Çairi, “Stambolli” i Maqedonisë së Veriut

Vetëm zgjerimi i kufijve dhe kujdesi më i madh me planin urbanistik mund të shpëtojë Komunën e Çairit nga mbipopullimi i tepruar, thonë banorët, duke folur për dendësinë e madhe të popullatës në komunën e tyre. Çairi aktualisht ka dendësinë më të madhe të popullatës jo vetëm në Maqedoninë e Veriut dhe Ballkan, por edhe në Evropë, shkruan gazeta KOHA. Në një kilometër katrorë jetojnë 18.401 banorë. Po të krahasohet me komunat tjera të Shkupit, Çairi ka numër shumë më të madh të banorëve që banojnë në një sipërfaqe prej 3.52 kilometra katrorë.

Marketing

Nga ana tjetër, sipas të dhënave zyrtare, Komuna e Butelit, Gazi Babës dhe Gjorçe Petrovit kanë nga 650 banorë në një kilometër katror, kurse Çairi ka 30 herë më shumë banorë në një kilometër katrorë, apo tre herë më shumë se sa Komuna Qendër që ka 6039 banorë një kilometër katrorë. Gjithashtu, edhe Komuna e Aerodromit – që llogaritet si komuna më madhe në Shkup me territor, ka gjashtë herë më pak banorë në një kilometër katror, edhe atë 3296 banorë. Ndërsa, komunat tjera si Karposhi dhe Kisella Voda kanë nga 1672 banorë në një kilometër katrorë, që është tetë herë më pak se Komuna e Çairit.

Komuna që ka më pak banorë në një kilometër katrorë është ajo e Sarajit dhe atë me 155 banorë në një kilometër. Krahasuar me komunat e tjera në Maqedoni, Komuna e Çairit mbetet shumë më larg sa i përket mbipopullim. Për dallim nga Çairi, në Komunën e Berovës në një kilometër katrorë jetojnë 24 banorë, në Dibër në një kilometër katrorë jetojnë 134 banorë, në Gostivar 134 banorë në një kilometër katrorë dhe Ohër 142 banorë në një kilometër katrorë.

Sipas analizave të projektuara, rritja e popullsisë më së shumti mund të jetë për shkak të lëvizjes prej fshatit në qytet. Kjo, gjithashtu ka shkaktuar një katastrofë të madhe me ndërtimin e shumë shtëpive, banesave, dhe shumë ndërtesave pa leje, të cilat si pasojë kanë lënë rrugë shumë të ngushta, trafik të madh ku nuk ka vend as për parkingje. Kjo e ka bërë Çairin, komunën më të dendur në Evropë. “Faktori kryesor i mbipopullimit të komunës është ndërtimi i pakontrolluar dhe i shfrenuar i ndërtesave banesore. Rritja e numrit të banorëve do të ishte për të lakmuar sikur proporcionalisht të zhvilloheshin edhe kushtet e jetesës në komunën tonë”, thotë për gazetën KOHA, Shaban Ibrahimi, banor i Çairit.

“Komuna jonë është e betonizuar, nuk respektohen as zonat e gjelbra të cilat janë shkatërruar tërësisht”, thotë një banorë tjetër i Çairit, i cili shprehet skeptik se mund të gjendet një zgjidhje për këtë problem. Ai thotë se në vend se të urbanizohet, Çairi gjithnjë e më shumë po bëhet një “fshat” i madh. Urbanisti Ivan Arsov thekson se për këtë problem duhet një strategji mirë e analizuar që Çairi në vend të jetë i mbingarkuar me ndërtime të dobëta, të ketë më shumë hapësira publike.

“Duhet strategji. Të shihen mundësitë. A do të jetë ajo zvogëlimi i numrit të banorëve me transferim nga një zonë në një zonë tjetër… Më pas ka shumë ndërtime të reja me kualitet të ulët në Komunën e Çairit. Duhet të aplikohen disa metodologji urbanistike, siç është komisariati urban, të hapet hapësira e cila është e mbingarkuar me ndërtime me strukturë të dobët dhe të sigurohen më shumë hapësira me karakter publik. Kjo mund të sigurohet nga zonat e reja të ndërtimit, banesat individuale etj, por megjithatë duhet të vihet një kufi ku mund të shihet se sa banorë mund të jetojnë në një metër katror, që të kenë jetë të shëndetshme dhe hapësirë kualitative. Kjo gjithsesi duhet të realizohet nëpërmjet planit urbanistik, por paraprakisht duhet të kemi një strategji se si duhet të zgjidhet ky problem dhe se si do ti qaset problemit. Duhet të gjendet një mënyrë”, thotë për KOHA, urbanisti Ivan Arsov.

Sipas tij, së pari duhet një hulumtim terreni ndaj qytetarëve, të shkohet në terren dhe të shihet se si është gjendja, cilat janë mundësitë e ndonjë hapësire të caktuar. “Në këtë projekt duhet të participojnë të gjitha palët. Sipas meje, komuna duhet që këtë politikë ta ndjekë”, nënvizon Arsov. Por, kreu i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, thotë se po punohet në gjetjen e një zgjidhje të këtij problemi të madh për komunën dhe banorët e Çairit.

“Komuna e Çairit duke qenë e vetëdijshme për problematikën e mbipopullimit të territorit të saj dhe dendësisë më të madhe të popullsisë në Evropë, ka filluar të hartojë projekte vetjake dhe në bashkëpunim me Qytetin e Shkupit për zgjerimin e rrugëve aktuale, zmadhimin e kapaciteteve për parkim, krijimin e korsive për biçikleta dhe subvencione për blerjen e të njëjtave, si masa për krijimin e një proporcioni adekuat infrastrukturor me numrin e popullsisë. Po ashtu,në të ardhmen e afërt nuk përjashtohet mundësia për propozimin e intervenimeve në Ligjin për ndarje territoriale dhe Planin Detal Urbanistik”, thotë Ganiu.

Përndryshe, Komuna e Çairit është e formuar në vitin 1976 me Ligjin për formimin e komunave në kuadër të qytetit të Shkupit. Me Ligjin e ri për ndarje të re territoriale, kufijtë e Komunës së Çairit u zvogëluan në masë të madhe gjë që paraqet hendikep të madh në zhvillimin e mëtejshëm të komunës. Ndërsa, me ndarjen e re territoriale, Qytetin e Shkupit e përbëjnë 10 komuna në mesin e të cilave është edhe Çairi. Numri i përgjithshëm i popullsisë në Komunën e Çairit, sipas regjistrimit të vitit 2002, është 64.773 banorë apo 3.2 % të popullatës së përgjithshme në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Prej vitit 2002 nuk ka pasur asnjë regjistrim të banorëve dhe numrat mund të kenë ndryshuar shumë. Sipas disa parashikimeve, numri i banorëve mund të arrijë në 100 mijë.

Marketing