Dimitrov dhe Kocias nga Nju Jorku shkojnë në Bruksel

Shefat e diplomacive të Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kocias nga Nju Jorku sot udhëtojnë drejt Brukselit.

Marketing

Ata në bisedimet dy ditëshe nuk kanë arritur që të tejkalojnë dallimet, ndërsa ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimic theksoi se palët kanë mbrojtur interesat kombëtare, por kanë treguar vendosmëri për të zgjidhur kontestin 25 vjeçar.

“Siç e dini, kishim takim dje dhe sot, biseduam për një ditë e gjysmë. Mund të them se kemi punuar shumë. Çështjet janë të definuara dhe të përcaktuara mirë. Mund të them se këto ishin negociata për të cilat kemi punuar shumë”, tha Nimic pas takimit me dy ministrat.

Nimic tha se Dimitrov dhe Kocias do të nisen për Bruksel, ku do të vazhdojnë dialogun dhe shtoi se edhe pse ende nuk ka vendim përfundimtar të dyja palët janë të gatshme të punojnë shumë për të gjetur zgjidhje.

“Negociatat janë intensifikuar ndjeshëm, siç kanë thënë të dyja palët kanë pozita të rëndësishme, janë në pyetje interesat kombëtare. Të dyja palët e njohin rëndësinë e arritjes së një zgjidhjeje dhe janë të vendosur ta bëjnë këtë” shtoi Nimic.