Çfarë po përgatit Facebook për vitin e ardhshëm?

Është bërë e ditur se Facebook synon të lëshojë për publikun syze inteligjente. Syzet, të cilat do të jenë nën emërtimin Ray-Ban, planifikohet të dalin në treg në vitin 2021. Sipas krijuesit të Facebook syzet inteligjente do të prodhohen si pjesë e një marrëveshjeje me EssilorLuxottica, që është një lider global në projektimin, prodhimin dhe shpërndarjen e lenteve, kornizave dhe syzeve të diellit.

Marketing

“Ne nuk kemi një produkt ende për të ndarë me ju, por unë jam i ngazëllyer që kemi formuar një partneritet shumëvjeçar me EssilorLuxottica, për të mundësuar prezantimin e syzeve inteligjente vitin e ardhshëm. Ky është një hap i hershëm i një projekti që ka qëllim të krijojë syzet e së ardhmes, të cilat do të shtojnë pamjen në botën reale me të dhëna ose grafikë nga interneti. Do ndihmojnë njerëzit të rrinë të lidhur më njëri-tjetrin, e po ashtu këto syze do të kenë edhe një pamje mjaft të bukur”, tha Zuckerberg.

Specifikat teknike të syzeve inteligjente nuk janë zbuluar ende. Por, Zuckerberg shpjegoi se një ekip i trajnuar nga Facebook Reality Labs, po testojnë dhe po eksperimentojnë syzet inteligjente, duke i mbajtur ato të vendosura brenda kampusit. Syzet e reja Ray-Ban, vijnë si pjesë e projektit Aria të qendrës kërkimore të Facebook.

CEO i Facebook përshkroi teorikisht se çfarë mund të prisnim nga këto syze.

“Imagjinoni sa mirë do të ishte të kemi syze që do na ndihmonin me drejtimet e rrugëve. Mund të na sillnin rekomandime muzikore, ose syze që kanë një alarm vizual për të na ndihmuar të gjejmë çelësat apo gjëra të tjera që mund t’i kemi humbur”, tha ai.

Megjithatë, Zuckerberg shtoi se ka ende shumë për të bërë që syzet të jenë sa më me stil dhe të sofistikuara.