Dënohen me 72 vjet burgim shtatë të akuzuarit për dhunimin e 11-vjeçares

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar me 72 vjet burgim shtatë të akuzuarit në rastin e dhunimit të 11-vejçares.

Marketing

Lajmin e ka konfirmuar avokatja e viktimës, Kimete Krasniqi.

Sipas saj, një prej të akuzuarve është dënuar me 12 vjet burgim, 6 janë dënuar me nga 10 vjet burgim.

“Vetëm njëri është liruar në mungesë të provave, ndërsa të tjerët janë dënuar me aktgjykim meritues, njëri prej tyre shpallur fajtor dhe është dënuar me 12 vjet burgim, ndërsa të tjerët janë dënuar me nga 10 vjet burgim”, ka thënë avokatja e Krasniqi për Koha.net.

Krasniqi ka treguar se viktima gjendet në strehimore, derisa ka folur edhe për gjendjen e saj.
“Gjendja e saj është jo e kënaqshme por ajo është duke u trajtuar nga institucionet përkatës”, është shprehur Krasniqi.

Lidhur me dënimet ka folur edhe avokati i një prej të dënuarve. Avokati Haxhi Millaku ka thënë se klienti i tij është dënuar me 10 vjet burgim.

“Klienti im është dënuar me 10 vjet, për një kontakt që e ka pasur 5 minuta, është e tmerrshme, ka qenë kontakt që e ka kontaktuar, edhe ai as ajo nuk e ka njohur as nuk e ka identifikuar, vetëm bisedë dhe asnjëherë nuk e ka identifikuar klientin tim, edhe brenda seancë kemi kërkuar identifikimin edhe brenda seancës, nuk e njeh”, është shprehur Millaku.

Millaku ka akuzuar institucionet e drejtësisë për fabrikim të këtij rasti.

“Kemi të bëjmë me një fabrikim komplet, nga fillimi deri në fund, të një situate inekzistente apo thënë me tepër është simulim i vetë organeve të drejtësisë. Me të vetmin qëllim që ta arsyetojë mediumet se ndodhi kjo dhe një grup i personave kanë pasur kontakt me një fëmijë 11-vjeçar … është skandaloze”, ka deklaruar Millaku.

Ai ka pretenduar se viktima është mbi 16 vjeçe.

“Shkenca e mjekësisë, në kuptimin shkencor, radiologjik, dora e majtë, kocka e vërteton që është mbi 16 vjeç. , prandaj është e tmerrshme … Janë normat imperativë që nuk guxon t’i anashkalojë drejtësia, është skandal”, ka theksuar Millaku për Koha.net.

Marketing