Diaspora hap dyert e eksportit

Në Maqedoninë Perëndimore nuk mungojnë prodhues të suksesshëm që shesin jashtë e të cilëve dyert e Evropës ua ka hapur diaspora. Megjithatë kriza politike ka ndikuar ngjashëm si te i gjithë biznesi në Maqedoni, që edhe kompanitë shqiptare në një pjesë të madhe të orientohen më shumë në stabilizim të biznesit dhe jo zgjerimin e biznesit të orientuara në eksport, shkruan gazeta KOHA.

Marketing

Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore thonë se në të ardhmen, me stabilizimin gradual të gjendjes politike, mund të presim edhe realizimin e planeve të investimit të më shumë kompanive anëtare të OEMVP-së, të kemi rritje të brendimit, por edhe të eksportit të bizneseve shqiptare në Maqedoni. Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se krijimi i një brendi në fusha të ndryshme paraqet një proces që kërkon kohë e që matet me një periudhë së paku pesëvjeçare, mjete financiare dhe resurse të tjera të çmuara që shpesh edhe ju mungojnë afaristëve shqiptarë.

Bile, shtojnë ata, edhe në nivel të Maqedonisë si shtet – në 25 vitet e kaluara kemi numër që nuk kënaq krijimin e brendeve të suksesshme, dhe të cilët kanë gjetur rrugën e tyre në tregun evropian.

OEMVP OFROHET TË NDIHMOJË

“Kompanitë ndërtimore nga Maqedonia Perëndimore kanë ndërtuar brende dhe shesin prodhimet e tyre jo vetëm në rajon, por edhe në shtetet perëndimore duke i falënderuar faktit se dallohet si me çmime ashtu edhe me cilësi. Megjithatë, nuk mund të jemi të kënaqur me interesimin për brendimin dhe mbrojtjen e markave tregtare. Apo ndoshta në këtë drejtim pengesë mund të jenë edhe procedurat e stërzgjatura për sigurimin e dokumenteve që i paraprijnë procesit të mbrojtjes së markës tregtare. Gjithashtu, bizneset shqiptare janë relativisht të reja në treg, andaj së pari nevojitet të stabilizohen në tregun vendor të Maqedonisë e pastaj të mendojnë për të depërtuar në tregun e jashtëm”, thotë drejtori i OEMVP-së, Drilon Iseni.

Sipas tij, nuk duhet harruar se ndërtimi i brendit edhe në nivel të tërë Maqedonisë është një proces për të cilin nuk mund të dallohemi si shtet për shkak se kërkon mjaft kohë, investime dhe punë të madhe.

Në ndërkohë, Iseni shprehet se në OEMVP-së ekziston një infrastrukturë e gatshme që mund tu ndihmojë bizneseve në brendimin e prodhimeve.

“Në kuadër të OEMVP-së vepron edhe Klubi i prodhuesve industrial, ku ideja është që të kemi një grupacion në një vend me sektorë specifik. Gjithashtu, ai është pjesë e Forumit prodhues mbarëkombëtar shqiptar. Në kuadër të Odës ekziston dhe ofron shërbimet edhe Qendra për pronësi industriale dhe mbrojtjen e markave tregtare që mund të shfrytëzohet nga ana e anëtarëve të Odës me çmime të leverdishme lidhur me brendimin dhe mbrojtjen e markës tregtare”, thekson më tej ai. Iseni shton më tej se OEMVP angazhohet që kompanitë prodhuese të sjellin teknologji të reja, apo “knou hau” nga jashtë me qëllim që të krijojnë vlerë të shtuar të prodhimeve të tyre, por për këtë – megjithatë nevojitet që së pari të zënë vendin e tyre në tregun vendor dhe pastaj të mendojnë për tregjet e jashtme.

Gjithashtu, thotë për KOHA Iseni, ato nevojitet të mendojnë edhe për të zëvendësuar importin me prodhimet vendore dhe pastaj të mendojmë për eksportin.

“Një vëmendje më e madhe në kushtet tona nevojitet ti kushtohet edhe inovacionit për bizneset shqiptare që siguron kosto minimale, efikasitet më të madh në punë, shfrytëzim maksimal të infrastrukturës, si dhe mundëson të jeni më të lirë në treg”, shpjegon Iseni përfitimet e vendosjes së risive në afarizëm. Lidhur me ndihmesën e diasporës shqiptare për kompanitë prodhuese nga Maqedonia Veriperëndimore dhe me rritjen e plasmanit, promovimin, krijimin e kontakte të reja apo edhe marrëveshje të mundshme për eksport, nga OEMVP thonë se një ndihmë konkrete në këtë drejtim asnjëherë nuk ka munguar.

“Diaspora veçmë e ka luajtur rolin e saj duke ndihmuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me dhjetëra e dhjetëra kompani që eksportojnë nga Maqedonia Perëndimore jashtë shtetit e që posedojnë edhe cilësi të nevojshme për tregjet perëndimore. Me fjalë të tjera, ekzistojnë më shumë shembuj të eksportit të suksesshëm të cilëve dyert e Evropës ua ka hapur diaspora”, thotë Iseni.

Nga OEMVP thonë se bizneset nga Maqedonia Perëndimore duhet të shqyrtojnë mundësitë dhe të investojnë në përpunimin dhe paketimin e prodhimeve blegtorale dhe bujqësore, prodhimtarinë e ushqimit organik, industritë kreative, teknologjinë informatike…

BRENDIMI I MALLIT SHKON ME ZOR

Nga ana tjetër, njohësit e çështjeve ekonomike thonë se krijimi i një brendi në fusha të ndryshme paraqet një proces që kërkon kohë që matet me një periudhë së paku pesëvjeçare , para dhe resurse të tjera të çmuara.

“Krijimi i një brendi në fusha të ndryshme ekonomike paraqet një proces që kërkon kohë, para dhe resurse të tjera të çmuara që shpesh edhe ju mungojnë afaristëve shqiptarë. Me fjalë të tjera për të krijuar një markë tregtare në prodhimtari nevojitet së paku një periudhë kohore prej së paku katër deri pesë vjet, investime që maten me miliona e miliona euro, kërkon angazhimin e inxhinierëve të profileve të ndryshme , teknologëve, specialistëve të marketingut, fuqisë punëtorë të kualifikuar dhe mbi të gjitha gjetjen e plasmanit në një treg me konkurrencë të madhe”, thotë profesori universitar Neritan Turkeshi.

Sipas tij, krijimi i një brendi kërkon qarkullimin shumë të ngadalshëm të të hollave që kthehen vetëm pas disa viteve të investimeve, për dallim – për shembull, prej tregtisë ku kemi qarkullim të shpejtë të parave. “Bizneset me pronësi të shqiptarëve shpesh orientohen në veprimtari më të thjeshta ku mund të sigurojnë ekzistencën për familjen dhe punëtorët që i angazhojnë. Madje, viteve të fundit, përvojat e pjesës dërmuese të bizneseve në vend tregojnë se ato e kanë të imponuar mbijetesën dhe më pak e shikojnë zhvillimin e tyre në mënyrë afatgjatë, por në mënyrë afatshkurtër, ku shikojnë që të zvogëlojnë çdo harxhim të tepërt që e kanë për biznesin, e jo të investojnë në fusha të caktuara, siç është për shembull shitja jashtë shtetit dhe krijimi i brendeve”, thotë për KOHA, Turkeshi.

Ndryshe, në vitet e kaluara, ekonomia vendore dallohej për nga frika nga investimi në ide të reja dhe niveli i ulët i vetëdijes për dobitë që sjellin inovacionet në zhvillimin dhe rritjen e bizneseve. Sipas ekonomistëve, niveli i ulët i vetëdijes i bizneseve që pak aplikojnë inovacione në punën e tyre ndërlidhet jo vetëm me mungesën e mjeteve financiare, por edhe me mungesën e kuadrit të specializuar në këto firma për zhvillimin e ideve, prodhimeve dhe shërbimeve të reja që bizneset hezitojnë ti punësojnë. Gjithashtu, ekonomistët duke shpjeguar dobitë që sjellin risitë në biznes, thonë se inovacionet nuk nënkuptojnë vetëm shpikje të mëdha dhe të shtrenjta, apo prodhime dhe shërbime të reja. Risi mund të jetë edhe përmirësimi i procesit prodhues, vendosja e sistemit të ri menaxhues e kështu me radhë. Vlerësohet se vendosja e inovacioneve ndikon edhe në rritjen e eksportit, fuqizimit të bizneseve vendore dhe zhvillimin ekonomik të vendit. (koha.mk)

Marketing