Dialogu me Serbinë, Lajçak dhe këshilltarët e Scholz dhe Macron vijnë sot në Kosovë

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i shoqëruar nga dy këshilltarë të sapoemëruar të Gjermanisë dhe Francës për dialogun, Jens Plettner dhe Emmanuel Beanie, do të vizitojnë Prishtinën sot.

Marketing

Pas Prishtinës, ata pritet të shkojnë për vizitë edhe në Beograd, shkruan Reporteri.net.

Gjatë vizitës në Kosovë ata do të takohen me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Nga Qeveria gjermane gjatë kësaj jave deklaruan se qëllimi i kësaj vizite do të jetë për të parë se cilat janë opsionet e mundshme në përparimin e normalizimit të marrëdhënieve në dialogun Kosovë-Serbi.

Në fundjavë u bënë publike dy letra të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, në të cilat u bëhej thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, për normalizim sa më të shpejtë të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në këto letra të ndara, Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari federal gjerman, Olaf Scholz, njoftuan se ngarkuan në detyrë këshilltarët e tyre për politika të jashtme dhe siguri, për t’i dhënë mbështetje emisarit të posaçëm të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçakut.

Ndërmjetësi evropian në dialog, Miroslav Lajçak, bashkë me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, qëndruan në Kosovë dhe Serbi edhe në fund të gushtit.