Ish-shefi i doganës dhe i dënuari për krim, Dragan Daravellski, ka marrë nën drejtimin e tij shoqërinë aksionare ndërtimore Kozjak nga Kumanova, shkruan portali Faktor.
Në shtator, mbledhja e aksionarëve mori vendim për emërimin e Daravellskit, i cili ishte në arrati jashtë Maqedonisë për 20 vjet, si drejtor i përgjithshëm ekzekutiv.
Ai do ta drejtojë këtë kompani ndërtimore së bashku me Nikolla Xhimrevski si anëtar tjetër i bordit të drejtorëve. Daravellski do të menaxhojë edhe filialet – guroren në Krastë afër Pçinjës dhe fabrikën e betonit në Bedinjë të Kumanovës, ku do të zëvendësojë Miomir Kraljevskin.
Ndryshe, “Kozjak” vitin e kaluar e ka mbyllur me të hyra prej 580 mijë eurosh dhe me fitim prej vetëm 80 mijë eurosh, që tregon rritje prej 19 për qind. Shoqëria aksionare ka 19 punëtorë dhe detyrime financiare rreth 750 mijë euro.
Ish-shefi i doganës, i cili u kthye në Maqedoni vitin e kaluar pasi u arratis në Serbinë fqinje 20 vjet më parë dhe priti të skadonte afati i parashkrimit për të mos u përballur me ndjekjen penale dhe dënimin me 7 vjet burg, në gusht u bë drejtor edhe i kompanisë imobiliare kumanovare “ITZ Investment”.
Kompania ITZ Investment, e cila tani do të udhëhiqet nga Daravellski, ka ndryshuar dy herë emrin e saj nga Medikal prima X Shkup dhe Hub Holding Kumanovo për pak vite që ekziston. Nuk ka të hyra në vitin 2023, por është në pronësi të “Produktimpex” Kumanovë, shkruan Faktor.
I njëjti “Produktimpex”, një kompani e qiradhënies dhe menaxhimit të patundshmërive, është në pronësi të shtetases serbe Natasha Marinkov nga Vrsaç, për të cilën punon djali i Daravellskit – Tomislav Daravellski.
“Jugooprema”, pronari i së cilës është Marinkov, dhe drejtori Tomislav Daravellski, siç raportojnë mediat, në fillim të vitit kanë blerë pronën e paluajtshme të hoteleve “Kristal”, katin përdhesë të ish-hotel “Kumanova” dhe dhomat ndihmëse të hotelit në një ankand në Kumanovë.
Në internet e vetmja gjë që mund të kërkohet për Produktimpex janë raportet e bursës, ku shkruhet se ka lidhur marrëveshje qindra mijëra euro për dhënie me qira të lokaleve personave të tjerë juridikë. Drejtuesit e Produktimpex janë të lidhur edhe me Kozjak AD, një tjetër kompani që lidhet me Daravellski dhe tregun e pasurive të paluajtshme.(INA)