Pas Kosovës, edhe Shqipëria e ka anuluar pjesëmarrjen në Samitin për Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore që mbahet në Sarajevë.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj e ka konfirmuar këtë përmes një postimi në Twitter, transmeton Indeksonline.
Ai ka treguar se këtë e ka bërë për t’u solidarizuar me Kosovën.
“Shqipëria e anulon paraqitjen në Samitin e SEECP në shenjë solidariteti me Kosvën. Tretmani nga organizatorët është i papranueshëm dhe është në kundërshtim që të krijoj një atmosferë besimi, fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit. Nuk ka bashkëpunim pa tretman të barabartë. #TëBashkuarQëndrojmë.”, ka thënë Cakaj në postimin e tij.
Gjatë kësaj jave edhe presidenti Thaçi konfirmoi se Kosova e anulon paraqitjen e saj në këtë samit.
“Sjellja e Bosnjës dhe Hercegovinës është e papranueshme dhe paradoksale, meqë përfaqësuesit e saj aplikojnë praktika tërësisht antievropiane, që nuk dallojnë me ato të Serbisë.
“Me një qasje të tillë destruktive, bashkëpunimi rajonal dhe fqinjësia e mirë ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor mbetet një parakusht i paarritshëm në rrugën për anëtarësim në BE”, kishte thënë Thaçi.
Të martën në Tiranë, Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli nënshkruan marrëveshjen për unifikimin e misioneve diplomatike mes Kosovës dhe Shqipërisë.