Del shifra, ja sa miliardë sollën emigrantët në ekonominë shqiptare

Që nga viti 1992, kur nisën flukset e para të prurjeve të emigrantëve, deri në fund të 2017-s, janë futur në ekonominë shqiptare 26 miliardë dollarë në formën remitancave. Gjysma e tyre kanë financuar konsumin e ushqimeve dhe pjesa e tjetër është përdorur për t’u arsimuar. Vala e re migratore ka rikthyer rritjen e dërgesave, teksa bankat kanë reduktuar shërbimet për emigrantët në këto dhjetë vite. Si kanë ndikuar në ekonomi remitancat dhe projektet për përmirësimin e përdorimit të tyre

Marketing

Emigracioni ndoshta është plaga më e pashërueshme e shoqërisë shqiptare, por përpos kostove që krijohen nga rrudhja e kapitalit njerëzor, emigrantët janë shndërruar në kontribuuesit më të mëdhenj në ekonominë tonë, nëpërmjet dërgesave të rregullta pranë familjeve. Studime të ndryshme tregojnë se remitancat (prurjet monetare të emigrantëve) kanë qenë nxitësi kryesor për zbutjen e varfërisë, gjithashtu me përvojën e tyre kanë ndihmuar në zhvillimin e aftësive të familjarëve nëpërmjet investimeve në shkollimin dhe në kurimin e tyre.
Përgjatë 28 viteve të fundit, që nga rënia e diktaturës, Shqipëria po përjeton cikle të rregullta të emigracionit dhe të njëjtën rrugë kanë ndjekur edhe remitancat.

Që nga viti 1992, kur nisën prurjet e para, deri më 2017, sipas të dhënave zyrtare të Bankës Botërore, emigrantët shqiptarë kanë sjellë në ekonominë shqiptare 26 miliardë dollarë. Kontributi i tyre vjetor përllogaritet në rreth 8-9% të PBB-së në 10 vitet e fundit. Remitancat në vlerë kanë qenë financuesi kryesor i bilancit të pagesave, duke sjellë valutë në ekonomi më shumë se investimet e huaja. Gjatë viteve 1991-2007, remitancat ishin më të larta se eksportet, Investimet e Huaja Direkte dhe ndihmat zyrtare. Në gjashtë muajt e parë të 2018-s, emigrantët sollën në shtëpi 331 milionë euro, me një rritje prej 11% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky është niveli më i lartë në 6 vjet, që prej vitit 2012.

Banka Botërore, në një anketë të fundit, gjeti se rreth 85% e familjeve shqiptare kishin përfituar financime që shkonin deri në 2350 dollarë në vit gjatë një periudhe 10-vjeçare. Gati gjysma e financimeve janë përdorur për financimin e jetesës së përditshme, veçanërisht për blerjen e ushqimeve, ndërsa pjesa tjetër shpërndahet në mënyrë proporcionale për arsim, kurim, rikonstruksione shtëpie etj.

Vala e re migratore pas heqjes së vizave, tashmë si azilkërkues në disa vende të BE-së, po rikthen rritjen e remitancave të cilat kishin nisur të uleshin pas vitit 2009. Elton Çollaku, Drejtori Ekzekutiv i Unionit Financiar në Tiranë, tha se, ecuria e remitancave lidhet drejtpërdrejt me trendet migratore të një vendi. Ndërkohë me kalimin e viteve dhe me inkuadrimin e kësaj kategorie (emigrantëve) në jetën dhe shoqërinë e vendit ku kanë emigruar vërehet një lloj stabiliteti i remitancave dhe madje rënie e tyre me kalimin e viteve (zakonisht ky është një cikël 10-15-vjeçar). Çollaku tha se vitet e fundit, tendencat e reja migratore të shqiptarëve, në drejtim të vendeve të Europës Perëndimore, kanë sjellë në këtë mënyrë edhe një “rifreskim” të diasporës shqiptare në Perëndim. Ai tha se edhe në vitet në vijim, si rrjedhojë e fenomenit të mësipërm, do të vijojë të ketë një trend pozitiv dhe/ose të qëndrueshëm të flukseve të remitancave në vend.

Banka e Shqipërisë, në një vrojtim për tregun e remitancave të publikuar së fundmi, evidenton se bankat në Shqipëri pas vitit 2007 kanë reduktuar dukshëm shërbimet e emigrantëve, teksa Banka Botërore e ka përfshirë Beratin në një projekt pilot, për një përdorim me efikas të dërgesave.

Profesor Ilir Gëdëshi, i cili ka bërë një sërë studimesh dhe vrojtimesh lidhur me emigracionin, thotë se, remitancat kanë luajtur rol të rëndësishëm në reduktimin e varfërisë të shumë familjeve në vend. Ndërkohë, nga këndvështrimi i ndikimit të remitancave në zhvillimin ekonomik, Gëdëshi thotë se vetëm një pjesë e vogël e atij burimi (9-12%) është investuar në ekonomi, në biznese kryesisht të vogla. Rrjedhimisht, sipas tij, kjo vlerë monetare e injektuar në ekonominë shqiptare nga migrimi deri tani ka qenë e pamjaftueshme për të rritur prodhimin vendas.

Marketing