Bytyqi nga Buteli: Rezultati është zero-zero dhe më 8 maj për fituesin do të vendosim bashkë

“Rezultati është zero-zero, ende nuk ka fitues apo humbës. Beteja jonë për Maqedoninë Evropiane nuk ka përfunduar. Vendi ynë është një vend i vogël, por kontributi më 8 maj është i madh”, tha në takimin e sotëm Fatmir Bytyqi, nënkryetar i LSDM-së dhe bashkëbartës i listës së kandidatëve për deputetë nga Njësia Zgjedhore Nr. 2, nga “Koalicioni për Ardhmëri Evropiane” në takimin me banorët e komunës së Butelit në Shkup.

Marketing

Ai tha se rruga në të cilën VMRO-DPMNE-ja dëshiron ta udhëheqë vendin është e rrezikshme, e ajo është rruga që çon në izolim, drejt skenarit hungarez, drejt nacionalizmave përçarës.

“LSDM-ja refuzon të ecë në këtë drejtim. Ne kemi program dhe vizion për një shtet evropian në të cilin sundon dialogu, gjithëpërfshirja, miqësia e ndërsjellë dhe drejtësia sociale”, tha Bytyqi.

Ai, qytetarëve, ua kujtoi datën e 27 prillit, shtatë vite më parë, kur me përkrahjen e VMRO-DPMNE-së ndodhi hyrja në Kuvend dhe tentimi për prishjen e rendit kushtetues.

“Liria që fituam pas 27 prillit të përgjakshëm, shtatë vite më parë, nuk është luks, është një mundësi që na dha forcë për të ecur përpara, për t’u bërë anëtarë të plotë të NATO-s, për të hapur portat e Bashkimit Evropian. Tani nuk duhet ta lëmë që ajo liri të vidhet në 8 maj, të rrëmbehet nga vorbulla e nacionalizmit dhe e përçarjes. Duhet të vazhdojmë ta ruajmë këtë dhuratë të çmuar që e kemi marrë në luftën kundër regjimit të VMRO-DPMNE-së, sepse është themeli mbi të cilin ndërtohet një shoqëri e drejtë”, tha Bytyqi.

Marketing