Mbështetësit e kandidatit prorus të ekstremit të djathtë, Calin Georgescu, janë përleshur me policinë në Bukuresht, duke shprehur zemërimin e tyre për vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Rumani ia ka ndaluar të dielën kandidatit prorus të ekstremit të djathtë, Calin Georgescu, pjesëmarrjen në zgjedhjet presidenciale që do të rimbahen në Maj, duke nxitur përplasje mes mbështetësve të tij dhe policisë.
Dhunë në Bukuresht, autoritetet i ndalojnë pjesëmarrjen në zgjedhje kandidatit prorus
Dhunë në Bukuresht, autoritetet i ndalojnë pjesëmarrjen në zgjedhje kandidatit prorus
Publikuar 10:30 10 Mars, 2025
Mbështetësit e kandidatit prorus të ekstremit të djathtë, Calin Georgescu, janë përleshur me policinë në Bukuresht, duke shprehur zemërimin e tyre për vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Rumani ia ka ndaluar të dielën kandidatit prorus të ekstremit të djathtë, Calin Georgescu, pjesëmarrjen në zgjedhjet presidenciale që do të rimbahen në Maj, duke nxitur përplasje mes mbështetësve të tij dhe policisë.
Komisioni tha më 9 Mars se nuk e ka pranuar aplikimin e Georgescut bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila anuloi zgjedhjet e Nëntorit, pas fitores së tij në rundin e parë.
“Kandidatura e tij nuk plotëson kushtet e kërkuara me ligj, siç janë përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese në Dhjetor të vitit 2024. Për këtë shkak, me rinisjen e procesit zgjedhor anëtarët e Komisionit konsiderojnë se është e papranueshme që të vlerësojnë se i njëjti person plotëson kushtet për të marrë udhëheqjen e Presidencës së Rumanisë”, tha Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Georgescu, i cili është kritik i NATO-s dhe kundërshton mbështetjen rumune për Ukrainën, dorëzoi kandidaturën e tij për pjesëmarrje në zgjedhjet që do të mbahen më 4 Maj dhe 7 Mars.
Komisioni kishte 48 orë për të pranuar apo refuzuar aplikimin. Georgescu tani ka 24 orë që ta apelojë këtë vendim, që nxiti qindra mbështetës të tij të protestonin. Ata u përleshën me forcat e sigurisë para ndërtesës së Komisionit në Bukuresht.
Protestuesit dogjën objekte dhe hodhën në drejtim të policisë gjësende të forta, të cilët u përgjigjën me gaz lotsjellës, thanë zyrtarët e zbatimit të ligjit.
Georgescu dhe mbështetësit e tij kanë pretenduar se autoritetet rumune po tentojnë të bllokojnë kandidaturën e tij për zgjedhjet presidenciale.
Pas vendimit të Komisionit, ai reagoi me zemërim duke e quajtur vendimin “goditje të drejtpërdrejtë në zemër të demokracisë”.
“Më ka mbetur vetëm një mesazh. Nëse bie demokracia në Rumani, e gjithë bota demokratike do të bjerë. Ky është vetëm fillimi. Është kaq e thjeshtë… Evropa tani është diktaturë, Rumania është nën tirani”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Liderët e partisë së ekstremit të djathtë e kanë dënuar vendimin e Komisionit Zgjedhor për mospranimin e kandidaturës së Georgescut.
Gjykata Kushtetuese e Rumanisë i anuloi zgjedhjet presidenciale dy ditë para balotazhit në dhjetor, duke u thirrur në dyshimet se Rusia kishte ndërhyrë në zgjedhje në dobi të Georgescut. Moska i ka mohuar akuzat.
Pjesëtarët e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, kanë thënë se anulimi i zgjedhjeve në Rumani është shembull sesi qeveritë evropiane shtypin lirinë e shprehjes dhe kundërshtarët politikë.
Elon Musk, burri më i pasur në botë dhe aleati i ngushtë i presidentit Tump, e ka quajtur të “çmendur” vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor të Rumanisë në rrjetin e tij social, X.
Georgescu është duke u hetuar për gjashtë vepra penale, përfshirë për anëtarësim në një organizatë fashiste dhe për komunikimin e të dhënave të rrejshme për financimin e fushatës zgjedhore. Ai i ka mohuar të gjitha akuzat./REL