaqësi mund të konstatoj se kemi realizuar 70% të projekteve të filluara nga programi TAV dhe se realizimi i këtyre projekteve të rëndësishme po zhvillohet me sukses sipas dinamikës së paraparë. Deri më tani janë përfunduar 56 projekte, në 56 komuna në të gjithë vendin dhe aktualisht po punohet për 25 projekte. Vetëm nga shqyrtimi i fundit, të cilin e kemi bërë 6 muaj më parë, kemi realizuar edhe 20 projekte shtesë”, tha Bytyqi.

Zëvendëskryeministri njoftoj se përmes programit TAV po ndërtohen ujësjellës, kanalizime, salla sporti, rrugë dhe rrugica, kopshte, shtëpi për të moshuarit, qendra rinore, projekte infrastrukturore të rëndësishme për qytetarët që jetojnë në këto komuna.

Drejtori i TAV, Metin Batak, u shpreh i kënaqur me faktin se përmes financimit të këtyre projekteve infrastrukturore së bashku me Qeverinë dhe pushtetin lokal, shtohen vlera më të larta në dobi të qytetarëve.

“Shuma totale e investimeve të TAV për projekte qeveritare është 49,7 milionë euro. Realizimi po bëhet sipas dinamikës së paraparë. Për momentin kemi 56 projekte të përfunduara. Ne punojmë në vazhdimësi me Qeverinë dhe komunat për të arritur qëllimet dhe për të kontribuar në zhvillimin e infrastrukturës lokale në Maqedoninë e Veriut”, tha Batak.

Marketing