Mijëra ton ndihma të destinuara për në Gaza kanë mbetur të bllokuara në anën egjiptiane të kufirit, megjithëse Joe Biden gjatë vizitës së djeshme në Izrael dha dritën jeshilë për transportimin e elementëve të nevojshëm jetësorë tek palestinezët e prekur nga sulmet.
Pavarësisht se është arritur marrëveshja Egjipt-Izrael, kamionët e mbushur me produkte të ndryshme kanë ngecur në kufirin Rafah.
Hyrja e ndihmave për personat e prekur nga lufta është shumë emergjente, pasi ushtria izraelite ka bllokuar ujin, ushqimet dhe energjinë elektrike, pas sulmit të befasishëm të 7 tetorit nga militantët e Hamasit.
Në një llogari të bërë paraprakisht, organizata humanitare e OKB-së, njoftoi se duhen të paktën 100 kamionë me ndihma në ditë për të plotësuar nevojat e palestinezëve që ndodhen në Rripin e Gazës.
Zyrtarët izraelitë kanë vendosur një kufizim për produktet që lejohen, pasi të vetmet që do të kapërcejnë kufirin janë ujë, ushqim dhe ilaçe, por jo karburant.
Vendet që kanë kontribuar në ndihma për palestinezët janë të shumta, ku më e fundit është Rusia që ka nisur tashmë 27 ton ndihma humanitare për civilët në Rripin e Gazës për t’u transportuar nga Egjipti.
“Një avion special është nisur nga aeroporti Moskës për El-Arish në Egjipt”, njoftoi pala ruse.
Venezuela gjithashtu i është bashkuar vendeve të tjera, duke dërguar 30 tonë ndihma humanitare, gjithmonë duke bërë koordinimin me Gjysmëhënën e Kuqe. Pas me ndihmat nuk mbetet as Dubai, Egjipti dhe Jordania.
Menjëherë pas lajmit se do të lejohen ndihmat, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq nisi një ditë më parë ekip mjekësor në Rafah dhe një autokolonë që transporton 60 tonë ndihma, duke përfshirë sende mjekësore të nevojshme urgjente.