Funksionimi i kompanisë Laktalis nga Manastiri është treguesi i vërtetë i suksesit të Planit të Rritjes Ekonomike të përcaktuar në vitin 2017, përmes të cilit Qeveria është në rrugën e duhur për të siguruar rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit tonë, tha zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, gjatë vizitës në kompaninë Laktalis në Manastir, e cila përpunon qumështin dhe prodhon djathëra.
Në deklaratën e tij pas vizitës në kapacitetet prodhuese të kompanisë, zëvendëskryeministri Bytyqi informoi se Laktalis me sukses e përfundoi ciklin e parë investues për vitin 2018-2019, për të cilin përmes Ligjit për Mbështetje Financiare të Investimeve janë paguar mbi një milion denarë për mbështetjen e rritjes së investimeve kapitale dhe të ardhurave, si dhe konkurrueshmëri në treg.
“Ajo që më gëzon veçanërisht si zëvendëskryeministër është fakti që inkurajuam Laktalisin të hyjë në një cikël të ri investimi, gjë që e bëri në vitin 2020, për çka nënshkruam një marrëveshje me kohëzgjatje deri në fund të vitit 2024. Për masat mbështetëse për rritjen e investimeve kapitale dhe të hyrave dhe konkurrueshmërisë në treg, vetëm për dy vitet e para, Qeveria i ka paguar Laktalisit mbi 12 milionë e 500 mijë denarë”, tha Bytyqi.
Zëvendëskryeministri Bytyqi shtoi se qëllimi i Planit për rritje ekonomike për të mbështetur kompanitë është partneriteti me kompani si Laktalis për të investuar, zhvilluar dhe hapur vende të reja pune për qytetarët tanë.
“Vetëm në rajonin e Pellagonisë kemi paguar mbi 506 milionë denarë për 77 kompani për periudhën 2018-2022, duke kontribuar kështu në zhvillim të balancuar. Vitin e kaluar janë nënshkruar mbi 270 kontrata mbështetëse me kompani në mbarë vendin, të cilat kanë hyrë në cikle investimi prej rreth 145 milionë euro dhe do të krijojnë mbi 3700 vende pune në pesë vitet e ardhshme ose deri në përfundimin e kontratave të tyre”, tha Bytyqi.
Menaxherja e resurseve njerëzore në Laktalis, Vesna Korunoska, theksoi se falë mbështetjes së Qeverisë, kompania ka mundur të realizojë planet e saj për rritjen e prodhimit dhe eksportit, për këtë arsye është arritur rritje e fitimit.
“Kemi pasur investime të mëdha si në fushën e prodhimit ashtu edhe në atë të blerjes së qumështit, kemi punuar për të rritur dhe përmirësuar kushtet për blerjen e qumështit nga kooperativat tona, kemi punuar për përmirësimin e kushteve tona të prodhimit, të cilat u mundësoi atyre jo vetëm rritjen e volumit të prodhimit dhe cilësinë dhe sigurinë më të mirë të produkteve tona, por edhe kushte më të mira pune për punonjësit tanë. E gjithë kjo nuk do të ishte e mundur nëse Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk do ta kishte mbështetur ciklin e investimeve në Laktalis”, tha Korunoska.