DASH: Serbia të bashkëpunojë me OSBE për të shqyrtuar pretendimet për parregullsi

Departamenti amerikan i Shtetit u bëri thirrje autoriteteve në Serbi të bashkëpunojnë me misionin e Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSBE-në), për të shqyrtuar pretendimet për parregullsi dhe theksoi se dhuna ndaj gazetarëve, vëzhguesve dhe komisionerëve të zgjedhjeve është “e papranueshme”.

Marketing

Sipas Departamentit të Shtetit legjitimiteti i proceseve demokratike varet nga transparenca dhe gatishmëria e të gjithë pjesëmarrësve, që të njohin vullnetin e zgjedhjeve.

“Mbetemi të angazhuar për të bashkëpunuar me Serbinë për forcimin e demokracisë dhe rendit e ligjit, avancimin e bashkëpunimit rajonal, rritjen e vazhdueshme ekonomike dhe përshpejtimin e përparimit të Serbisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. E ardhmja e Serbisë është me Perëndimin”, thuhet në përgjigjen me shkrim që Departamenti amerikan i Shtetit i ka dërguar Zërit të Amerikës i pyetur se cili është reagimi i zyrtarëve amerikanë mbi valën e re të protestave në Beograd, që u shndërruan në protesta të dhunshme të dielën.

Ambasadori amerikan në Beograd Christopher Hill, përmes komenteve në platformën sociale X, shkroi se “dhuna dhe vandalizmi kundër institucioneve shtetërore nuk kanë vend në shoqëri demokratike.” Ai i bëri thirrje policisë që “ndërsa ruan rendin publik, të bëjë të gjitha përpjekjet për të mbrojtur dinjitetin e qytetarëve dhe të drejtat e tyre.”

“Në orët dhe ditët në vijim, udhëheqësit e Serbisë dhe qytetarët e saj duhet ta kenë parasysh se: legjitimiteti i proceseve demokratike varet nga transparenca dhe gatishmëria e të gjitha partive, fituese dhe humbëse, nga respektimi i vullnetit të njerëzve siç është shprehur në kutinë e votimit”, shkruante ambasadori Hill.

Ai tha se “puna e institucioneve zgjedhore të Serbisë mbetet qenësore ndërkohë që Serbia punon me OSBE-në dhe të tjerët për t’iu dhënë përgjigje mangësive në proceset e veta demokratike.” “Ankesat duhet të bëhen përmes mjeteve ligjore, paqësore dhe pa dhunë”, shtoi Hill.

“Kam besim se Serbia do të kalojë nëpër këto sfida duke dal nga to me demokraci të forcuar. Të gjithë qytetarët e Serbisë kanë të drejtën të dëgjohen dhe përgjegjësi të shprehin pikëpamjet e tyre politike në mënyrë paqësore dhe pa dhunë”.

Grupe studentësh drejtuan një protestë të hënën në Beograd, pas një nate të tensionuar ku qindra demonstrues u përpoqën të hynin në kuvendin e kryeqytetit dhe u përleshën me forcat e rendit.

Policia serbe tha të hënën se janë arrestuar të paktën 38 persona që morën pjesë në protestën e së dielës kundër parregullsive gjatë zgjedhjeve të 17 dhjetorit, në të cilat sipas rezultateve paraprake fituese doli Partia Përparimtare serbe e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuiçiç.

Grupi opozitar “Serbia kundër dhunës” ka organizuar protesta që nga dita e zgjedhjeve duke thënë se ka pasur mashtrime zgjedhore, veçanërisht në kryeqytet dhe kjo është pohuar edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë.

Disa nga politikanët e opozitës filluan një grevë urie.

Të dielën në mbrëmje, qindra protestues u përpoqën të hynin në kuvendin e bashkisë së Beogradit, duke thyer dritaret para se policia të ndërhynte me gaz lotsjellës dhe shkopinj gome për t’i shpërndarë.

Zyrtari i lartë i policisë Ivica Ivkoviç u tha gazetarëve se të arrestuarit po përballen me akuza për nxitje të ndryshimit të dhunshëm të rendit kushtetues, në lidhje me përpjekjen për të përmbysur qeverinë dhe për sjellje të dhunshme. Ai shtoi se tetë oficerë të policisë u plagosën, një prej të cilëve është në gjendje të rëndë.

Opozita tha se policia rrahu disa mbështetës të saj.

Të hënën grupe studentësh bllokuan disa rrugë në Beograd duke kërkuar që autoritetet të hapin listat e votuesve, pas pretendimeve se shumë njerëz që nuk jetojnë në Beograd kanë votuar atje. Studentët paralajmëruan bllokim të mëtejmë rrugësh nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.

Autoritetet i kanë mohuar pretendimet për parregullsi.

President serb Aleksandar Vuçiç, i cili të hënën u takua me ambasadorin rus në Beograd, Aleksandr Botsan-Kharchenko, i përshkroi protestat e së dielës si një përpjekje për rrëzimin e qeverisë me ndihmë nga jashtë, por pa dhënë asnjë provë për pretendimet e tilla.

“Isha në ballkonin e presidencës mbrëmë. Aty është zyra ime. Unë nuk u frikësova aspak nga. Nuk kam ikur në asnjë vend të huaj. Nuk u fsheha në asnjë nga bunkerët. Unë kurrë nuk do të fshihem nga njerëzit e dhunshëm. Do të jem gjithmonë pranë popullit tonë, do ta mbrojmë dhe ruajmë demokracinë. Ne do të mbrojmë dhe ruajmë paqen dhe qëndrueshmërinë në Serbinë tonë”, tha presidenti serb.

Ambasadori rus u tha medieve të vendit të tij se presidenti Vuçiç ka “prova të pakundërshtueshme” se perëndimi po inkurajon protestat e opozitës.

Kryeministrja serbe Ana Bërnabiç falënderoi të hënën Rusinë që siç tha, e kishte informuar që më parë Serbinë për mundësinë e një kryengritjeje.

Serbia kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por ruan lidhje të ngushta me Moskën dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Marketing