Dimitrov takon sot homologun e tij grek Katrugallos

Shefi i diplomacisë së Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov dhe ai i Greqisë, Jorgos Katrugallos, edhe pse u paralajmërua për dje, megjithatë sot do të realizojnë takim në margjinat e Forumit ekonomik, që mbahet në Delfi, Greqi.

Marketing

Agjencia greke e lajmeve ANA-MPA, duke iu referuar burimeve diplomatike, dje publikoi se fokusi i takimit Damitrov – Katrugallos do të vendoset në implementimin e Marrëveshjes së Prespës, si dhe në problemet teknike dhe praktike që për çdo ditë paraqiten gjatë zbatimit.

Në ditën e parë të pjesëmarrjes në Forumin ekonomik, ministri i Punëve të Jashtme ka mbajtur fjalim, ndërsa ka realizuar edhe disa takime bilaterale.

Në fjalimin e tij, Dimitrov tha se “mund të jemi krenarë në atë që e kemi arritur sot dhe bota të thotë se lajme të mira vijnë nga Ballkani dhe se nuk ka asgjë më natyrore se ajo që dy vendet tona të jenë miqë, të jenë afër, ta hapin ardhmërinë”.

Dimitrov foli për ardhmërinë, por edhe për atë çka është bërë, për atë, siç tha “që e kemi arritur dhe pse e kemi zgjedhur rrugën më të vështirë, pasi rruga më e lehtë ishte që të mos preket asgjë”.

Në sesionin plenar, përveç ministrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, fjalime mbajtën edhe shefi i Diplomacisë qipriote, Nikos Hristodulidis, zëvendës kryeministrja e Rumanisë, Ana Birçal, zëvendës kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq dhe kryeministri grek, Aleksis Cipras.

Gjatë ditës së djeshme, Nikolla Dimitrov, në kuadër të forumit ekonomik, u takua me zëvendës ndihmës sekretarin shtetëror të SHBA-së për Evropë, Methju Palmer dhe ambasadorin amerikan në Athinë, Xhefri Pajat, me ç’rast kanë biseduar për çështje rajonale dhe bashkëpunimin bilateral, si dhe për çështja aktuale dhe sfida në rajon, ndërsa realizoi takim edhe me liderin e Partisë greke Potami, Starvos Teodorakis.

“Nëse do të kishim më shumë politikanë të cilët mendojnë për gjeneratat e ardhshme, e më pak për zgjedhjet e ardhshme, bota do të ishte vend shumë më i mirë”, shkroi shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov në Tuiterin e tij zyrtar pas takimit me liderin e partisë greke Potami, Stavros Teodorakis.

“Në Delfi kam pasur takim me Nikolla Dimitrovin. Së bashku e bëmë hapin e parë, i thashë, por duhet të bëhet edhe shumë edhe nga ana e juaj që më të mos ekzistojë dyshim në marrëdhëniet tona. Ndjeva sikur më kupton”, shkroi Teodorakis në profilin e tij zyrtar në Tuiter.

Nga partia Potami kumtojnë se takimi në margjinat e Forumit ekonomik në Delfi ka qenë me iniciativë të Dimitrovit, i cili, siç i ka thënë Teodorakisit, ka dashur ta njoftojë njeriun, i cili edhe pse ka shumë pozita të ndryshme me Qeverinë e SYRIZA-s, pati guxim ta mbështesë Marrëveshjen e Prespës, njofton korrespondentja e MEDIAL-s nga Athina.

Shefi i Diplomacisë së Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov është përfaqësuesi i parë i nivelit të lartë nga vendi ynë, i cili merr pjesë në forum, që këtë vit mbahet për herë të katërt, ndërsa qëllimi i të cilit është që përmes bashkimit të liderëve botërorë, ta thellojë mirëkuptimin për çështjet dhe sfidat që ndikojnë në bashkësinë globale, Bashkimin Evropian, rajonin më të gjerë mesdhetar, si dhe në Evropën Juglindore. .

Marketing