Franca arriti në gjysmëfinale për herë të katërt në pesë turnetë e fundit të mëdhenj, por kritikat për lojën e skuadrës së Didier Deschamps nuk po pakësohen.
Kombëtarja franceze arriti në gjysmëfinale në Gjermani duke shënuar vetëm tri gola në pesë ndeshje, një prej të cilëve u shënua nga Kylian Mbappe nga penalltia dhe dy ishin autogola.
Ata fituan 1:0 ndaj Austrisë me autogol të Max Weber, luajtën 0:0 me Holandën, 1:1 me Poloninë falë golit të Mbappes nga penalltia. Në fazën 1/8 të finales kundër Belgjikës, autogoli i Jan Vertonghen ishte vendimtar, ndërsa testi çerekfinal ndaj Portugalisë përfundoi pa gola dhe francezët fituan pas goditjeve të penalltisë.
Por Ousmane Dembele beson se jo gjithçka është aq negative.
“Nëse nuk ju pëlqen mënyra se si ne luajmë, ky është problemi juaj. Ne krijojmë raste, por nuk mund t’i realizojmë. Kjo është gjëja pozitive”, tha lojtari i PSG-së.
Kundërshtari i radhës francez është Spanja, e cila në rrugën për në gjysmëfinale shënoi katër fitore brenda 90 minutave.