Dekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë i UT-së, Sahmedin Sali në kongresin e stomatologëve

Dekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë së Universitetit të Tetovës, Doc. Dr. Sahmedin Sali mori pjesë në hapjen e punimeve të Kongresit VII stomatologjik mbarëshqiptar që u organizua nga Shoqata Stomatologjike Shqiptare e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Marketing

Ai, në emër të Universitetit të Tetovës dhe të Rektorit të këtij universiteti, Prof. Dr. Vullnet Ameti, në fjalën e tij para pjesëmarrësve tha se, këto ngjarje dinjitoze të mjekësisë e intensifikojnë akoma më tepër komunikimin mes nesh, mes bashkësive akademike dhe kjo është mënyra e vetme që të ndërtojmë vlera të përbashkëta për të sotmen dhe të ardhmen tonë. “Ne në Universitetin e Tetovës i çmojmë lartë përpjekjet e Shoqatës Stomatologjike Shqiptare për zhvillimin e vlerave shkencore, dhe bashkë me Ju ndajmë bindjen se kontributi që jepni për kërkimin shkencor në tërësi, çdo ditë e më tepër na afrojnë me civilizimin dhe botën e përparuar. Mjekësia dhe fushat tjera me rëndësi jetike kanë rolin kryesor në ruajtjen dhe zhvillimin e popujve, prandaj, le të angazhohemi të gjithë në forcimin e institucioneve arsimore, subjekteve të ndryshme shoqërore që kanë për synim arsimimin, emancipimin dhe zhvillimin e shoqërisë në përgjithësi”, u shpreh mes tjerash Doc. Dr. Sahmedin Sali.

Kongresi VII stomatologjik mbarëshqiptar, këtë vit i zhvilloi punimet në temën: “Dimensionet e reja në mjekësinë dentare”. Kryetari i Shoqatës Stomatologjike Shqiptare në vendin tonë, Prof. Dr. Kenan Ferati theksoi se kongresi i këtij viti është në një format ndryshe, pasi organizohet si bashkëdyzim i Shoqatës që ai drejtojnë dhe Asociacionit Evropian të Kirurgëve Maksillofacial dhe Kranial. “Është në nderin e shoqatës sonë, që në punimet e këtij kongresi marrin pjesë profesionistë të njohur, studiues të dëshmuar, specialistë me renome vendore dhe ndërkombëtare, të cilët në programin e punës promovojnë të arriturat më të rëndësishme në stomatologjinë dentare.
Ky kongres do të mundësojë këmbimin e ideve, përftimin e njohurive të shumta, krijimin e lidhjeve dhe miqësive të studiuesve vendas dhe të huaj”, tha Prof. Dr. Kenan Ferati. Shoqata Stomatologjike Shqiptare për të gjithë pjesëmarrësit ndau certifikata për pjesëmarrje, si dhe disa mirënjohje për disa personalitete për mbështetjen që i japin Shoqatës Stomatologjike Shqiptare, në mesin e të cilëve edhe Rektorit të UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Marketing