Detajet e reja/ Nga paketimi kuptohet se kokaina në Durrës mund të jetë porositur nga disa grupe

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga operacioni i drogës në Portin e Durrës ditën e djeshme ku u kapën 143 kilogramë kokainë. Mësohet se policia kishte marrë informacion rreth 2 javë më parë për nisjen e ngarkesës nga Porti i Guajakil në Ekuador dhe kishte shtuar kontrollin në port për të gjitha ngarkesat që vinin nga Amerika Latine.

Kontejneri kaloi tranzit në Itali në portin Gioia Tauro, por nuk u kontrollua, ndërsa me të mbërritur në Portin e Durrësit ai iu nënshtrua kontrollit me skaner, i cili sinjalizoi praninë e drogës në të. Mësohet se policia në prani edhe një prej administratorëve të kompanisë “Masabi Fruits” hapi pjesën metalike të tavanit ku u konstatuan pakot me lëndë narkotike.

Marketing

Droga ishte ndarë në gati 200 pako të madhësive të ndryshme e mbështjellë me letër natriban të zi dhe kafe. Disa pako kishin foton e narkotrafikantit Pablo Eskobar me mbishkrimin në spanjisht “më i miri” ndërsa të tjera me mbishkrimin “plakushi” dhe “vëllai”, një mënyrë kjo e përdorur nga trafikantët për të identifikuar porositësit.

Ngarkesa me banane ishte porositur nga kompania “Masabi Fruits”, e themeluar nga 2 ortakët Klajdi Xibraku dhe Erion Peti 30 dhe 42 vjeç me seli në zonën e Kombinatit në Tiranë, të cilët u arrestuan.

Të dy ortakët kanë mohuar të kenë dijeni për lëndën narkotike, të gjetur në kontejnerin e porositur për llogari të kompanisë së tyre. Të pyetur nga hetuesit e çështjes ata kanë mbajtur të njëjtin qëndrim mohues.

Ata kanë pohuar se janë përgjegjës vetëm për atë çka kontejneri mban në brendësi të tij, në këtë rast te bananeve dhe jo të asaj qe ishte fshehur në strukturën metalike, duke u kërkuar organeve të drejtësisë që të kapin trafikantët e vërtetë.

Pavarësisht deklaratave mohuese, prokuroria thotë se mbi dy të arrestuarit, ka ngritur akuzën e trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike, pasi ka indice që këta të fundit janë të implikuar në këtë veprimtari kriminale të trafikut nga Ekuadori në drejtim në vendit tonë. Nga kodet mbi pakot e drogës, policia dyshon se porositësit janë më shumë se një.

Ky është rasti i dytë në vetëm pak ditë që zbulohet kokainë në Portin e Durrësit. Në 1 Prill në një tjetër ngarkesë me banane të nisur nga Ekuadori u gjetën 49 kilogramë kokainë. Në pranga u vendos Selim Çekaj, babai i Arbër Çekajt të dënuar me 14 vite burg për ngarkesën me 613 kilogram kokainë të sekuestruar në 2018-ën në magazinat e Maminasit të kompanisë së tij Arbri Garden.