Kandidati i pavarur i mbështetur nga Vetëvendosja, Boiken Abazi ka denoncuar me foto, atë që sipas tij është tjetërsimi i votës së tij.
Ai shkruan se pasi u morën pamjet filmike nga keq, aktivistët e tij kanë vënë re se në KZAZ-në nr. 30 në Tiranë ai ka marrë 3 vota të rregullta
Abazi: Mbrëmë morëm nga KQZ-ja një pjesë të konsiderueshme të pamjeve filmike nga Qendrat e Numërimit për Qarkun Tiranë, ku kam kandiduar si i pavarur. Sot, një ekip i aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje! në Tiranë përzgjodhi në mënyrë rastësore për monitorim të pamjeve filmike Njësinë Administrative Bërzhitë në Bashkinë e Tiranës, me tetë (8) Qendra Votimi. Numërimi i kutive të votimit të këtyre 8 qendrave është bërë në shkollën “1 Maji”, KZAZ nr. 30 në Tiranë. Gjetjet e ekipit janë domethënëse, si në vijim: Votat e raportuara nga KQZ-ja për 8 Qendrat e Votimit të Njësisë Administrative Bërzhitë për kandidaturën time janë në total 3.
Abazi shkruan se në këtë KZAZ rezulton se në fakt se shumë vota janë prishur qëllimisht dhe se potencialisht janë 31.
Abazi: Në ndërkohë, nga monitorimi i ekipit të aktivistëve i pamjeve filmike për 8 Qendrat e Votimit del që: 2 vota të tjera për kandidatin e pavarur kanë qenë të vlefshme, të sakta dhe nuk janë marrë parasysh e nuk janë pasqyruar në procesverbal, 21 vota të tjera kanë dy shenja X: një për kandidatin e pavarur dhe një për PS, 4 vota të tjera kanë dy shenja X: një për kandidatin e pavarur dhe një për PD, 1 votë ka tre shenja X: një për kandidatin e pavarur, një për PS dhe një për PD. Kjo do të thotë se nga 3 vota, potencialisht në Bërzhitë numri i votave tona mund të ketë qenë 31.
Abazi shton se është tejet e rëndësishme që e vërteta të zbulohet për atë që ka ndodhur dhe se krimi elektoral duhet ndëshkuar.