Bytyqi në Samitin e Sipërmarrësisë së Grave: Mbyllja e hendekut gjinor është me rëndësi për rritjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë

Mbyllja e hendekut gjinor është me rëndësi për rritjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë, sepse vetëm atëherë do të shfrytëzohet potenciali i plotë për nxitjen e një fuqie punëtore më të lloj-lloshme dhe të kualifikuar, tha zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi.

Marketing

Zëvendëskryeministri Bytyqi mbajti fjalimin e tij në Samitin e Tretë Vjetor të Platformës Kombëtare për Sipërmarrësinë e Grave me temën “Gratë në Sipërmarrësi – Çelësi për Forcimin e Ekonomisë”, organizuar nga Shoqata e Grave Afariste në partneritet me Fondacionin për Menaxhment dhe Hulumtim Industrial dhe Lidhja e i Odave Ekonomike të Maqedonisë.

Në fjalimin e tij, zëvendëskryeministri Bytyqi tha se biznesi dhe ekonomia kanë nevojë për kualitetet e grave, mendimet e tyre të ndritura, shpirtin optimist, temperamentin dhe vullnetin, qëndrueshmërinë për drejtësi dhe oreksin për zhvillim që gratë e sjellin me vete.

“Mbështetja dhe promovimi i grave në biznes jo vetëm që kontribuon në uljen e pabarazisë gjinore, por gjithashtu do të përmirësojë produktivitetin dhe konkurrueshmërinë e përgjithshme të ekonomisë”. “Bizneset e drejtuara dhe të themeluara nga gratë i japin përparësi përgjegjësisë sociale, mirëqenies së punonjësve, praktikave të qëndrueshme, me ndikim pozitiv në zhvillimin e kulturës së përgjithshme korporative”, tha Bytyqi.

Zëvendëskryeministri Bytyqi theksoi se në vitet e fundit Qeveria ka bërë shumë për sipërmarrësinë e grave dhe shtoi se të gjithë së bashku duhet të vazhdojmë të bëjmë edhe më shumë.

“Politikat e ndjeshme gjinore nuk duhet të shihen si një çështje ekskluziviteti dhe këtu fokusi duhet të jetë në potencialin e pashfrytëzuar të grave. Ndërsa ne po përpiqemi të arrijmë një treg më të madh të punës, në vendin tonë pothuajse gjysma e grave janë ende jashtë tregut të punës. E di që ndoshta dikush do të përpiqet t’i shtrembërojë fjalët e mia sot në portale dhe media, por ato duhet thënë, sepse janë realiteti ynë i përbashkët, nga i cili varet e ardhmja jonë e përbashkët”, tha Bytyqi dhe shprehu shpresë të madhe për sipërmarrësinë e grave, që nuk bazohet në optimizëm të pambështetur, por në atë që dëshmon dhe sheh, që është pasioni dhe qëndrueshmëria, këmbëngulja dhe përkushtimi, profesionalizmi dhe kujdesi që krijojnë kushte për zhvillim.

“Mbyllja e hendekut gjinor është me rëndësi për rritjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë, sepse vetëm atëherë do të shfrytëzohet potenciali i plotë për nxitjen e një fuqie punëtore më të lloj-lloshme dhe të kualifikuar. Ky përfshirje jo vetëm që promovon drejtësinë sociale, por gjithashtu përmirëson efikasitetin ekonomik dhe inovacionin. Rritja e pjesëmarrjes së grave në fuqinë punëtore kontribuon në produktivitet më të lartë dhe rrit konkurrueshmërinë e ekonomisë. Arritja e barazisë gjinore në aktivitetet ekonomike nuk është vetëm një çështje drejtësie, por është një imperativ strategjik për qëndrueshmëri dhe prosperitet më të madh ekonomik. Sipërmarrësia e grave mbulohet në mënyrë strategjike nga Strategjia Kombëtare për Zhvillim, me të cilën po ndërtojmë një vizion njëzetvjeçar për prosperitetin e shoqërisë dhe në të cilin synojmë të krijojmë një mjedis sistematik për mundësi të barabarta për burrat dhe gratë për zhvillim profesional dhe çlirim i të gjithë potencialit sipërmarrës”, tha zëvendëskryeministri Bytyqi.

Zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, iu referua edhe buxhetit për vitin 2024, i cili në kuadër të shpenzimeve ekzistuese parasheh mbështetje financiare për sektorin privat, edhe në fushën e avancimit të sipërmarrësisë së grave.

“Këto fonde synojnë të forcojnë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, duke inkurajuar konkurrueshmërinë, inovacionin, zhvillimin teknologjik dhe kërkimin. Një fokus shtesë brenda këtij buxheti është në politikat buxhetore të përgjegjshme ndaj gjinive. Vëmendje e veçantë i kushtohet mbështetjes financiare të përshtatur për sipërmarrësinë e grave. Këtu më duhet të shtoj edhe një gjë, që është se duhet ta kthejmë fokusin nga forma në përmbajtje dhe të fillojmë të shikojmë se çfarë biznesesh hapin gratë, për çfarë biznesesh inkurajohen dhe mbështeten. Për të cilat na duhen edhe të dhëna të ndjeshme gjinore me të cilat do të kemi një pasqyrë të qartë të zhvillimit që po inkurajojmë”, përfundoi Bytyqi.