Bytyqi: Konkurrueshmëria dhe inovacioni krijojnë potenciale të reja për rritje ekonomike

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, mbajti fjalim në panel diskutimi në forumin dypalëah të organizatave think-tank nga Maqedonia e Veriut dhe Spanja me temën “Të menduarit dhe të punuarit së bashku”, organizuar nga Instituti i Prespës.

Marketing

Zëvendëskryeministri Bytyqi nënvizoi se vendi ka hyrë në një periudhë rimëkëmbjeje ekonomike pas pandemisë, por rreziqet dhe pasiguritë janë ende aty, në lidhje me zinxhirët e shpërndarjes, lëvizjet e çmimeve, shqetësimet financiare, pasigurinë energjetike dhe tensionet gjeopolitike.

“Këto variacione ndaj të cilave ekspozohen ekonomitë kombëtare, paraqesin një sfidë për të rinjtë që duan, të cilët kanë dëshirën për të ofruar një përgjigje, për t’i bazuar shkathtësitë e tyre drejtuese në konkurrueshmëri dhe inovacion”, tha Bytyqi.

Për zëvendëskryeministrin këto cilësi bëhen edhe më të rëndësishme, nëse artikulojmë edhe proceset e digjitalizimit të aktiviteteve ekonomike.

“Të rinjtë që aspirojnë të bëhen liderë duhet të zhvillojnë shkathtësi digjitale që do t’u mundësojnë atyre të integrojnë dhe udhëheqin sisteme që përpunojnë dhe analizojnë sasi të mëdha të dhënash, në të cilat janë integruar robotët dhe inteligjenca artificiale, procese që përfshijnë teknologjitë cloud (re), sigurinë kibernetike etj. Kjo është vetëm një pjesë e vogël e mozaikut të quajtur konfiguracioni ekonomik global, në të cilin lidershipi duhet të njihet dhe të integrohet për të çliruar potenciale të reja për rritje”, nënvizoi Bytyqi.

Zëvendëskryeministri Bytyqi theksoi se ndryshimet klimatike janë një tjetër faktor që duhet të integrohet në vizionin për rritje të qëndrueshme ekonomike.

“Prandaj ekonomia e gjelbër ose kalimi nga burimet fosile në burimet e rinovueshme të energjisë me emetim të ulët ose zero të karbonit duhet të njihet si një mundësi reale për realizimin e ideve ekonomike që do të japin rezultate pozitive. Sipas të dhënave të Agjencisë Ndërkombëtare për Burimet e Rinovueshme të Energjisë, vitin e kaluar 83 për qind e totalit të investimeve në prodhimin e energjisë elektrike janë drejtuar në burime të rinovueshme të energjisë. Ky “sektor i gjelbër” i ekonomisë vitin e kaluar kishte 12,7 milionë vende pune, me një projeksion në vitin 2030 që numri i të punësuarve të jetë 38 milionë. Këto janë pjesë e mundësive të reja ekonomike për qytetarët e krijuar nga tranzicioni i gjelbër, të cilat liderët duhet të njohin dhe ofrojnë”, tha Bytyqi.

Zëvendëskryeministri Bytyqi theksoi se garantimi i sigurisë energjetike është i një rëndësie kyçe për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë ekonomike.

“Diversifikimi i burimeve të energjisë, reduktimi i varësisë nga lëndët djegëse fosile dhe investimi në infrastrukturën e energjisë së rinovueshme mund të rrisë sigurinë e energjisë duke kontribuar në qëndrueshmërinë e ekosistemit. Ky tranzicion energjetik nënkupton sigurimin e një furnizimi të qëndrueshëm me energji për bizneset dhe familjet”, tha Bytyqi.

Në panel përveç zëvendëskryeministrit Bytyqi, morën pjesë edhe Dr. Pol Bargues, studiues i lartë nga Qendra për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Barcelonë, Dr. Maria Risteska, drejtore ekzekutive në Qendrën për Kërkim dhe Politikëbërje, Dr. Blagica Petreska, drejtore ekzekutive në “Finance Think”, Filip Kulakov, menaxher programi në Këshillin Kombëtar Rinor të Maqedonisë së Veriut, ndërsa manifestimi u moderua nga prof. Dr. Dragan Tevdovski, bashkëpunëtor i lartë hulumtues, Instituti i Prespës.

Marketing