Çairi dhe Belica thellojnë bashkëpunimin, Visar Ganiu mirëpriti homologun bullgar Radoslav Revanski

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu ka mirëpritur sot kryetarin e Komunës së Belicës, të Bullgarisë, Radoslav Revanski, bashkë me eurodeputetin bullgar Ilhan Kyçyk.

Marketing

Ganiu me këtë rast ka deklaruar se sot me homologun bullgar ka hapur një kapitull të ri të bashkëpunimit, që synon të ecë vetëm në një rrugë, atë të Bashkimit Evropian.

“Kisha kënaqësinë të mirëpres kryetarin e Belicës, Radoslav Revanski. Ndërsa, me ndihmën e mikut tonë, eurodeputetit bullgar Ilhan Kyçyk, lirisht mund të them se hapëm një kapitull të rëndësishëm të bashkëpunimit midis dy komunave tona, në drejtim të përmirësimit të mirëqenies së bashkëqytetarëve tanë”, ka thënë Ganiu.

Dy kryetarët, i Çairit dhe i Belicës, gjithashtu u zotuan se këto dy komuna shumë shpejt edhe do të binjakëzohen.

“Në këtë mënyrë do të participojmë bashkë në projekte të ndryshme zhvillimore evropiane dhe të jemi shembull i një kooperimi të shëndosh si dy institucione vendore nga të dyja anët e kufirit, Maqedonia e Veriut- Bullgari”, ka thënë më tej Ganiu. Ai ka shtuar gjithashtu se prezantimi i përbashkët i Çairit dhe Belicës para Parlamentit Evropian dhe me mbështetjen e eurodeputetit Kyçyk, shpresojnë të jetë hapi i ardhshëm.