Çun Lajçi flet me Skenderbeun në Sheshin e Shkupit

Çun Lajçi

Marketing

Ky shitës kujtimësh e andrrash

Mos e ladro shpejt dorkun plak, se nuk je i zoti me ia shtërgua fulqitë me dërsgojcë, nese merr n’thua. Dyzginat duen duer t’forta e kambë t’gjata për mamuze!
Andrra e ministreshës diçka deshti me t’thanë mbramë, e ti s’je Binak Alia, me ia gjet vegëzën, i thashë vetës kur mora rrugë për Vilajetin e madh t’Shqipnisë. Për Shkupin e namit t’Idriz Seferit e t’Isë Boetinit, që sot mbahet me hujt e rralluem t’shqiptarve! Kulpnajat me t’cilat thuret Ilirida, s’e duronë njena me tjetrën e s’duen t’përpjekën!
Falna Zot, ashtu siç ne t’kemi falë ty, që na mban hala gjallë me marritë tona!

N’kufi m’ktheu policja maqedone. U ktheva n’Kaçanik, rrugës që lahej me gjak sulltanash!
Nji sigurim koti mu desht me pagua, për dorkun tim, që hala s’kam arritë me ia pagua hakun, atij që ma dha!
Prap rrugës së moçme u ktheva. Fati e deshti t’mos me kontrollonte doganjeri, se “Bastardët”s’do t’a shkelnin Iliridën!
Të Skenderbegu arrita me nji orë vonesë. I shkarkova dy barrë libra: 30-të me 30-të, te dyat romane, “Kur fryjnë ernat” dhe “Bastardët”! “Përgamenën” e kacavjerra n’krahun e djathtë, n’qese najloni.
E vuna dorën mbi vetull e qafën e dredha tue kthye kokën përpjetë me pa kryetrimin!
O Gjergj bërtita. Ku janë këta që m’i kërkuen librat? A po i thërret sa s’jam idhnua.
– Prit, se janë shkua n’xhami m’tha!

E ti cli je? I Prishtinës, i Tiranës apo i Krujës?
Nji plak që rrinte ulun n’trotuar, tue pritë rradhën me hi n’bankë me marrë pensionin, nisi me qeshë! Sigurisht mendoi se nuk jam taman!
Fol Gjergj fol. Cili je ti, që rri aq nalt e s’i sheh shkupjanët?
Ishalla e kam fatin t’jeshë ai i Tiranës, se Prishtina kurrë s’me solli fat! Veç m’i shqelmoi 80 bastardë, e Tiranën e pastroi nga baglat e tyne!
Zbrit poshtë! Kapi për veshi çkulanat e vnojau vethët e verdhë si qenve t’kastruem!
Plaku prap qeshi, por edhe foli. Hej zemra tu gëzoftë tha, sa shlirë po flet n’tokën që vritet fjala!
Zbrit Gjergj zbrit, bërtita prap.
– Jo ngjitu ti n’paç thoj, m’tha, e ruejma kalin. Se kohë hajnash këtu nalt e kohë bastardësh aty poshtë, e mbes pa e vu trapin n’shalë!
Kështu e nisa pazarin n’bishtin e çarshisë së vjetër, aty ku fillon m’u zbardhë plisi e mu ruejt gjuha!
S’kishte randësi a po shitën librat, e randësishme ishte se Çuni po i fliste Kastriotit, për farën e tij t’thartueme, që s’po hahet as me m…t!
Por gjithmonë Zoti ka qenë ai që ka folë për neve, e s’na ka lanë mu vra dërshej vetit!
Foli edhe sot, kur u nxe puna mes meje e kryetrimit, tue ia lagë përkrenaren me shi, e mua fryma tue m’i ndjekë librat.
U futa n’kafen që rrinte përballë!

Ulu me neve artist, tha djaloshi që flokë e mjekërr po i zbardheshin, e librat mi rehatoj mbi nji tavolinë!
Ku don me ba natën sonte m’pyeti, mbasi ma porositi kafën.
N’Tetovë i thashë, se qëlloj i pushueshëm për nesër. Aty do ta kërkoj shpëtimin, të Teqja rranzë kodrave, dhe gazi e muer kafën.
Jo m’tha, ti do t’jeshë mysafir i imi. Këtu mbi kafe e kam hotelin, që mban mbiemnin tim, kurse unë quhen Isuf, e Koka asht ai emni i hotelit, ky mbiemni im.
Krejt ma ke ngatërrua i thashë.
Po pra, për që je i ngatërruem nuk po t’shitën librat n’Shkup, m’tha tue ba hajgare me mua!
Isuf Koka jam, mtha edhe njiherë, dhe me mori ngryk.
Iu falenderova jo vetëm njiherë, deri sa u ngjitem n’dhomë, e kur zbritëm poshtë, ma dha edhe numrin e telefonit që ta kem për çdo eventualitet.
Harrova t’iu them se ato pak televizione shqiptare që ka Shkupi, erdhën e folën me mua. S’pritova t’iu them, se klasa politike, do t’duhej t’zbres poshtë e t’ballafaqohet me popullin e vet, kështu si unë, e ta shikojnë vetën n’sytë e tyne e t’i durojnë shamjet e fymjet për gabimet e veta!

Ngritu n’kambë të t’përqafoj m’tha aktori tetovar Altrimi, t’cilin nuk e di pse e thërrasin Shumi!
Kam nderin me t’shoqnua deri n’zyrën e z.ministrit të kulturës, Sedat Sylejmanit. Ai ka shpreh dëshirën të drekoj me ty dhe ti marr tre tituj librash!
M’erdhi keq me refuzua bukën e njeriut që se nihja. S’asht n’traditën e rugovasit.
M’thoshte im at: Nji grusht kryp gjuje n’gjollë, n’daç me i njoftë delet tua!
Thashë ta njoh edhe unë, e ta shoh a duhet a s’duhet me i shkua tjetër herë n’zyrë.
I fola aq sa dita, e s’di a m’kuptoi aq sa fola!
E ke vështirë i thashë, se do t’jeshë vetëm zbatues i urdhnave të shefës. E shefja asht e shumicës! E partitë shqiptare janë si ujku e dhia. Vaj medet për vilajetin!

– Çka mundem me ba unë për ty m’tha?
Me ma ble nji libër dhe asgja tjetër! Për mua as thonin s’ke nevojë me pre!
Por ne kemi nevojë për mbeshtetjen e artit tand, ma ktheu.
Po i thashë, jam i popullit dhe obligohem ta ndihmoj çdo shqiptar që punon për popullin e vet, pa çka se asht Ali, Menduh, Ziadin apo Bilalli yt, që nuk e njoh nga afër.

Ishte dita e tij e parë. Shihej se asht i shqetësuem nga përgjegjësia që i ka ra mbi supe. Entuziast deri të Zoti, e mundësitë tepër, tepër t’vogla.
Kur dola nga zyra i thashë: Ishalla t’kam hi me kambë të mbarë, e mbarë t’shkon puna, se andrra për ministreshën time n’derë të torishtës, me doli zhgjandër tue t’takua ty!
Kur ra terri e kalova Urën e Gurit, ate t’Isës, jo t’Simonit e t’Simonidës! Shkeli kujtimet kur të shtrengon gjokësi e kur sytë nisin me tu vokë. Mos i le retë me t’u nxi mbi krye thashë, se bahet vonë dhe shkova të Hotel 7! Të Euromedika! Në Kozle të shtëpia ku fjeta nji verë me time shoqe e time bijë, dhe të Dva Elena!
Pse e din vetëm Gala ime që hesht!

I mbusha xhepat kujtime t’dhimbshme dhe mbi shputat që thershin nga lodhja, menzi u ktheva n’Hotel Koka, të Gjergji mbi kalë, me zbraz mallin e kurkush mos me m’pa!
Eh sa vështirë me qenë ai që s’je, shitës kujtimësh e andrrash n’librat e shkarravituna, thashë kur u shtrina me fjetë!
Don Zoti e shnoshet kjo zemër ndonjiherë!
Shkup, 28.09.2020

Marketing