Ballina Aktuale Çair, votohet zgjerimi i rrugës “Cvetan Dimov”(VIDEO)

Çair, votohet zgjerimi i rrugës “Cvetan Dimov”(VIDEO)

Në mbledhjen e sotme të jashtëzakonshme të Këshillit të Komunës së Çairit, të gjithë këshilltarët, gjegjësisht 27 votuan “për” miratimin e vendimit për bashkëpunim ndërkomunal mes Qytetit të Shkupit dhe Komunës së Çairit për ndërtimin e rrugës “Cvetan Dimov”. Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, tha se punimet pritet të fillojnë për 2-3 muaj dhe premtoi se me këtë projekt rrëmuja në “Cvetan Dimov” do të jetë e kaluar, ndërkaq këshilltarët nga opozita dhanë përkrahje dhe kërkuan që të mos ketë zvarritje në realizimin e projektit, raporton Portalb.mk.

Marketing

“Me këtë projekt parashikohet një zgjidhje moderne e arteries kryesore që në të ardhmen do të ketë gjashtë korsi, nga tre në secilin drejtim, trotuare, shtigje për biçikleta, gjelbërim dhe ndriçim të ri përgjatë gjithë trasesë. Është e vështirë në ditët e sotme të kalohet përmes rrugës “Cvetan Dimov”, por ja që kjo pasqyrë e një rrëmuje të vërtetë të përditshëm, shumë shpejtë do t’i kalojë të shkuarës. Jemi të vetëdijshëm se për t’u realizuar kjo rrugë, do të nevojitet mënjanimi i disa objekteve përreth, por të gjithë një për një do të shpronësohen dhe do të marrin atë që u takon në bazë të ligjeve ekzistuese”, tha Ganiu.

Ai shtoi se fillimet e punimeve do të nisin ndoshta për dy muaj ose dy muaj e gjysmë. “Në lidhje me murin, e pajtohem se për sy nuk është e bukur, por ne në atë moment kemi shikuar që ta bëjmë rrugën më funksionale. Para asaj dhe tash, nuk them se është shumë më mirë, por ka përmirësime në atë drejtim. Modelin e kemi marrë nga shtetet tjera, unë personalisht e kam parë në Munih. Dhe kjo ka qenë përkohësisht. Efekti i këtij muri është shumë i madh. Nuk them se ka qenë zgjidhja më e mirë. Sipas të dhënave nga policia, ka pasur mesatarisht në javë nga 3 goditje [të veturave] ndaj njerëzve, për ndeshje të mos flasim, ndërkaq prej kur e kemi vendosur murin, e kemi vetëm një shkelje të një persona në viza të bardha. Nëse shkel dikush në zebra, duhet me e marrë me mend se çfarë papërgjegjësie është prej shoferit. Efekti është asnjë shkelje, asnjë aksident. Për ne kanë qenë fëmijët prioritet, për atë e kemi vendosur atë mur. Aty gravitojnë çerdhe, shkolla fillore dhe kjo është vendosur më tepër për sigurinë e fëmijëve”, tha Ganiu.

Ai paralajmëroi se në ditët në vijim do të ketë konferencë për shtyp bashkë me kryetaren e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, në të cilën do të shpjegohen të gjitha detajet e projektit.

Seancën e plotë mund ta ndiqni më poshtë: https://fb.watch/kZGlSwAaGw/?mibextid=Nif5oz

Exit mobile version