Dënoi sulmet terroriste në Francë/ Hoxha kërkon mbrojtjen e policisë pas mijëra kërcënimeve me vdekje

Një hoxhë i kontestuar në Francë, i cili kishte dënuar sulmet e fundit terroriste me motive radikalizmi islamik, po i bën apel presidentit Emmanuel Macron për rritje të mbrojtjes së policisë pas marrjes së mijëra kërcënimeve me vdekje nga besimtarët radikalë.

Marketing

Hassen Chalghoumi, imam në Drancy në periferi të Parisit, tha se është bërë objekt kërcënimesh pasi foli kundër vrasjes së mësuesit me prerje koke muajin e kaluar, i cili kishte treguar në klasë karikatura të profetit Muhamed.

48 vjecari Chalghoumi, një nga zërat kryesorë të muslimanëve të moderuar, kishte quajtur mësuesin e vrarë Samuel Paty ‘martir të lirisë së shprehjes’ megjithse karikaturat e treguara prej tij kanë ndezur zemërim në të gjithë botën muslimane.

Imami ka bërë vazhdimisht thirrje për tolerancë ndërfetare dhe thotë se Paty ishte “një njeri i zgjuar që u mësonte fëmijëve tolerancën, civilizimin dhe respektin për të tjerët.

Por komentet e tij sollën reagime të ashpra dhe Chalghoumi është bërë objekt i një vërshimi kërcënimesh online.
Një nga postimet e kërcënuesve të tij thotë: “Nxisim muslimanët e vërtetë të Francës të bëjnë që Chalghoumi t’i bashkohet mësuesit të historisë, të bëhet edhe ai ‘dëshmor i kombit’”.

Edhe një tjetër në rrjetin Telegram e përshkruante hoxhën si ‘objektivi ynë i ri’, duke u bërë thirrje ndjekësve ta ‘ekzekutojnë pasi është më i pisët se të pafetë francezë’.

Chalghoumi, i cili ka lindur në Tunizi, jeton me mbrojtjen e policisë që prej sulmeve të vitit 2015 në Paris, kur vetë ISIS bëri thirrje për ekzekutimin e tij.

Ai ka provokuar edhe më parë muslimanët duke punuar për përmirësimin e lidhjeve me hebrejtë si dhe duke mbrojtur masën qeveritare të ndalimit të vellos muslimane të fytyrës.

Avokati i tij David-Olivier Kaminski i ka shkruar Macron për të shtuar mbrojtjen e imamit mes valës së kërcënimeve.

Chalghoumi ka thënë pas sulmeve të fundit se autoritetet muslimane duhet të veprojnë pas vrasjes së mësuesit.
“Rektorët e xhamive, imamët, prindërit dhe grupet e shoqërisë civile, duhet të zgjohen pasi kemi të bëjmë me të ardhmen tonë”, ka thënë ai.

Marketing