Derbi i Madridit, tre sfida brenda një muaji, Ancelotti i shqetësuar

Tre derbi në më pak se një muaj. Reali i Madridit do të luajë mbrëmjen e kësaj të mërkure përballë Atletico-s së Madridit, në gjysmëfinalet e Superkupës së Spanjës. Dueli i parë do të zhvillohet në Riad, me kryesuesit e La Ligës spanjolle që do të synojnë trofeun e parë sezonal.

Marketing

“Kalendari është ai që është. Luajmë ndeshjen e parë nga tre të planifikuara. Personalisht nuk më pëlqen të përballem me Atleticon, sepse janë një prej ekipeve më të mira. Gjithsesi, do të jenë duele të bukura për tifozët”, tha Ancelotti.

“Është gjithmonë bukur të vish të luash në Riad. Nuk ka rëndësi që nuk luhet në Spanjë, ne kemi objektivat tanë: Erdhëm të luajmë dhe të provojmë ta fitojmë trofeun”, u shpreh Valverde.

Edhe pse Reali cilësohet favorit, Atletico do të provojë shanset, edhe sepse janë ekipi i vetëm që i ka mundur “los blankos” në këtë sezon.

“Në fitoren 3-1 të shtatorit, disa lojtarë kundërshtarë nuk luanin. Nuk e mendojmë atë që ndodhi tre muaj më parë, kjo është një ndeshje tjetër. Do të provojmë ta luajmë këtë duel ashtu si mendojmë se është më e mira për këtë moment të sezonit ku jemi”, u shpreh Simeone.

“Këto janë sfidat më të bukura, edhe pse kërkohet shumë energji psikologjike dhe fizike. Jemi të lumtur që do të luajmë disa herë kundër Realit. Jemi shumë mirë të përgatitur dhe skuadra po paraqitet në nivele të larta.

Fituesja e çiftit Real-Atletico do të kualifikohet në finale përballë fitueses së ndeshjes Barcelona-Osasuna. Derbi i radhës i Madridit është ai i 18 janarit në 1/8 e Kupës së Mbretit dhe përballja e 4 shkurtit në kampionat.

Marketing