Damush Shasha: Vizat s’hiqen as në vitin 2019, fajtore Qeveria

Vendimmarrja nga Këshilli i Ministrave dhe Parlamenti Evropian për heqjen ose jo të vizave për Kosovën është e pamundur të përfundoj deri në fund të këtij viti. Madje ky vendim vështirë që do të ndodh edhe në vitin 2019.

Marketing

Kjo pasi, sipas Demush Shashës, ish- sekretar në Ministrinë e Integrimit, në vitin e ardhshëm do të ndryshohet udhëheqja e presidencës së BE-së si dhe do të intensifikohen përgatitjet për zgjedhje parlamentare.

Shasha në një prononcim për Ekonomia Online, tha se ka gjasa të vogla, që vendimmarrja për liberalizimin e vizave të ndodh këtë vit. Në të kundërtën, sipas tij, nuk dihet se sa do të zgjas ky procesi pas vitit 2019.

“Nuk shohim në këtë moment ndonjë mundësi reale që të merret vendimi pozitiv deri në fund të vitit për liberalizimi i vizave për Kosovën. Pothuajse po hyjmë në ditët finale kohore që të lejohet një vendimmarrje e tillë, do të thotë është realisht e pamundur që Këshilli dhe Parlamenti të dakordohen gjatë ditëve në vijim për vendimmarrje deri në fundvit lidhur me plotësim-ndryshimit të rregullores. Pas këtij viti dhe me hyrjen në vit të ri 2019, gjërat do të komplikohen shumë për shkak të ndryshimit të presidencës në Bashkimin Evropian në këshillin e ministrave të BE-së por edhe për shkak se me fillimin e 2019-ës do të intensifikohen përgatitjet për zgjedhjet parlamentare në BE-së”, shtoi Shasha.

“Dua të shpresoj që deri në fund të këtij viti do të ketë vendimmarrje përkundër të gjitha këtyre zhvillimeve, nëse kjo nuk ndodh atëherë procesi i liberalizimit të vizave hyn në një rrugë me të vërtetë nuk e dina në këtë stad se sa shumë do të zgjat edhe përtej vitit 2019”, tha ai.

Hezitimin e Francës, Gjermanisë dhe Holandës për të votuar pro liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, Shasha që është edhe një nga themeluesit e Institutit të Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK), e ka arsyetuar me mos përfundimin e punëve nga institucionet e Kosovës.

“Ne si Kosovë nuk jemi duke dhënë edhe shembujt më të mirë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, qoftë rasti i veteranëve dhe deklaratat të liderëve politik rreth punës së prokurorit, ose edhe të gjithë rastit të veteranëve. Fakti që ne ende nga 30 raste që janë shenjëzuar në kuadër të luftës të krimit të organizuar dhe korrupsionit ende nuk kemi asnjë rast të vetëm të profilit të lartë të dënuar në shkallën përfundimtare për korrupsion”, përfundoi Shasha.

Ai ka kritikuar qeverinë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj edhe për mos zbatimin e obligimeve të dala nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) dhe nga Agjenda për Reforma Evropiane (ERA), raporton EO.

“Ne si institucione kemi arrit të zbatojmë vetëm 13% të obligimeve shtohet pyetja çfarë tash mund të kërkojmë nga BE kur detyrat e shtëpisë nuk janë përfunduar”.

“Kjo Qeveri momentale ka ardhur në qeverisje me moton e vendimeve të mëdha dhe çka po shohim sot është që pikërisht kjo qeveri nuk është në gjendje të zbatojë marrëveshjen e Stabilizim Asociimit në nivelin që po kërkohet nga vet institucionet e BE-së”.