Deri në fund të këtij viti do të hapen 13 çerdhe të reja për fëmijë. Ministria e Punës Sociale tha se për këtë vit në dispozicion janë 41,6 milion denarë të dedikuara për ndërtimin dhe nevojat tjera që kanë çerdhet. Por pavarësisht se arka shtetërore posedon mjete për ndërtimin e çerdheve, shumë komuna, posaçërisht ato në zonat rurale nuk kanë as edhe një objekt të vetëm ku fëmijët parashkollor mund të qëndrojnë gjatë ditës.
Komuna e Sarajit është njëra ndër to e cila pavarësisht se ka mbi 40,000 banorë, në territorin e saj ekziston vetëm një çerdhe. Ministria e Punës Sociale hedh fajin tek vetë komunat të cilat nuk përpilojnë projekte të kompletuara të parapara sipas Ligjit që të mund të fillojë ndërtimi i çerdheve në to.
Ministria e Punës Sociale në gusht të 2017-tës dhe më pas në tetor të 2017-tës dërgoi thirrje publike në mënyrë transparente deri tek të gjithë komunat që të parashtrojnë projekte deri në ministri në mënyrë që ne së bashku me ta të gjejmë mënyrë t’i financojmë të njëjtat. Të gjitha komunat të cilat kanë dorëzuar projekte të detajuara që janë në përputhje me standardet e kërkuara për ndërtimin e çerdheve kanë marrë miratim në formë të shkruar se do të kërkohen mjete financiare.
Për Sarajin unë nuk e di se projekti është tërësisht i miratuar, në momentin kur do të miratohet ju them se me siguri do të gjinden mjete financiare.. Iu bëj thirrje në mënyrë transparente të gjithë Komunat të përgatisin projekte por kualitative sipas standardeve, sepse mbrojtja e fëmijëve është e rëndësishme”- deklaroi Mila Carevska, ministre e Punës dhe Politikës Sociale.
Ndërtimi i 13 çerdheve të reja do të ketë kapacitet për 685 fëmijë dhe në to do të bëhen 97 punësime. Ministria njoftoi se nga shtatori që vjen për 5% do të rriten pagat e kujdestareve nëpër çerdhe. Ndryshe, gjatë vitit të kaluar janë shfrytëzuar vetëm 29 milion denarë për ndërtim dhe rinovim të çerdheve.