Dalja e Listës Serbe nga institucionet, reagon presidentja Osmani

“Veprimet e sotme të Serbisë, të cilat detyruan përfaqësuesit e zgjedhur dhe të emëruar të serbëve të Kosovës të tërhiqen, qoftë edhe përkohësisht nga pozitat e tyre në institucionet e Republikës së Kosovës, kanë për synim destabilizimin e veriut të vendit.”, kështu ka deklaruar Presidentja Vjosa Osmani, e cila ka potencuar se tërheqja e ministrave, deputetëve dhe e pjesëtarëve të komunitetit serb nga Qeveria e Kosovës, Kuvendi i Kosovës dhe Policia e Kosovës është akt kundër demokracisë, sundimit të rendit e ligjit.

Marketing

Osmani ka theksuar se veprimi i tillë është bërë me presionin e pushtetit në Beograd.

“Qasja e tillë po u shkakton probleme serioze qytetarëve serb në veri, të cilët po ndihen të rrezikuar nga veprimi i strukturave ilegale, të cilat synojnë destabilizimin. I siguroj të gjithë qytetarët e Kosovës se institucionet do të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të siguruar mbarëvajtjen dhe sigurinë publike në çdo cep të territorit të saj në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtar. Zbatimi i rendit dhe ligjit nuk përbën kërcënim për asnjë qytetar të Kosovës, pa dallim përkatësie etnike. Por, vendosja e rendit dhe ligjit përbën rrezik për strukturat ilegale të dirigjuara nga Beogradi të cilat synojnë destabilizimin e Kosovës dhe rajonit.”, ka deklaruar Osmani.

Sipas saj, veprimi i sotëm i Serbisë, paraqet tërheqje të saj të njëanshme nga marrëveshjet e Brukselit për shuarjen e strukturave ilegale të saj në Kosovë.

“Ky veprim i nxitur nga Serbia, vërteton edhe njëherë atë që e kemi thënë shumë herë, se Serbia është burim i destabilizimit të Kosovës dhe rajonit për shkak të synimeve të saj territoriale dhe hegjemoniste. Megjithatë, Serbia nuk do të arrijë ta ndryshojë karakterin multietnik të institucioneve dhe ta cenojë paqen e sigurinë në Republikën e Kosovës. Komunikimi dhe bashkëpunimi me serbët e Kosovës do të vazhdojë dhe institucionet e Kosovës do të përkujdesen që secili qytetar i Kosovës në secilën pjesë të territorit të saj të marrë shërbimet e nevojshme nga institucionet pa ndonjë ndërprerje.”, është shprehur Osmani.

Ajo u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës të mos bien pre e propagandës nga Serbia për interesat e saj destablizuese ndaj Kosovës dhe rajonit.

“Kosova është e përkushtuar për paqe dhe stabilitet, si dhe mbetet e pozicionuar qartë në rrugën e saj euroatlantike. Veprimet e institucioneve për barazi të të gjithëve para ligjit janë në përputhje me standardet më të larta dhe vlerat evropiane. E ardhmja e Kosovës është në BE dhe në NATO dhe askush nuk do të mund ta ndalojë këtë rrugë. Por, është Beogradi ai i cili po tenton destabilizimin dhe i cili mbanë raporte të ngushta me Rusinë dhe është vegël e saj në këtë pjesë të Ballkanit.”, ka shtuar Presidentja.

Ndryshe, përfaqësuesit serbë në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës do të lënë detyrën. Kjo është vendosur në takimin e thirrur nga Lista Serbe mesditën e së shtunës në Zveçan.

“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.

Serbët përfaqësohen me një ministër në Qeverinë e Kosovës, dhjetë deputetë në Kuvendin e Kosovës, me kryetarë komunash në ato qytete ku shumicë janë qytetarët serbë, si dhe në gjyqësor, polici. Të gjithë këta do të largohen nga institucionet e Kosovës.

Marketing