Për momentin po debatohet rreth tekstit të tretë për ligjin për prokurori publike, ndërsa pengesa kryesore me VMRO-DPMNE-në është kërkesa e tyre që të hiqet kompetenca për ndjekjen e veprave penale të filluara nga PSP-ja, tha ministrja e Drejtësisë Renata Deskovska në emisionin e sontëm në “Top tema.
Gjatë krijimit të ligjit, theksoi Deskovska, debatohet rreth transferimit të kompetencave, e jo të lëndëve.
“Në tekst, gjithçka që ka qenë kompetencë mbetet që gjykata të vendosë. Në fakt, e hedhin topin për ligjshmërinë e veprimit apo për përdorimin e dëshmive të gjykatave. Por, edhe kjo nuk i pëlqen VMRO-DPMNE-së. Druaj se dëshirojnë të mbyllen çështje të caktuara, të shkruhet nëse dëshmi të caktuara vlejnë apo jo edhe këtu nuk mund të gjejmë pikë të përbashkët. Është keq me ligj të ndërpresim disa procedura apo hetime”, theksoi ministrja.
Problemi në të vërtetë kthehet, shtoi, rreth kësaj nëse ligji do të sigurojë vazhdimësi të lëndëve apo do të imponojë ndërprerjen e tyre.
“Nuk mendoj se zgjedhja e prokurorit është problemi kyç. Me kujdes e dëgjova Mickoskin në konferencën e fundit për shtyp. Tetë vërejtjet e para që i tha nuk janë diçka shumë të frikshme, diçka që bën ndarje. dallimi kryesor është në vërejtjen e nëntë me të cilën kërkohet të hiqet kompetenca për ndjekjen e veprave penale të filluara nga PSP-ja”, potencoi Deskoska.
Teksti për të cilin, sipas Deskovkës, LSDM-ja nuk ka kurrfarë problemi me partnerin e koalicionit, parashikon rritjen e numrit të prokurorëve, në konkurs që të mundet të paraqitet çdo prokuror që përmbush kushte, ndërsa Këshilli i Prokurorëve Publikë t’i zgjedhë.
Lidhur me debatin e nesërm publik për ligjin në Kuvend, Deskovska tha se pret mendime dhe propozime konstruktive nga ana e VMRO-DPMNE-së, e jo përsëritje të qëndrimeve dhe frenim të miratimit të ligjit. “Por, do të shohim. Me VMRO-DPMNE-në në debat publik nuk mundeni asnjëherë ta parashikoni sjelljen”, tha ministrja Deskovska.