E sigurt është se një skuadër shqiptare këtë sezon do të marrë pjesë në grupet e Conference League. Ballkani dhe Shkupi pritet t’i zhvillojnë dy ndeshje tejet dramatike në fazën ‘play-off’ të këtij kompeticioni. Lidhur me ndeshjen e parë që do të luhet nesër në Shkup, Gazeta Metro ka kontaktuar me mesfushorin e kampionëve të Maqedonisë së Veriut, Besir Demiri.
Demiri në një prononcim për Gazeta Metro foli rreth pritshmërive të tij për duelin e nesërm në ‘Todor Proeski’ i cili do të fillojë në ora 21:00 dhe përparësive që mund të kenë vendasit. Por, nuk e ceki në emër të përveçëm nga cili lojtar i suharekasve sheh rrezikun më të lartë.
”Së pari i uroj ekipit të Ballkanit titullin kampion dhe rezultatet në garat europiane. Mendoj se duhet të jetë një festë për futbollin shqiptar pasi sido qoftë një ekip shqiptar do merr pjesë në grupet e Conference League. Ne jemi ndoshta favorit, por këtë duhet ta tregojmë në fushë,” tha fillimisht ai.
Siç thotë Demiri nuk është se e përcjellë shumë Superligën e Kosovës, por me aq sa ka mundur të shikojë ka lëvdata të mëdha për repartin e sulmit të Ballkanit.
”Personalisht sado pak që e përcjelli kampionatin e Kosovës kanë një ekip cilësor e gjithë vija e sulmit në çdo moment mund të jenë të rrezikshëm,” deklaroi ai.
Shkupi fundjavën e kaluar zhvilloi ndeshjen e parë në Superligën e Maqedonisë së Veriut dhe triumfoi me rezultat 2-1 kundër Makedonija GP, ndërsa skuadra e drejtuar nga Ilir Daja pushoi dhe sfida me Malishevën u shty për një afat të pacaktuar, këtë nuk e sheh as si përparësi e as mangësi 28-vjeçari.
”Nuk e shohë as përparësi as lodhje pasi kemi shumë lojtarë në ekip që mund të luajnë në cilindo moment. Disa ishin lënë edhe në pushim vetëm mbetet që trajneri të zgjedh se cili do luajë,” theksoi ai për Gazeta Metro.
Për fund, ish mesfushori i ekipit ukrainas, Mariupol ka edhe një mesazh për dy tifo grupet ‘Shvercerat’ dhe ‘Xhebrailat’. Ai thotë se në fund shpreson të festojnë tifo grupi i Shkupit edhe pse do të jetë një ndeshje festive.
”Të vijnë në numër sa më të madh në të dyja ndeshjet dhe të festojnë. Pastaj cili ekip të jetë më i miri të festoj më i miri (Shpresoj të festojnë Shvercerat),” përfundoi ai.
Kujtojmë se për të arritur në fazën e ‘play-offit’ suharekasit eliminuan klubin nga Ishujt Faroe, Klaksvik pas ekzekutimit të penalltive (rezultati i përgjithshëm 5-5), ndërsa Shkupi u eliminua nga Shamrock Rovers në fazën e tretë të Europa League me rezultat të përgjithshëm 2-5.