“Dëgjova krisma, pyeta për Endrin dhe më thanë që aq ishte puna”, dëshmia e të miturit dhe detaje nga vrasja në Shkodër

Policia e Shkodrës ka zbardhur dhe dokumentuar vrasjen e 32-vjeçarit Endri Mustafa, ngjarje që dyshohet të ketë ndodhur më 15 maj të këtij viti në lagjen “Guerrile”, por që u zbulua ditën e hënë.

Policia bën të ditur se ka shpallur në kërkim autorin kryesor të kësaj vrasjeje, shtetasin Ibrahim Lici, ndërsa ka arrestuar në flagrancë dhe bashkëpunëtorin kryesor të dyshuar për vrasjen, si dhe ka vënë në pranga një tjetër shtetas që dyshohet se ka dijeni për ngjarjen e rëndë.

Marketing

Sipas Policisë, në vijim të veprimeve të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, i përbërë nga specialistë të Hetimit dhe të Drejtorisë Kundër Krimeve ndaj Personit dhe Pronës në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, në bazë të provave të grumbulluara u bë shpallja në kërkim e shtetasit Ibrahim Lici, 28 vjeç banues në lagjen “Guerrile”, Shkodër, i dyshuar si autor i vrasjes së shtetasit Endri Mustafa.

Gjithashtu, në lidhje me këtë ngjarje është arrestuar shtetasi i mitur Ergys Malja, 15 vjeç, i cili dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin e lartpërmendur kanë vrarë me armë zjarri shtetasin Endri Mustafa. Po gjatë veprimeve hetimore dhe si rezultat i kontrolleve të ushtruara për kapjen e autorit, u arrestua në flagrancë edhe shtetasi Edison Arazi, 26 vjeç, banues ne lagjen “Salo Halili”, Shkodër, i cili dyshohet se ka dijeni për ngjarjen. Gjatë kontrollit, në banesën e tij është gjetur një sasi lënde narkotike kanabis sativa.

Materialet iu referuan Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje” në ngarkim të shtetasit Ibrahim Lici dhe në ngarkim të shtetasit Ergys Malja, për veprën penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim, si dhe në ngarkim të shtetasit Edison Arazi për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

KURTHI ME MESAZH

Në familjen e të ndjerit Endri Mustafa, ku janë hapur dyert e mortit, bashkëshortja dhe nëna e tij, nuk e pranojnë që autori i vrasjes së të riut, të jetë siç thotë Policia, Ibrahim Lici. Ky i fundit është shpallur në kërkim nga blutë e Shkodrës, pasi akuzohet si autori kryesor i dyshuar për ngjarjen.

Por bashkëshortja e të ndjerit, thotë se familja e tyre me atë të Ibrahim Licit nuk kanë pasur kurrë konflikte. E veja e Endri Mustafës duke folur për mediat, ka dhënë detaje edhe për orët e fundit të Endrit, natën para se të zhdukej dhe tri ditë më pas të gjendej i ekzekutuar në zonën e “Livadhes” në lagjen “Guerrile”.

Ndërsa tregon se 15-vjeçari i arrestuar nga Policia në lidhje me vrasjen, i ka thënë burrit që: “Nuk po të shkruaj mesazhe, por dije që kur të të dërgoj një fotografi të një kali, dil jashtë”. “Një djalë 15 vjeç të shprehet ashtu, s’e di. Dikush është pas tij, sepse nuk kemi pasur konflikt as me të”, është shprehur Ingrit Mustafa, bashkëshortja e viktimës.

DESHMIA E TE MITURIT

Sipas një pjese të dëshmisë së adoleshentit të arrestuar për vrasjen në Shkodër, të zbardhur nga “ABC News”, duket sikur 15-vjeçari nuk ka dijeni për personin që ka qëlluar.

Ergys Malja mësohet se është shprehur përpara hetuesve se natën e 14 majit, u larguan në drejtim të zonës së “Livadheve” dhe se më pas e kanë lënë larg vendit të ngjarjes, ku u gjet i pajetë Mustafa.

“Dëgjova krisma” është shprehur Malja. Në momentin që janë kthyer nga zona e “Livadheve”, 15-vjeçari është shprehur se ka pyetur se ku është Endri dhe përgjigjja që ka marrë nga shoku i tij ka qenë se “kaq ishte puna ime”.

Ergys Malja ishte personi që e thirri dhe e nxori nga shtëpia në orën 22:00 të mbrëmjes Endri Mustafën.

Babai i të kërkuarit: Të miturit i thanë të tregonte emrin e Ibrahim Licit

Pas shpalljes në kërkim të Ibrahim Licit nga Policia e Shkodrës, ka reaguar babai i tij Mustaf Lici. Ky i fundit thotë se Ibrahim Lici nuk ka asnjë lidhje me atë vrasje dhe se nuk ka qenë aty në atë moment dhe këtë sipas tij e vërtetojmë kamerat e sigurisë, pasi ndodhej në një vend tjetër.

Po ashtu, babai i të dyshuarit thotë se 15-vjeçari i arrestuar është punonjës i Astmer Bilalit dhe grupit Bajri dhe se me familjen e viktimës janë miq dhe madje ka qenë edhe për t’i ngushëlluar.

“Bashkëpunëtori i krimit, që është i mitur, është punëtor i Astmer Bilalit dhe me grupin e Bajrave. Atij i kanë thënë që të thotë se krimin gjoja e kanë kryer me Ibrahim Licin. Ne jetojmë të mbrojtur nga kamerat. Është skenar i përgatitur nga Policia, por është një blof i radhës që do të dështojë. Me datën 17 prill të këtij viti ky drejtor Policie, Niko Brahimi, ka hequr nga kërkimi Ibrahim Licin dhe tani e ka shpallur prapë.

Ky është i njëjti krim si tek Arjan Ferracaku dhe vëllai i të miturit ka folur edhe atëherë duke thënë se vrasjen e ka bërë Ibrahim Lici, por ne jetojmë me kamera. Kjo është një flluskë. Këta shërbëtorët punojnë pastrues bajgash tek Astmer Bilali dhe punëtor të Bajrave. Familja e di shumë mirë se kush ia ka vrarë djalin dhe kush e ka nxjerrë me telefonatë. Krimi është sofistikuar në atë mënyrë sa jetojmë në epokën e horave dhe vagabondëve, ndërsa kanë mbështetjen e Policisë, se ndryshe nuk kishin arritur deri aty”, është shprehur Mustafa Lici.

Gruaja e viktimës, dy herë para mediave: S’e bënë as Lictë, as Bajrat

Bashkëshortja e viktimës, Ingrid Mustafa, nuk ka asnjë dyshim te familja Lici dhe është e çuditur se si Policia ka nxjerrë në kërkim Ibrahim Licin, pasi sipas saj bashkëshorti që u vra ishte shok me personin e shpallur në kërkim si autor kryesor i kësaj ngjarjeje.

“Nuk kemi pasur kurrë asnjë problem me familjen Lici. Burri im ka qenë shok me djemtë e tij. Unë e kam thënë edhe në Polici se Ibrahim Lici nuk ka lidhje me vrasjen dhe habitem si e kanë nxjerrë, sepse nuk ka asnjë lidhje dhe jemi 100% të sigurt se nuk ka ndodhur nga Ibrahimi. I kemi komshi dhe nuk kemi pasur kurrë asnjë problem me ata. Atë natë në orën 22:00 në darkë Endri kërkoi të dilte nga banesa dhe më tha më jep një xhakavento dhe më tha po shkoj deri në livadhe dhe po vij për 10 minuta, nuk po vonoj tha. Unë i thashë të lutem mos dil se është natë, por më tha nuk vonoj dhe vij menjëherë. Doli me këtë djalin komshi 15-vjeçin, ai po e kërkonte që nga mesdita. Një djalë 15 vjeç të shprehet ashtu s’e di, dikush është pas tij, sepse nuk kemi pasur konflikt as me të. Që kjo ka lidhje me Lictë nuk është e vërtetë dhe unë e kam deklaruar edhe në Polici, sepse kemi shkuar shumë mirë”, shprehet ajo.

Në një dalje tjetër para mediave, Ingrid Mustafa thotë gjithashtu se as fisi Bajri nuk kanë lidhje me vrasjen e bashkëshortit të saj, duke i kërkuar Policisë dhe Prokurorisë që ta zbardhin këtë ngjarje.

“Na kanë thënë fisi Bajri se as ata nuk kanë lidhje me ngjarjen. Të jeni të sigurt se as ata nuk e kanë kryer vrasjen. Mediat janë duke na hapur fjalë shumë. Ne nuk e dimë kush e ka bërë dhe unë e thashë edhe më përpara. Djali që rri pas shtëpisë sonë që e ka nxjerrë atë natë jashtë Endrin, vetëm ai e di se kush e ka bërë. Policia nëse do me e zgjidh, mund ta zgjidh vetëm me atë 15-vjeçin. Policia e zgjidh vetëm me atë se ne nuk kemi pasur marrëdhënie me asnjërin prej fiseve. Kjo puna se është vrarë për njërin fis apo për fisin tjetër, kjo nuk është e vërtetë. Janë duka na hapur fjalë shumë dhe kjo nuk është drejtë. Policia dhe kryeprokurori Olsian Çela ta gjejnë se sa për fiset asnjëri prej tyre nuk ka lidhje me atë ngjarje”, shprehet e shoqja e viktimës.

Marketing