Drejtori i Kompanisë Dauti Komerc, Xhemail Dauti, ka marrë pjesë në emisionin Top tema i cili transmetohet në televizionin Telma. Në cilësinë e përfaqësuesit të Odës Ekonomike të Maqedonisë-Veriperëndimore , Dauti së bashku me ministrin e ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe drejtorin e inspektoratit të tregut, kanë debatuar për masat që duhet të ndërmarrë qeveria për të ndihmuar biznesin për shkak të gjendjes ne virusin Kovid19.
Dauti, ka kërkuar nga qeveria që të ndërmerr hapa konkret për të ndihmuar biznesin dhe sadopak për të zbutur humbjet e tyre në këtë gjendje krize në të cilën kalon vendi jonë, jo vetëm vendime fasada për të thënë se qeveria po ndihmon kompanitë ”Qeveria duhet të kyçet në mënyrë direkte për të ndihmuar biznesin, me vendime serioze, fillimisht duhet të ngrihen të gjitha të dhënat ndaj shtetit, të pezullohet pagesa e tatimeve me qëllim që t’ju ndihmohet kompanive të cilët nuk do të jenë imun të kësaj situate.
Urgjentisht, duhet të merret vendim që të hiqet dogana për artikujt kryesorë ushqimorë, siç është mielli, vaji për ushqim dhe testeninat”, ka thënë Dauti, sipas të cilit institucionet qeveritare duhet të ndërhynë urgjentisht pas vendimit të Serbisë për të ndërprerë eksportin e miellit ”Maqedonia kryesisht importon miell nga Serbia, tani ajo ka vendosur që të ndërpresë eksportin, në bazë të marrëveshjes së CEFT-ës, mes anëtareve të tyre mielli nuk ka doganë ,tani jemi në gjendje të palakmueshmë nga do të importojmë miell, nga Italia nga Turqia nga Bullgaria dhe në këtë situatë kompanitë do të duhet të paguajnë 50% doganë për miellin, për këtë qëllim qeveria duhet të pezullojnë doganën për këto artikuj me qëllim të ngrirjes së çmimeve tek konsumatorët”, ka deklaruar Dauti.
Ai edhe njëherit ka apeluar tek qytetarët që të mos grumbullojnë sasi të panevojshme të artikujve ushqimorë. Ndërkohë Qeveria ka miratuar fazën e parë të ndihmave financiare për kompanitë duke siguruar kredi pa interes deri në 30,000 euro dhe 50 për qind subvencionim të kontributeve të pagave, për kompanitë.
5.7 milion euro janë siguruar për t’u dhënë kredi direkte kompanive për shkak të jolikuiditetit, apo kompanive aktiviteti ekonomik i të cilave është prekur nga koronavirusi.
Kusht për përdorimin e këtyre masave do të kenë kompanitë që nuk kanë paguar dividendë në vitin 2020, nuk kanë dhënë shpërblime ose bonus dhe nuk e kanë ulur numrin e punonjësve në muajin shkurt.